Sonntag, 7. Januar 2018

Tri poezi nga Alketa Maksuti Beqari

Alketa Maksuti Beqari

DASHURIA

Në një pikënisje,
Merr rrathët e saj dashuria.
Pështjelljet e saj në zemër mbërrijnë,
Atje ku rrathët përndahen në tërë hapësirën.
Aty rritmet ndryshojnë formën,
Rrotullimi i ravijëzimit,
përdridhet në dimensionet e shpirtit.
Krahët e fluturës dashuria përplas,
Atje, ku bukuritë janë ndaluar.



PO TË LË ME NATËN

E po të le me natën udhëtar,
në çdo cep yjesh kur të arrish
merr dritën e tyre.     
E kur të vazhdosh rrugën,
i vetëm nuk dua të jesh,
me dritën e yjeve
rrugën tek unë do gjesh.

Po të le me natën udhëtar,
e kur të vazhdosh rrugën
merr tingujt e saj.
I vetëm nuk dua të jesh,
nën rritmin e tyre,
rrugën tek unë do të gjesh.

Po të le me natën udhëtar,
e kur të vazhdosh rrugën
me natën mike,
ndalo veç te zemra ime.

Po të le me natën udhëtar,
e kur të vazhdosh rrugën,
kujto zërin tim.
I vetëm nuk dua të jesh,
nën kumbimin e tij,
rrugën tek unë do gjesh.

Po të le me natën udhëtar,
e kur të vazhdosh rrugën
nuk do marrësh nga unë:
natën e mirë!
Sepse, zgjuar për ty jam
deri në të gëdhirë.



PRANË  DETIT

Pranë detit nuk jam,
por zhurmën e tij e dëgjoj nga larg,
oshetimen e tij e marr
Në thellësi të shpirtit.
Pranë detit nuk jam,
por në thellësinë e tij zhytur rri,
me ka rrëmbyer të tërën,
brenda vetes me ka marr.
Pranë detit nuk jam,
por në përqafimin e tij kam humbur,
e strukur pas tij qendroj.