Montag, 22. April 2013

Enkelejda Kondi-Masseboeuf: Cikël poetik


Enkelejda Kondi-Masseboeuf

SIKUR TA DIJE…

Sikur ta dije që sot prita
Tek sa dëgjoja erën e çmëndur
Që luante me mendimet e mija
Sikur ta dije
Se në kufijtë e heshtjes
Kishte mbështetur kryet dashuria
Dhe kërkonte prehjen
Sikur ta dije…
Ishin prehje a magji ato minuta pritjeje?!




 MUNDOHEMI…

Në rrugën tjetër, larg meje
Aty ku merr frymë sedra jote
Janë ndërlikuar fijet e së vërtetës
Në hapësirat e tejskajshme pa ngjyra
Kemi humbur arsyen në këtë paradë enigmash. .
Mundohemi,
Dëshira s’na mungon
Por gati e pamundur rigjetja…
Ti si gjithnjë, mbete në rrugën tjetër.
 

 I HUAJI

Aty dhe këtu
Me dy tokë, pa tokë
Me dy atdhe, pa atdhe
Ndër kohëra ndër vite
Rend si i marrë
Dhe këmbët s’të zunë dhe. .
Dy qiej, pa qiell
Nata nga pas të ndjek
Dita tërthor zhduket pas teje
Por gjithë botën e ngroh një Diell
Aty i huaj, këtu i huaj
Zemrën nga malli përvëluar
Një jetë me fatin zemëruar
Aty dhe këtu. . .
 

 MË NDODH

Më ndodh ende të mendoj për ty
Në rrudhat e erës që mundohen t’u bëjnë hije pemëve
Në mimozat e Marsit që më kujtojnë ditëlindjen tonë
Në duart e buta të ditës tek ledhaton çastet që ikin
Në krahët e kryqëzuara të natës që gërricet me ankthin tim
Ja pra, asgjë s'ka mbaruar mes nesh
Ti mbetesh pallto hedhur supeve të gurta të kujtesës.
 

 MOS M’U LARGO

Pse kaq e vështirë qenka dhe sot
Nuk ka krenari në dashuri, aspak
Eja dhe puthmë me mall si më parë
Ndizmu vullkan ndjenjash në gjak.

Pse u dashka që të heshtim kësaj nate
Dhe errësirës t’i trembemi si sot
Eja përqafomë me heshtjen time
Eja dhe mblidhma dhe të kristaltin lot.

Sepse dashuria njeh si mëkat krenarinë
Zemra ndjen dhe falje dhe mërinë s’pranon
Eja, më nxirr nga plogështia e vjeshtës ku kam rënë
Fali shkëlqimin dashurisë ti Diell që mungon.
 

 POR TI. . .

I dyshuar si kjo vjeshtë sivjet
Kërkon rikthimin. . .
Heshte kaq kohë si pemët shurdhe gjatë ditës
U dogje në pëllëmbën e dimrit të tërbuar
Do të dëshiroja që ti të më kishe zgjatur dorën tënde
Më parë
Por ti kishe lidhur duart kryq portës së zemrës tënde
Dhe qeshje, teksa bota ime fundosej në lot dëshpërimi. .
 

 UNË

E ulur e vetme këtij bregu
Sodis barkat e vogla në muzgun
e buzëmbrëmjes. . .
Midis valëve të detit kërkojnë strehë
Si unë njëlloj!
I sodis nga larg e vetme
Dhe ndiej mall për ditët dhe vitet që humbin
Në vorbullën e jetës dhe kthim pas nuk ka
Unë s'jam prej këtu, por nga të tjera brigje
Jam nga pyjet ku derdhet ujë në kohëra të koklavitura
Jam guri që kërkon rrënjët e veta
Në vena më kullon gjak detesh të largët
Unë shoh aty larg, në këmbë, të ardhmen time
Oh, e ardhmja ime e pafajshme
Me limitet e gurta, pret
Shenjat e vjeshtës së brishtë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen