Donnerstag, 19. Dezember 2019

Hekuran Miraka: MËNGJES ME FLIRT PERËNDISH


Mengjes me flirt perendish

Matane dritares sime, atje siper.
Tomorri sa ka percjelle Dodonen.
Eshte ulur me syte ne rruge.
Dhe shkrep te ndeze cigaren e buzes.

Per kryesh i sillet tymi.
Mjegull duket nga poshte.
Fryn xhelozia e Devollit,
E ia zbulon syte.

Pertej, Verca eshte ne krehjen e mengjesit.
Ca me pas do te mburret si vajze mali.
Sulova, ne brinje, si e dashura e ligjshme.
Nxjerr gjuhen krejt e bardhe dhe perqesh.

Dodona eshte ne rruge.
Taboret e zotave ndajne thashetheme.
Nuk dua t'ua prish radhen e fjaleve.
Ndes cigaren dhe flas per femrat, pa Dodone.

Gramsh, dhjetor 2019

Mittwoch, 18. Dezember 2019

Abide Gashi: KUR E SHIKOJ HËNËN

Abide Gashi

KUR E SHIKOJ HËNËN

Sa mërzitem,

kur e shikoj hënen
Se hënen,
shumë ajo e ka dashtë,
Ajo shpesh,
më ngjanë me nënen
Se dritë shpirti i saj,
shumë ka pasë...

Mërzitem,

kur e ndjejë dhe diellin
Se i ngjanë asaj,
me ngrohtësinë,
Sytë e saj ngjanin,
fortë me qiellin
Dhe më dhuronin ,
shpirtit kthjelltësinë...

Yjet kur i numroj,

mërzitem për ty
Janë si dëshirat,
që m' kanë shoqëruar,
Kur i renditësha,
tek ty pa kufij
Dhe ti bëje çmos,
për t'mi plotsuar...

E tashmë,

që s'të kam ma o nënë
Nuk më shfaqet,
as një dëshirë,
Netëve,
kur të shikoj o hënë,
Them, kështu,
ishte nëna ime e mirë...

Mitrovicë, 18 dhjetor 2018

Robert Shkurti: E VRAMË QYTETIN

Robert Shkurti

E VRAMË QYTETIN

Po, po! E vramë qytetin të gjithë ne!
E vrava unë, e vrave ti, e vranë ata.
E vrau Kuvendi që në fillim,
me llumin e tij, që mban erë krim.
E vrava unë me largimin tim,
kur arratinë mora nga ai mjerim.
E vrave ti, o i ndershmi qytetar
nga frikë e cubit, që u bë pronar.
E vranë ata me ligje bastarde
me iluzionet e një jete fallse.
E vrau ndërtuesi i babëzitur,
që kurrë më parë një mur s'kish ngritur.
E vrave ti, i ashtuquajturi inxhinier,
që maskarenjve t'ju bëje nder.
E vrave dhe ti, o projektues,
që në ekstazë çove ca ligjzbatues.
E vrave ti, o i mjeri murator,
me mistrinë e llaçit ngecur në dorë.
E vramë qytetin me rrokaqiej,
bëmë garë me të lartat male Pirenej.
E vrave edhe ti, o njeri i malit,
që gjithë jetën ishe majë kalit,
kur zbrite me opinga në qytet,
tu duk vetja që u bëre mbret.
Aromë e jodit ty të dehu,
sepse deti s'kish erë plehu.
Ti nuk e dije se ç'është kjo jetë
ndaj ngule hunj në atë kënetë.
E vrave ti me heshtje, o arkeolog,
mijëra vite gropose nëntokë,
se ngrite zërin të lëshoje ulërima,
ndoshta grykën ta zunë me çikërrima.
E vrave më shumë ti, ore Bashkiak
me firmën tënde që kullon gjak.
Nën rrënoja degjen dhe nuk janë pak.
Klithmat e tyre kërkojnë veç hak.
Për katrahurën që s'vu ligj drejtësia,
shpirtplasur na “përkëdheli” Perëndia.
E katandisët keq atë mrekulli vend,
o të babëzitur, kur do të zini mend?!

Samstag, 7. Dezember 2019

Fadil Halimi: VARGJE PESIMISTE

Fadil Halimi

Vargje pesimiste

Ëndërr ke takuar dashurinë e parë
Zhgjëndërr ke kaluar lumin valë-valë

Hija e zgjatur e saj të përcjell 
Me hapa të rëndë plumbi
Bregut të harrimit e të pikëllimit

Në kornizat e jetës hesht e rri mbyllur 
sikur shikimi i turbullt
Në vesën e luleve të mëngjesit 

Në bebzat e syve të njomë
Zgjon stuhi hiri 
Për një fjalë vdes në shpirtin e saj

Ëndërr përqafon lulen e kujtimit
Zhgjëndërr pikturon detin e mllefosur

Dy poezi nga Syhejl Havolli

Syhejl Havolli

TË PUTHA ME SHIKIMIN

Natën e zbardha
Me kujtimet për ty
Derisa bota po zgjohej
Për t’i buzëqeshur Diellit
E për të falënderuar dritën
Që po sillte freskim mëngjesor

Të pashë
Pothuaj si një shegë
kuq-kuq
Me një gaz
Që më shumë të qëndronte
Mbi sytë dhe mbi buzët
E tua qershizë e pjekur

Unë të përshëndeta
Të putha me shikimin
Të përqafova me ofshamën
E po unë jetoj
Marr frymë

6 dhjetor 2019



E KUPTUAM

Se na kishin përjargur
kroin Tonë
Të kthjellët si loti
të freskët si Lumbardhi

Me jargët dhe djersët
e një shtrige të pistë

E kuptuam nga duhma
e rëndë që e mori dhenë

Se na i kishin tharë lulet Tona
Shumëngjyrëshe e aromëkëndëse

Me pluhurin e lakuriqve të natës
Kuptuam nga farmaku
që mbuloi kopshtin tonë

Se na kishin fikur zjarrin
në oxhakun Tonë
Të dashur, të ngrohët, bujar

Kuptuam nga puplat
e pendëlat e korbave të zi
Të lëna aty qëllimshëm
si gjurmë vdekjeje

Se na i kishin fikur qirinjt
Që i deshëm sa edhe tokën

E kuptuam
nga shandanet e përmbysur
Mu në vendin
e ritit të lutjeve Tona.

Mars 1981

Sahit F. Osmani: DUHET TË JESH

Sahit F. Osmani

DUHET TË JESH

Duhet të jesh vetë jeta
Që matet në peshoren e kohës
Me agime e muzgje të errëta
Rrugëve të spërdredhura të botës

Duhet të jesh vetë durimi
Që nyjë të mban lidhur shpresën
Ngulitur në çdo qelizë truri
Kur e keqja ta shpërlanë kujtesën

Duhet të jesh vetë zhvendosja
Në kohë dhe në hapësirë
Dhe të kesh krahë të rrufeshëm
Të çash terrin me rrezatim

Duhet të jesh vetë guximi
Dhe kur jeta të dridhet
Ahere kur në sy të ngrin loti
I vetmi i ëmbli dhe i hidhuri

Dhe krejt i vetëm nëse mbetesh
E shpirtin ta shkund bishë e egër
Gjymtyrë më gjymtyrë të ngjitesh
T'i kapësh kufijtë e universit...

Arif Mulliqi: POETI I AZDISUR

Arif Molliqi

POETI I AZDISUR

S'po di çka më të thanë
kam me ardhe m'u taku me ty
se n´kujtimet e mia ke hyrë si terri
kur ta pashë fytyrën me arna
pashë se sytë magjia e lakmisë ti kish marrë
duke u zhagitur nëpër orët e kotësisë
duke i thënë vetes: jam korfeu i poezisë

E ti gafil mos rri
se gujas kam me ardhur
ballin e ftohtë me ta puthë si meit
e dy fjalë me ti thanë
se malli me ka marrë
o çehregrysur
që i turfullon padronit me servilizëm
o poet i azdisur
“o vëlla, i jemi vëlla”

E kur të takohem
ti s' ke me besu
andërr ke më thanë, e andërr s' ka qillu,
nejse,
kot të pyes se tash e di kush je
marimangë e zezë që thuer rrjetin për mua
s´di,
rruga e mendjemadhësisë ku po të shpie
“o vëlla, i jemi vëlla”
mbetça pa ty:
kështu kurrë s´kam dashtë më të pa

__________
"O vëlla, i jemi vëlla", është vajtimi për Avdinë..

Freitag, 6. Dezember 2019

Fakete Rexha: DASHUNIA ËSHTË SËMUNDJE

Fakete Rexha

DASHUNIA ËSHTË SËMUNDJE

Asht Grua e harlisur. Here e butë,
herë egërsuar nga bukuria.
Natës vie tinëz, n'andrra t'futet
me premtimet e hijshme, shpresat
që t'rendin me nge trupit, nga ndjenjat
e ambla si flutura. Më të fshehtat fjalë
të dashunisë n'vesh t'i pëshpërit
deri para se me u zgjue gjumit.
Dashunia!
Kjo sëmundje Motrash.Vajzash.
Dashnoresh. Grash. Nanash.
Sëmundje e pashërueshme.
Bën të lumtun qindra mijëra njerëz.
Kurrë mos u shëroft!
As ilaç mos iu gjet!

Dienstag, 3. Dezember 2019

Sahit F. Osmani: JAM NDRYSHIMI

Sahit F. Osmani

JAM NDRYSHIMI...!

Jam ndryshimi që hyj në mendjet tuaja
Mjafton të zgjoheni e të jetoni me mua
Pa druajtje krah për krah me njeriun e mirë
Me dashuri në zemër drejt ardhmërisë

Jam ndryshimi rreth vetes kam mirësinë
Rrugë të reja do t'i hap njerëzores
Me dashuri e mirësi të përftojë dije
Të ngjitet lartësive pa pasaportën e kufijve

Jam ndryshimi paqësor pa krismën e tytës
Jeta ime ku është e vërteta
Në zemër do t'i ushqej kēngët e trimave
Në përmendoret shesheve

Jam me ndryshimin që ecën përpara e s'ndalet
Flakë do të ndizem që të arrij qëllimin
Në flakërimën e fundit të shkëndijës së gjakut
Bëhem urë dashurie të kalojnë të tjerët

Ton Zmali: BEHARI...

Ton Zmali

BEHARI ME LULE TE KRIMBUNA

Ky behar i luleve te krimbuna
Gjithe shemtim e neveri
Krejt vneret e dimnave te smure
Mi solli ne sy
Si korba te zi.
Neveri te reja
Acarat e thijme pa fund
Behari i luleve te krimbuna
Me shfaqet gjithkund...
Geni i krimbave njerzor
Kjo zezone e botes
Ne zemer fsheh perhere
Kuajte e Trojes....
Bryme, ehull, akull e bore
Vesh me kollare e papione
Maskat nuk kan fund
Behari i luleve te krimbuna
Arkivole sjell te une...
Viktima te pafajshme
Me hajna, droge, tritol e mina
Neverite e Itakes time
Behar i luleve te krimbuna

Sonntag, 1. Dezember 2019

Buqetë poetike nga Argjend Hasani

Argjend Hasani

TYMI I VOTRËS SË FIKUN

Sytë e tu plot mallëngjim
Qajnë mbi gjoksin tim
Derisa unë po kërkoja
Dallgët e lumit të tharë
Fletët e rëna
Nën borë.

Kujtova për një çast
Rrotat e nostalgjisë
Që kishin përshkruar
Rrugët me kalldërm
Që unë tani
Nuk po i njihja më.

Shtëpitë ishin kërrusur
Ishin veshur
Me petkun e harresës
Ashtu i trishtuar
U ktheva
Tek tymi i votrës së fikur
Jetën për ta rinuar.



ATË DITË...
(Nëntë vite të ndarjes tragjike nga jeta e nipit tim, humanistit dhe veprimtarit të dalluar, Hajredin Ilmi Zeqiri nga Cernica e Gjilanit.)

Atë ditë,
Edhe qielli ishte ngrysur,
Ishte mbytur i tëri në vaj,
Në heshtje pa pushim qante.

Atë ditë,
Fjollat e borës së ”zezë”,
Pasuan shiun e rebeluar,
Dhe ngrenë vellon e zisë.

Atë ditë,
Pikëllimi shihej kudo,
Në fytyrën e secilit,
Të njohurve dhe të panjohurve.

Atë ditë,
Ndjehej dhimbje,
Si asnjëherë më parë,
Në lumin e gjatë të njerëzve.

Ishe vigan,
Bujar e human,
Tokë e Alpeve tinëzare,
Ishe e pamëshirshme ndaj teje,
Në lulen e rinisë.



KËRSHËRI E PANGOPËSISË

Dikush në muzgun e vonë
Ngrysej kokë e bisht dinakërisht
Bridhte si një qen endacak
Zgjaste duart e pista
Në mozaikun e shenjtërisë.

Ai nuk ishte anonim
Kishte një ÇEKAN dhe një DRAPËR
Që rrëzonte murin e djersës sonë.

Ishte dikush që nuk lahej dot
Që edhe dijen, e kishte vënë në kurth
Pangopësinë e salutonte.



HELMI I SMIRËS

Gjarpëri më kishte
Mbërthyer
Me trupin e tij
Të gjatë
Më shtrëngonte
Shumë fort!

Keq më kishte
Kafshuar
Me helmin
E smirës.

Por unë
E kapërceva
Hijen time
Inatin e plasa
Si kokrrën
E kripës!



STINË KAMELEONËSH

Erë turpi
Erë gënjeshtre
Erë hajnie
Erë tradhtie
Erë kurvnie!

Lloj, lloj
Soj, soj
Të bardhë
Të zi
Me ngjyra
Pa ngjyra
Të lyer
Të përlyer
Stinë kameleonësh!



DUSHK PËR GOGËL

Nuk janë
Tre ditë
Tre javë
Tre muaj
Tre vjet!

Si dje
Si sot
Si vjet
Si sivjet
Çdo vjet!

Shitet dushk për gogël
Tanimë qe njëzet vjet!



ARGAT I DREQIT

Ti më flet
Për moral
E për njerëzi!

Ti më flet
Për respekt
E për burrni!

Ti më flet
Për heroizëm
E për trimni!

Ti më flet
Për besë
E për besnikëri!

Ti që deri dje
Pa fije turpi
Shquheshe
Për munafiki!

Ti që deri dje
Krekoseshe
Që i bëje argat dreqit
E sot më flet
Për atdhedashuri!

Më 15. 10. 2019




KOSOVË, KËSHTJELLË "BURRNIE"

Kur turpin
E hamë me bukë
Dhe e lajmë
Me një gotë raki.

Kur korinë
E ziejmë n'kazan
E për burrni
Se çajmë trapin.

Kur ne i bëjmë
E kthehemi vet
I ngjyejmë
I hamë rrenat
Që vet s'i njohim më.

Kosovë,
Kèshtjellë "Burrnie"
S'kisha dashtë
Kështu me t'pa
Eu po poshtë
Na ke ra!