Mittwoch, 18. März 2020

Buqetë poetike nga Azem Osmani

Azem Osmani

MË DRITHËROJNË PRITJET

Pritja e autobusit me goma të gozhduara
Shtatë unaza kurrizi m’i shkallmoi

M’u zbardhën shtatëdhjetë qime floku
Pritjeve të skanimit të dijes në provime

Një ditë më peshonte
Tonelata ortek pritjesh
Zbrita shtatëqind ujkesha
Vargmaleve të ngrira
Ta kafshonin kohën e pritjes
Që ti, të më vije sa më parë
Si një hyri hirmadhe
E bekuar me ujin e Syrit të Kaltër
Andaj, dhe më drithërojnë pritjet

Nga libri në dorëshkrim, "Dera e pushtë"



Ç’NA DUHET HIJESHIA JOTE KORONAVIRUS?!

Kujt i vajti në mendje ta ndez dashuninë e tërbueme
Gjithë ky tërsëllëm ndaj nesh
Që nuk u mahnitëm
Me hijeshinë tënde - ngjyrëndezura kurorash
Ç’faj kemi që na fshiheshe para syve
E s’të shihnim teksa defiloje si mbretëreshë

Sa deshëm të të lavëdronim, mësysh të ramë
Që gjuhë e as racë s’dalloje
Por, globin kur vure në shuplakë të dorës
Turravrap me harbim na le pa frymë e pa jetë
Të fshehur nëpër skuta si në orë policore
Po bëjmë dashuni me maska
Atëherë, ç’na duhet hijeshia jote koronavirus?!

12 Mars 2020



PURPUR I NDEZUR ABAZHURI

Me teh ndjenjash preva çaste
Zhytur në sherbet drite
Purpur i ndezur abazhuri
Si copat e tespiçes në tepsi

Nga sirtari i rrethuar me gjemba kohe
Nxora në liri një fletë ngjyrë bore
Fletë me palcë celuloze
Regjur vapësirave nëpër vite

Habitem me veten
Si arrita të kashais hollësi
Në horizontet e pafundme
Të një syri në dehje
Në këto dallgë ndjenjash
Syth vargu i acartë apo i ngrohtë
Germa të ujshme me vesë a me lot

Pak rëndësi ka se në ç’gjendje rrodhi
Kur muza kullon mes rrënjësh
Shpirt që gjason në ah

3 Mars 2020



RINGJALLJE E DALLGËVE

Anije thesarësh e zaptuar
Nga kusari i babëzitur me një sy qorr
Një pluskë e syrgjynosun
Në detin e trathtuar nga dallgët
Anije me shpresa të varura në vela
Ashtu sikur peshqit e uritur
Që sillen vërdallë fundit të saj
Të padruajtur nga kurthe peshkatarësh

Ringjallje e dallgëve si turma të tërbuara
Në pikën e horizontit të tokës së ngjeshur
Përplasje, që la gjurmë kërdie
Plazheve të nxira me fosile guaskash
E vezullima shkëmbinjësh
Nga thesarët e shpëtuar

9 Shkurt 2020



ERDHA

Erdha pa ritualin e puthjes së dheut
Si një dashuri nën strehë, ku rrufeja shkreptin
Mallin nuk e lash të më përplas në gulfim
Mbi këtë tokë plot dhimbje plagësh

Kundroja gjurmë braktisjeje
Strukur fërfëllizash dimri
Në oborrin që më mbante mëri
As çehre e as ngjyrim
Veç pak shpresë gjeta për një buzëqeshje
Tek trëndafilat e mi
Të mbijetuar në akuarium

30 Janar 2020



HIJET

Kur dielli m’i mbarështoi buzëqeshjet
Hija e tkurrur mu fsheh pas
Nuk më ndahej në asnjë hap
Nga smirë e mpiksur në palcë

Sa ara kultivova me buzëqeshje
E hambarë dëshirash që gromësijnë
Hija mbeti vetëm hije
E hidhur ndanë buzëqeshjeve
E plogët kundrejt çallëstisjeve

Edhe tokës sonë i ra zhugëza
Nga pikturat e ndiçme
Që njohin veç ngjyrën e zezë

Hijet vetëm kaq mund të bëjnë...

3 Janar 2020



E DASHURA TOKË

E dashura tokë
Kur të këputi
Sëmundja e ulcerës në lukth
Nuk i re vetes mbas
T’i fashitje dhimbjet
Në freskun e dallgëve të ujit
Shenjtëruar në rite puthjesh
Me brigjet e Durrësit të pashëm

E dashura tokë
Pse sëmundjen na e mbajte fshehtë
E ne flinim të qetë
Të patrazuar nga grahmat e tua
Pse të rrinim mbi plagën tënde
E mos t’i kërkonim ilaçet për shërim

Por, vonë...
I fishke dashuritë nën rrënoja
Në vend se t’i përdorje melhem

2 Dhjetor 2019



DASHURI STINËSH

Kashaisa fund stinët me krehrin e kalit dori
Flokëshprishurat lëmova
Nga dashuria e shthurur në dorëzim-pranim

Më vjen të qaj, që një dashuri
Qoftë edhe pa shthurje
Kurrë s’e përjetoi pranvera me vjeshtën
E as vera me dimrin

Sikur veç njëherë
Të zhvendoseshin stinët
Ta shihja të ftohmën e akullt
Në përvëlimin e verës
Puthjet e çmendura
Mes gjethesh të blerta e të florinjta
Dashuri, që përvëlohen duke pritur
Të shpërthejnë diga të nëmura qelish

17 Nëntor 2019



GJURMË

Me sqepin e gojës lakmitare
Çukiti në degë të njomë
E në fyt këputi bulën e kohës së artë

Erdhi vjedhurazi në vjeshtën e skamur
Një vjeshte, që vera nuk ia poqi fjalët
Babëzitur, i kafshoi si mollë
Papandehur, dhëmbët e ndërgjegjes iu mpinë
Ra një vetëtimë e mpirjen ia shkriu
Derisa filmim radiografie dhelpërisht i nxori
Pas zgjimeve nga kumbi i mërmërimës
As edhe një grimcë lyshtre nuk mbeti
Pa u pa gjurmë në celuloidin e zi

13 Tetor 2019



Ç’PO NDODHË ME RENDIN E NATËS

Përpëlitem për një sy gjumë
Mbi këtë shtrat
Që nuk ndihet rehat
Nga veshtullat e natës

Si të fle, kur mendimet u mbinë
Mezhdave arash djerre
T’i bënin sogje shpresës tekanjoze
Bredhur rrëpirave të territ
Ta këpus shiritin e përurimit të agut

Po ëndrrës si t’ia bëjë
Që gjumin e do si peshku ujin
Lundruese drejt lakmive të pakapshme

Hë, ç’po ndodhë me rendin e natës
Thyerje heshtjesh zgjedhore
Nga rrëmujat e një shpirti të sfilitur
Ta shoh zgjimin e atdheut
Me sy të liruar nga sklepat

05 Tetor 2019

1 Kommentar:

  1. Sot është dita më e lumtur e jetës sime, kam provuar të gjitha mjetet e mundshme për të mbetur shtatzënë për më shumë se 8 vjet pasi u martova me burrin tim të dashur, por asgjë nuk funksionoi për mua derisa takova një mike timen shumë të mirë që më drejtoi te Dr dawn acuna. , i shkrova Dr. dawn acuna në Whatsapp dhe i shpjegova situatën time, ajo më dha botët e saj dhe më premtoi të më ndihmonte, bëra gjithçka që më kërkoi, shkova në spital 4 javë pas magjisë dhe doktori tha që jam shtatzënë, kjo solli gëzim në shtëpinë time, më në fund kam fëmijën tim të bukur, tani jam plotësisht një grua e martuar e lumtur, e gjitha falë Dr dawn acuna, kontaktoni atë për çdo lloj zgjidhjeje,
    * Nëse dëshironi të mbeteni shtatzënë.
    * Nëse dëshironi të ndaloni abortin.
    * Nëse doni të ktheni të dashurin tuaj.
    * Nëse dëshironi të keni një shtëpi të lumtur.
    * Nëse dëshironi fat të mirë në çdo aspekt.
    * Nëse keni probleme me vaginën/penisin.
    Ajo do t'ju ndihmojë menjëherë.
    Email: dawnacuna314@gmail.com
    Whatsapp: +2348032246310

    AntwortenLöschen