![]() |
Fehmi Berisha |
ENVERI DHE ADEMI SHTRYDHEN GURIN
I besonit diellit si ngrohtësisë
të zemrës
cepit të buzëve i besonit puthjes
njeriut të lirë
ishi pellazgë, ishi Ilir
Gjatë shekujve të stuhishëm
maleve kalëronit përpjetëza
e teposhtëza
sert ecnit acareve e zjarreve
gurin e puthnit e puthnit tokën
e mbi kokë kur vënit plisin
këngës ia thoshit sa jehonte bjeshka
e të gjithë merrnin kushtrimin
Zemrave u jepnit shumë dashuri
edhe mbi shkrepa përkundej djepi
si varkat në detin Jon
kur plagët ua lëpinte valë e tij
malet kokëlarta ju merrnin në gji
Si teshat e trupit u rrinte vdekja
me dhëmbë mbanit përgjegjësi
kurrë s`ua pa kurrizin heshta
e ndjenit ligësi
balli juaj kurr i ulur,
as syri për dhe
kokën i jepnit shpatës,
kurrë atdheun prangave
as qytet, as katund as shtëpi
kund s`mbeti
pa të rënë për atdhe,
për qytetërim njerëzimi u bëtë fli
Eh Troja ime e lavdishme
me ty s`ia dolën ballë për ballë
të mundën pabesisht
të morën me tradhëti
asnjë s`të pikturoi e këndoi si Homeri
me aq besnikëri
Pastaj ndër shekuj u bë lesh arapi
mbi kaltërin tënde
mbi malet e mbi detin tonë
u turrën re të zeza
romaku, turku, shkau, greku
dreqi dhe i biri
shembën vlera
paraja, rrena, pisllëku e mashtrimi,
ardhmërinë ditëve tona ua vodhën
aq shumë prapështi tjerrën
sa përvetësuan lavdinë
Ndër shekuj kjo tokë
bashkë me dhimbjen time
ruajtën fjalën e këngën e këputur,
ruajtën pika gjaku,
ADN e atdheut,
erdhi si enë çeramike,
si enë ushqimi erdhi
si qelibar, si bylyzyk
e si unazë dashurie
si shpatë e hanxhar trimërie erdhi
si ninullë si lirikë
erdhi si baladë epike
erdhi si vulë fisnikërie
Era shpalosi fletët e historisë
njëra pas tjetrës erdhën
dëshmitë, provat, faktet
të gjitha në një shteg
shumë janë, shumë si gjethe lisi
stoli, fjalë, besë
e këngë plisi
ngjiten përpjetë në breg
Sa shumë jua dua kokëfortësinë
ju dua
se kryeneçe jeni, se fakte jeni
dëshmi e prova historike
eh, sa gjatë, shumë gjatë
në heshtje ratë
nuk u ndjem as nuk u pamë
se shumë kohë,shumë shekuj
pa vesh dhe pa sy
patë mbetë Dardania
mjegullnajë e madhe ishte
E nisën rilindasit
deri n'pikë Enveri e bacë Ademi shtrydhën
gurë e dru
që të flasin gjurmët e Durrësit
të fletë Apollonia,
Butrinti, të fletë Dardania,
ja shihni Korçulla nxori armët pellazge
i rrokën Zahiri, Hakifi, Edmondi
Jasharët me shokë i qanë retë
në Shkodër ia krisi këngës Rozafa
hijerëndë atje në Kotorr
e dëgjon Teuta
Eh, tokë pellazge, tokë ilire, tokë shqiptare
pikëllim pati edhe deti Jon
e sot,
sot cep për cep shpaloset toka
e flet guri
merrni fjalën shqiptarë,
ruani besën të bashkuar
përpjetë ngjituni me t`vërtetën
këndoni deri në fund
këngën e këputur.
LIRIA NUK MBETI PA EMRIN TËND
(Qerim Kelmendit)
Gjaksorët kishin shkelur
pragjet tona
na gjymtuan e përndoqën
nëpër shekuj
ti ndeze dritën në konak
gurthemel fisi
bjeshkët të morën në gji
t`i falën shtigjet,
t`i falën supet
vare kohën në vetull
syrin në thumb pushke
liria nuk mbeti
pa emrin tënd
doje t`i ngulje gurët
në veri
dhe t`i pagëzoje
Zahir
Ardian
Hakif
Ilir
Luan….
Flamuj
ti kurrë nuk e kafshove
heshtjen
këngën e këndove
deri në fund
të hëngër terri shok
smira,xhelozia,ligësia
përdhosën kodin shqiptar
këngën nuk mund ta vrasin,
as krismën
as emrin tënd
që quhet liri
mbase Era një ditë
do ta ndezë ëndërrën
do të hapë horizonte
dhe ta mbjellë farën e re
KY TRUALL DURON VETËM NGJYREN E GJAKUT
Zemërimi i shekujve të kafshuar
skëterrë,fisi im mbuluar
skamja,pusitë, vrasjet, helmimet e përndjekjet
oxhaku im pa tym
e mblodha gjithë rrugën
nëpër mijëvjeçarë,
pëllëmb për pëllëmbë
lumenj gjaku
tehut të shpatës gjithnjë vetëm
eca mes eshtërave e flakës
shumë herë më luajtën gurët
e më ndërroi emri
menzi mbajta frymën
fjalën e pak kujtime malesh
dhe një shkrepsë
për ta ndezur zjarrin
shumëherë pash edhe buzëqeshjen tënde
por ty nuk të gjeta
djegur dhimbjeje, kujtimi e malli
dhe nuk pata kohë të ndalem
duhej të ecja t`i gjeja gurtë e rrokullisur
të shpalosja flamurin
e mbi të kujtesën e maleve
guximin e Zahirit, Hakifit, Edmondit, Luanit, Ardianit, Yllit…
të shpalosja qëndresën
e guximin e Shabanit, Ademit e Hamzës
të shpalosja këngën e nanës Zahide,
këngën e nuseve, vështrimin e fëmijëve
hej, ti që ma krove vetullën
mos ma nxirr syrin
mos ma lëndo palcën e truallit
me lara lara
se ky truall duron vetëm ngjyrën e gjakut
ZANA VAJTON DARDANINË
Të gjitha kullat u shembën, ranë
brejtësit gërryenin palcën
plagët në tërë atdheun rigonin
Fjala lidhë në pranga frike
pa kuptim, dekadash
me nge mrizonte durimi
Kambanat e zemrës rrahën
dashuria u kall mbi tri shkronja
UÇK morën atdheun në gji e ia krisën
Sytë shkreptimë qielli
shigjetuan zjarr mbi hasmin
prishën gardhin prej telash me gjëmba
Trëndafili u lag nga vesa e vetë
dhe qeli, u hap qielli
dolëm tej stuhisë
Zana ndali vajin
arnoj trupin e
kënga mori dhenë
Sot,nga doli kjo pykë që merr guximin
e shqyen atdheun në t`katër anët
bën hi e pluhur
Ç’është ky bajraktarizëm
kryfjalë ndërskamcash e prita nate
që ma vrasin zogun në qiell?
O njerëz, o pari
merrne udhen drejt
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen