
KY DET
Ky det,
nuk gjen qetësi,
nuk ka moshë.
Kudo
dhe kurdoherë,
të josh.
GUACKA
Jam guackë
e zbrazur.
Poshtë diellit
mbushem me ngjyra,
ndriçoj nga brenda.
Anës detit
mbushem me dallgë,
tregoj legjenda.
Provo të më thyesh:
do shpërrthejnë
erërat,
që kam përbrenda.
SI KRIJOHET DETI
Më thua: “Ç’i do anijet?
Mungojnë detërat...”
Dhe unë të them: “Fillojmë!
Unë po bëj dallgët,
ti - erërat”.
VAPORE TE MBYTUR
Karavet u plakën.
Filluan
të mbushen me ujë
hambarët.
U thanë t’i braktisnin.
Minjtë
u larguan të parët.
HOTELI
Mbi çarçafët
e detit:
Trupi yt
i Shenjtë.
Krevati i mbretit,
hoteli i shtrenjtë.
ERERAT
Pasi rendën gjithë ditën
mbi det,
zhveshën këmishët e djersitur
erërat.
I nderën për t’i tharrë,
nëpër degët e ullinjve të nxehur.
Shpirti im,
nuk kishe gjë tjetër për të fshehur.
SARANDA
Sa kohë
do të flejë akoma
hëna,
faqembështetur
mbi detin Jon?
Nuk është jastëku i saj.
Zemërohet,
nursëzi i pandreqshëm,
Poseidon.
ANFIB
Në det jam anfib,
i lëngshëm,
i tejdukshëm.
Si uji që rrjedh
nëpër ulluqe.
Peshqit nuk dallojnë,
as zemrën time
të kuqe!
ANIJE TE HARRUARA
Do të gjesh disa anije prej druri,
harruar në një cep të zemrës sime,
që nuk u nisën kurrë për udhëtime.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen