Donnerstag, 25. April 2013

Ramadan Mehmeti: Tri proza poetike


SONTE

Sonte dua të jem i vetëm dhe unë. Ta jetoj së paku një natë në mënyrën time, të frymoj me shpirtin kozmologjik të gjysmëtrupit të gjallë. Më djegin sytë. Nga një dritare e vogël shikoj varre, gurë e gurë e gurë... dëgjoj erën tek bart një drizë mes tyre, mbi asgjë.
Sonte dua të jem krejt vetëm.
Ta jetoj fundin tim në mënyrë solemne.
Shikoj tutje nga dritarja varrin tim, mbi të cilin shkel kali i varreve, bajgos, kullot bar të verdhë.





QYTETI ME KOSTUM TË ZI

Qyteti ka veshur kostum të zi.
Qiellit shihet një korb. Fluturon në ëndërr të humbur. Fluturon në të kaluarën, ndërsa e kaluara buzëqesh në heshtje mortore.
Bie vals i zi... E atje, sheshit të vetmuar, hijes sime të humbur, përsëri vallëzon dashuria. Ti atëherë m’u afrove aty e më the: “Vetëm biografia duhet ruajtur të mos shpërbëhet!”
Ja, tashti ka filluar parakalimi.
Qyteti ka veshur kostum të zi. Mes për mes sheshit ecën kortezhi.





TINGUJT VAJTUES TË VIOLINËS

Sa herë pi kafenë e mëngjesit, shikohem në fundin e filxhanit, me udhët e kryqëzuara, të çuditshme, krejt mishmash... me relieve, brigje, lugina, me paralelizma, ku asgjë të bardhë nuk ka. Iki dhembjes, shpresës së humbur, ëndrrës e heshtjes, iki... e asnjë dritë nuk shihet në fund të tunelit.
Eci dhe e paguaj atë që e kërkoj... me gjak e paguaj, me copa mushkërish, me rrudha të thella në ballë. Eci dhe qaj fatin nën tingujt vajtues të violinës.
Eci, eci...
Qaj pa lot, ngaqë më lot nuk kam.
Faji pse nuk të arrij është te sytë e mi të lodhur.
Unë nuk e mohoj këtë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen