Mittwoch, 27. März 2019

Sevëme Fetiqi: Koktel "poezie"

Sevëme Fetiqi

Koktel "poezie"

Ia shton pak vargje kuteliane
Pak çajupiane 
Pak fejsbukiane
Një dozë të mirë paftyrësie
Pak ndjenja të mbarsura
Dhe ia jap me pi 
Mbretit deledash
Në prag të ngordhjes
Ai ngritet me të fundit forcë
Të jep një lëvdatë
Ti e ngrit dorën
Jep votën tënde
Qe të bëhet prap mbret
Dhe vazhdon loja meskine 
Në karnevale maskash

Dienstag, 26. März 2019

Poezi nga Fadil Abazi

Fadil Abazi

KTHEHU NË PRANVERË

Një ninullë dashurie kam këndu për ty
Në livadhet ku era përkund lulet
E gjetheve të malit ju thashë një melodi
Ato luhateshin me valsin e erës pa kthim
Sikur dallëndyshet që shkojnë fluturim
Kur pranvera të vij prap në lëndinat e mia
E rishtas era lulet ti përkund 
Lejlekët e dallëndyshet të vijnë fluturim
Pritja ime mbaron me perëndimin e ditës
E hëna me shfaqet me pikëllim
Dua të pyes ku je ti sonte
Shtegto e kthehu në viset tona
Aty ku jeta rifillon çdo pranverë
Portat e zemrës sime hapur kan një derë



DORUNTINË

Dashurine e ndërtove nê pritje
Në fushëbetejat e jetës
Ëndrrën përkunde në djep kohe
Besove ne fjalën e premtuar
Si shtojzavalle arratisur fatit
Mbërthyer në kujtesë pluhuri
Erdhe me ëndrrën e pambaruar
Për të konstatu besën e Konstantinit
Doruntinë e përtej shtatë kodrave
E përtej shtatë lëndinave
Doruntinë e shtatë vllezërve 
e shtatë rrëfimeve
Kush të solli
Kush të priti
A s'na thua Doruntinë



KËRKOJ

Në syrin tënd blu
Vendose pikëllimin
Që loti mos ta fshi
Në kornizat e pasqyrës
Në imazhe të thyera
Vendose buzëqeshjen
E në fund të detit
Lumturinë mbyllur në guacë

Ra një shi
Ta fshiu pikëllimin nga syri
Buzëqeshja tu kthye
Në imazhet 
E pasqyrës së thyer
Unë horizonteve të detit
Guacën do ta kërkoj
Lumturinë për ta kthyer




TA VEMI NË ZJARR

Në sytë e tu
Shof zjarrin e dashurisë
Me valë deti 
Dua ta shuaj zjarmin time
Më thuaj pa droje
Atë që ndjen edhe nëse ma djeg 
Ëndrrën time të bardhë
Dhe horizonteve kur të vete
Prap zjarrin do ta shof
Bota nga zjarri u krijua
Pse mos ta vemi edhe ne 
në zjarr Dashurine tonë
O ta krijojmë pêrsëri 
O ta bëjme fli




FJALËT E PATHËNA

Kur ti shkreh flokët në dritare
E hëna të shikon me zili
Mua më shkepen ëndrrat
Se të kujtoj e të kam mëri

Ti thashë të gjitha haptas
Sikur fëmijes kur i flet nana
Ti mbyllur ike e heshtur
Me fjalêt e pathëna

Ndoshta mirë që heshte
Se fjala jote më ban magji
Një lot dhe dy fjalë tua
Prap zemra ime të kish marr ne gji

Jo fati po mendjatapë na ndau
Unë ofshaj e ti ngarend në kohë
Kërkojme kot atë që kemi humbur
Për këte skam mëdyshje asnjë trohë

Mos u ngazëlle se do shkelësh majë fati
Më injorove dhe ndjenjat mi shkele
Ti fjalërënd e unë fjalët me shije mjalti
Në testin e dashurisë kësaj radhe ngele

Sonntag, 17. März 2019

Poezi nga Minire Gërxhaliu

Minire Gërxhaliu

PYETE STUDIMËN

Qysh shtrat i mykun ku flinte një lum
bahet det prej lot njerëzish,
më së miri e di lumi i fshatit tim,
Qysh ai ujë merr ngjyrë trëndafili,
prej petaleve që furishëm, 
plotë përherë,
shkunden në të,
pyete, 
pyete lumin e fshatit tim, 
ai e di!
Qysh rrëqethet trishtimi
kur dorë nëne mbulon sy fëmije,
mos me pa farë bishe me surrat njeriu,
e di qiell i fshatit tim.
Qysh historitë e gjyshërve për armikun janë 
më të tmerrshme nga ç'na i rrëfyen,
të dëfton gojë e frymë së gjakut tim,
vetëm shko e shihe në Studime,
ku e la të fundit frymë.
Qielli e pa qysh gjëmat,rënkimet,...
morën atë ditë flatra
me mbërri në vesh të Zotit,
Por,...
Në shpinë
e gjoks ftohësi i përvëloi,
Po ëndrra,
ëndrra lehtë, 
lehtë si fluturat i palosi 
e i ngjiti me rrajë tokës së vet.
qysh pranvera qelë keq, 
pa njëqind e gjashtëmbëdhjetë lule, 
të tregon frymë e gjakut tim që mbijetoi.
Se dhembja e pafajësisë së vrarë kurrë s'shëron,
dëftojnë vragat e zemrës së fshatit tim,
që ende gjakojnë.
Nga ajo që veshët e malit, 
sytë e fushës 
kanë dëgjua
e kanë pa atë ditë,
lëkurë e tokës dhe sot rrëqethet
e për falje të gjakut,
s'do as me dëgjua



PRANVERA IME

Për ty, 
Shtatë herë në javë vetën e kam vra
e sa herë te bregu kam mbërri,
ku kam dashtë me kërcye,
ti pritën ma ke zënë.
Flatra më kanë mbi,
zvarrë kam fluturua,
me të mbajt ty, 
krahun tënd të djathtë,
me të shkundë ty deri në agim të mendjes, 
e me të marrë në gji të kthjellët, 
të shëndoshë,
në gji të shpresës time,
që ujë harrese çdo ditë ashtë duke pi.
Për ty po zvarritem në jetë në jetë,
ndër vaje e lemeri,
që pak vet e shohin e ndiejnë.
Edhe pse shtatë herë në javë vdes,
prapë kthehem,
mundohem në varr tu u mundu me të ngjallë , 
se ty mbas meje, s'mbetet kush me ë 'krehë,
teshat marrë me t’i kthye.
Për ty, 
o mishi im,
o gjaku im i brishtë,
që unë të kam prishë,
se me ty u mundova me i nxënë ëndrrat,
fantazitë e mia, që për ty i pata qëndisè.
Tu qeshë të vizatova,
e s'të pashë se duke dënesur .
se të desha ashtu, 
qysh kurrë s'kam me të pas.
Engjëjt e botës, me të mirat e veta
me mu në mëkat po hyjnë, 
në ta po lakmoi,
po veç me luajt me ta le të marrin
që unë mos ti mallkoj,
mëkat mos të bëjë !
E prapë javë e re ka me nisë, 
e njëjtë ka me u krye,
deri sa fryma në trupin ti të thatë
ka udhë me hy e me dalè,
me dalë e prapë me hy.
Ahhhhhh
njëjtë, njëjtë çdo ditë e jetës
meqë ti pranvera ime,
njëjtë e vogël po mbetesh!



VENDI NGA IKE

Po vi tek vendi
atë natë,
kryet ku të ka zënë,
sonte,
kryet tim me përplasë,
me ndie sa të ka dhembje,
dhembjen me ta marrë.
Me pa gjakun ku ke qitë,
bash në atë vend tëndin
temin gjak me ta ngjitë.
Zemra ku ta ka ndalë,
me të ndalë
e timen me ta falë,
se veç s' koti e bëjë,
prej që ty t’u ndal.
Plagën tënde me ta fshi 
në nishkun tim me shënua,
veç me ditë,
nga dhimbja zë a ke lëshua?
Këtu, 
këtu dua me qëllua
ahhh,
në këtë vend vetëm 
trishtimi me të kujtua!
Po vi sonte te vendi 
se trishtimi që pate këtu,
po plaket me mu,
e ende është tu më shkallmua.
Sonte me kanë me ty po dua,
dyve me na zënë dhembja ,
njëzëshëm me rënkua,
bashkë kur të jem rrëzua,
se vetëm kështu
ky ankth ka me më lëshua .



GLOBI I TYNE

E la hilja me kast me ra,
apo drithërimës së shpirtit
nga dora pahiri i rrëshqiti ,
ai globi i tyre i vogël,
herë qëndisur e herë e arnuar ,
si çejzi i çikës në dritë të llambës , 
tinëz nga bota ?!
Ra,
u zhduk,
hupi nën ortek bore!
Apo iku vet me kast,
vullnetshëm ndër vaj,
me mbulua fytyrën bardh,
më shumë zjarrminë time pa u pa?!
Iku,
se tymi doli,
e pa dikush për vrimën e çelësit ,
apo ai në odë të burrave duke u krenua tregoi?!,
Ndoshta iku,
me ngri udhën e ngrohtë ,
ndoshta prapë veten me sprovua?!
Sido që të jetë,
dinë me u gjind ai, krejt i ka provua
edhe ti!
veç ajo, 
ahhhh ajo!
s’ka si ti harroi,
si pijet,
si arnat,
herë ngjyem në mjaltë
e herë në pelin,
të gjithë i deshi njësoi.
Ty e globin kush mos daltë me ju vajtua,
ju vajton ajo,
veç ata kush,
kush ka me vajtua?

Ata i vajtojnë lule boret,
lule boret në ag të pranverës
me shami e vajtuan e i treguan,
i thanë: se e panë globin
në rrënjë të tokës djep ëndrrës ju kish bërë 
po e përkundte , 
gjumin e një ninulle 
e po priste deri atëherë 
dhe nëse jo bashkë,
njërin djep tëë me qitë me ra, 
me fjet pa vajtua.
Ai mbase jo, po do të jetë ajo!



UDHË FLUTURASH

Fluturat në bark të zanës së trishtë e të dehur,
lëshojnë vezë përsëri,
me përtëri pranverën,
qortojnë fiqirin
pse shaminë e bardhë,
të akullt lart ngritë e ka?!
Ai priste pranverën ngrohtë me agu,
me mund shaminë e shkruar me valëvitë,
të gjë me pa,
se udhën e nisur në krye se qiti,
ku mrizojnë zanatkrenare, 
u dorëzua,
nuk mundi me hy.
Me fluturat shtatzënë ju dashtë me u kthye,
po priste pranverën,
me shami të bardhë fluturat plaka me i tubua
e në luadh me i qitë, 
aty ku për herë të parë u hallakatën, 
lirshëm me i lëshua,
jetën me shpenzua
E shaminë e bardhë 
diku skajshëm me mbajt deri të rritet,
shall nëntë metrash të bahet,
qe krejt trupin me ja përthekua.
Durueshëm me i pritë votë me qelë në pranverë,
krimbat me i rritë, flutura të buta, të larme me i bërë, 
jo shtazë mish ngrënëse që ymrin ja hanë
e shpirtin zgorë ja bëjnë.
Tek atëherë me flutura gazmore,
udhën e vet të mjaltore,
me fillua me zënë.



RAÇAK

Raçak,
i vogli yt u bë burrë,
u bë i madh,
ai qe shpirtin vajit, në gropë të fytit ja nguffati,
gjyshit gajret me i dhanë,
dhimbje mos me i shtua,
kur pa të birin, ai babanë,
si mos më keq, pajetë gjënë e zgjati.
Shumë pa e ndjeu i vogli yt, Reçak,
po rrita s'ju ndal.
Reçak,
u rrit i vogli yt,
me dhimbjen kornizë varur në qepallë,
që çdo ditë ja fshinë mjegullën
që i bënë i lot, në kujtim e në mall,
tinës kush pa e pa,
çdo ditë qajnë gjithë të rënët bashkë me babanë.
Reçak,
U rrit, u bë burrë i vogli,
ndërtoi shtëpinë gurë mbi gurë.
dhimbjen që botën e zgjoi ,
çdo ditë shkon me taku,
e të ligës duke gërmua me i dëftua, 
se me harru s'ka kurrë,
pooo, për të gjithë, që më si ka,
vazhdon me jetua



Shënime për autorën

Minire (Shefqet) Gërxhaliu, lindi me 06.08.1971 në Vushtrri. Shkollën fillore dhe të mesme i ka kryer në Vushtrri dhe Fushë Kosovë. Kurse studimet për gjuhë dhe letërsi gjermane i vazhdoj ne Fakultetin Filologjik. ku edhe u diplomua. Ka botuar përmbledhjën me poezi me titull: "Pranvera ime".

Prej vitit 2004, jeton në Gjermani.
_____
Përzgjodhi: Adem Zaplluzha

Donnerstag, 14. März 2019

Buqetë poetike nga Demush Mehmeti

Demush Mehmeti

UNË HALLI JEM

Kur e mendoj se mundësh dhe të më mungosh
Melankolia shtonë peshë
Frymëzimi zbehet zbret në pentagram
Nostalgjia vallëzon në vallën e vet
Dashuria çan errësirën 
Ndriqon por si një yll drite në mesnatē

Pandalshëm eci tutje me peshën e times barrë
Luhatem në timin drejtpeshim
Thërmohem kurmit tënd

Në panteonin e altarim tim digjem dhe fort
I mbeturi hiri im s'do më tretet 
Shkrirë në tëndin shtat
Damarve tu notonë

Po mundi ndodhi tretja ime me vruallin hov
Çdo gjë s'do mbaroj
S'do shuhet flakë e dashuris drit jete
Të lëviz rrjedhë kthjeltësi lumi i shtratit tim



VETËM NË VARR

Netë të gjata dimri ishin si kjo natë 
Acari grinte si dhëmb ujku motak

Me rrëfime legjendash u ritëm
I joni zjarr i afsh rinie ngrohur na ka

Në për mendjet tona oaz freskie
Plot dashuri thurrëm ëndrrën tonë

Dhe ca ëndrra quajtur mëkat
Lindur në kërthizë jete
Rrëfim për vetëm në varr!



ME KËMISHË OZONI

Në ndarje stinësh sikur na shkruhet dhe lexohet fati 
Zymtësi e frymës së vjetër pshtjellonë
Në rrema rrezesh verbueshëm shëndritë e reja
Nën ortek akullnaje flenë gjallëria
Të shpërthej
Atë sy pranvere pret

Në trotuare kalldermi djalli thenë këmbët
Baltosjet lakuriqosen s'kan ku me u fshehë

Kahja rrugëtimit zgjatët mprehë tehun e saj
Ngulfatët ndërdia e jonë 
Ruhet për ditët që do na vinë
Prapanicës së vet e liga kruanë brirët 
Në vrimë bataku i thenë

Në grumbuj prush kohe digjet oksigjeni 
Flakët fikët në zjarrin e vet
E zeza tymnajë s'ka çka na bën 
Me këmishë ozoni u mbështjellëm dhe ne



UNË I PAGJUMI

Orëve të vona në pikë nate 
Kur s'kamë gjumë
As një fjalë goje ske me kënd me ndrru
Të gjithë flejnë 
Të pagjumët jo s''kanë kohë
Të merren me mua
Sy hapur rrinë 
Thurrin ëndrrën e vet
Ndoshta me ketë timen ëndërr 
Pikëpjekën diku!



MUNDEMI

Mundemi dim ti kujtojmë dhe dhimbjet 
Përuljet
Të panumërta janë
Kufi s'kanë 
Na takon dhe tē kerkosemi pak
Kemi tonën krenari
Bëmë historinë
Derdhëm djersë 
Gjak
Brumosëm tonin fat!...



NDOSHTA

Ndoshta dhe unë do iki një ditë e do shkoj
Do dal atje ku janë tu dalë
Ndoshta do ndahem
Nga ku kurrë s’kam dashtë s’dua me u nda

Ndoshta do iki nga ku më kanë lavdëruar
Lavdrimi vërbuar nuk më ka 
Kurrë nuk jam hidhruar
As i fyer nuk jamë ndier
Kur dhe pa të drejtë keq më kanë sharë

Ndoshta dhe kam gabuar 
Vetëm për një të mirën ditë më të bardhë
Pandalur ecēm me hapin tonë kokëfortë
U rritëm plot shpresë
Mbushur dashuri jemi mplakë
Tani vjen tuj u zbeh donë dhe me u vetëvra



MALLKIMI

Një e plasur zemër nëne rëndë mallkon
Ngjyrë fjale zjarr

Dhimbshëm
Me plot hidhërim
M’i marrësh t'ligat m’i marrësh

Gjuha tu thaftë në gojë 
Me gishta folsh

Të plasshin sytë n'ballë të plasshin
Dritë e ditë mos pafsh

Dhe më e vogla kafshatë të mbet në fyt
Mos paç bukë në sofër

Rrënja e fëlliqtë  mos tu shtoftë
Dalësh fare dalësh



ËSHTË MIRË

Të flasësh për dashurinë bën 
Është mirë
Dua 
E ndoshta s'di

Krejt si duan mundën ta quajn
Ta lavdrojnë sa mundën
Ta shajnë siç dinë

Mund të lutem ketë e di
E paçim përherë 
Kollare gushe stoli

Lule bimë shpirti
Banor zemre ngrohtësi

Flakë drite në gjerdek lumturie



KAH DO FRYEN

Në ndërrim stinësh ndrojtjet zënë vend
Në kryqëzim ere ndihesh trumcak
Në hovin fill i ri
Të rejën duke pritur të vijë 

Barrë e stinës së ikur rëndë rëndon
Me rrezët e saja ndriçuese
Dhe motin e lig

Rëndon brenga për stinën e re 
Vallë si do jetë

E ngritura erë vallë kah do fryn
Në shi furtune lagët shpresa
A do freskonë vesë e mëngjesit t'ri
Mos të na lëndohet e shejta dashuri!

Dienstag, 12. März 2019

Buqetë poetike nga Hasan Selimi

Hasan Selimi

PRES


Larg, larg sa s`shihet

U plak edhe kjo ditë.
Përvluar nga kujtimi
Harrova një gëzim,s`ka ardhur.
Tash sa ditë pres një fjalë.
Akoma në heshtjen tënde të largët.
Ngjitem në kujtimet e mia,
Marimangë e qosheve të shtëpisë.
S`gjëjë asgjë që flas me të për dikur.
Ti akoma sjell, s`ke një fjalë.
Nëse vjen apo vdek ke t`uj ardh.



MALLKOJ  ZANËN


O, moj zanë të vraft i madhi Zot.

Çdo vit flokun kreh me gishta, 
Flokun e gjatë sa krahu i pishës
nëpër gishta e për bira të gardhit
m`ke kqyr,
flokun tënd djeg.
Hinin në trojet e mia e ke gjuajt.
Sytë janë shue, dritë s`panë më.

Oh, moj zanë të djegtë rrufeja e borës.

Çdo vit pshty në arat e mia,
Flliqësi aty ke gjuajt.
Prej marazit, tokën m`bane gur.

Oj zanë tu shoft drita e trupit.

Gjithëherë më m`ke djeg prej trupit tënd, dritë.
Arat mi ke djeg pa korr, baçen pa pjek.
Gjithëherë jam rrit me frikën tënde.
Rrufen ma ke gjuajt tek ogiçi,
Kumonën shue, s`dëgjohet kaherë.

Zan ti kjofsh e zezë, drita e fildisht tu djegtë.

Për çdo njëmijëvjet djeg n`mue e qesh.
Mërzitem e veten ha dhëmbë e pa dhëmbë.
Ty të mallkoj e vetën e shaj gati gjithëqysh.
Harrnue jam me djegiet e tua.
Jam mbuluar mos më shikojnë askushi,
çka nuk duhet pa, prapë ti zan je mallkimi.

Oh zan ti u bafsh qyqe e rremit thatë.

Me shpendë të tjerë ti bajsh dashni.
Të raftë vlera deri në trumcak.
Unë të pafsha tuj qa.

Mbetesh në borë e në verë për ujë.

Drita për ty u baftë terr e ti qafsh.
Dragoj e kulshedra për ty u bafshin këngë.
Të pafsha të strukune prej këngës hutinit.

Pse oj zan më bane të mallkoj?

Nga cepi në cep të kam dasht
Hijeshin tënde e kam shëmbëllyer
Hjek kam edhe pushkë kam ba për ty
Tash po të shaj e mallkoj me e pa zemër

Hajde një ditë këtu në trojet e mia.

Hajde me mend tjera,
Mos më detyro të mallkoj,
Lidhu si dikur për mallet e mia dritë
Të kemi një bjeshkë edhe për Omerin,
Të këndojmë edhe ma shumë se tremijë vjet,
Ti të jesh filli e fundi i këngës sime.

Zanë u bafsh nuse në trojet e mia.

Bukuria jote dritë e baftë natën diell.
Këndofshin për ty yjet e zogjët e pranverës.
Ty të laftë ujtë e krojeve të mia.
Nuse kjofsh, orë në votrën time.
Qoftë xhelozi mallkimi im për ty.
Dashnia në ty Zanë u baftë flamur.



PUTHJA


Ngjit jam në luginat e ortegjeve.

Kërkoja diçka humb me kohë.
Puthje mora prej bjeshkës pa emër.
Dergj ajo prej moteve ngrirë.
Harruar unë e ti si puthet.
U tremb puthja, u tremba unë,
mali u lëkund, ortegjet u lëshuen.
Unë e puthja mbetem në t`ftohtë.
Puthja avull unë njësh me borë.



GJETHE PENTAGRAM


Më fletën e një dege luajta melodi.

Melodinë e krijova pa rregulla muzike.
Drodha këngë, vargje e valle.
Zogjtë më ndiqnin, tingujt bashkohen.
Fleta e grisur filloi të shterr.
Plasën timpanet, veshët
prej gjinkallës.
Zogjtë u tretën,
unë në bokrrinën e nxehtë.



PYLL I MOÇËM


I moçëm pylli, 

shetisja një ditë.
Ecja mes lisash të vjetër e të rinj, 
Gjethi i vjetër shtroi, 
Njomëzonte të riun.
Bukurinë e tij s`mund ta vizatoj,
qiell fare,
hija zotëron,
diell me rreze harlisur
s`duket, 
qetësi muzikore,
Teatër… 
violinë e zogjëve
ledhaton.
Unë ecja si në qilimat vajznore.
Më ndiqnin nga pas sinfonitë pyjore.
Violinë e zogut degë më degë.
Shpallte himnin tim.



MOS MË HARRO QË ISHA UNË


Turrem, ti s`shikon.

Unë i vetmuar digjem dhe s`pushoj.
Ngjarjet vijnë nga afër e larg.
Ngado që ngjitem ti mposht besimin.
Tani mbajte pësimin e beso.
Kot.
Tash s`të ndahem të shikoj.
S`të përkëdhel askushi si dora jote.
Dëgjo pra, 
unë jam aty  kur ti ke nevojë.



NDA JAM


Në shtëpinë time m`kanë n`da, 

Nuk kam ngel fare,
veçse frymë 
Pjesën ma të mirë,
shpirtin e morën
Luajnë me të si don, 
herë e përkëdhelin.
Herë mërziten me të por e mbajnë
Tash jam në rrugëtim fizik
Ndoshta do të lakmojnë edhe…
Fjalën më grabiten
Në bujari më ban bashkëpronar
Dashurinë se mbaj mend fare
E kanë vjedh një here e një kohë.
Pak hijeshi pata, ma transferuen,
Dikund aty e dikund këtu
Tash s`më ka mbet veçse
një lojë voglie  (fëmije), 
se kam tregu.
Përpiqem të pajtohem
Në  vetën time hiç.



U LODHA


Sytë e saj në harkore pushojnë

Jo një, dy gjysëm hanë.
Shikoj aty çdo ditë,
përpiqem për pak vemendje.
Turrem me vrap se mos harron njërin
Due ta marr,  n`xhep t`zemres ta mbaj.
Lodhem djersi dhe s`gjej çka kërkoj.
Avullon e prek, aromën dëgjoj në shpirt
Freski ka lënë, tash më kaplon gjumi
S`dëgjoj asgjë  derisa hana puth n`mue
Rrallë ndonjë zog rrugëhupë 
As kumon, as blegrim qingji
Qenka natë, qyshkur këtu
Ngatërroj rrugë n`derë të syshkruemes.
Piskam qensh, delet tremben
Dega e lisit më përplasi hanën n`sy.
U tremba s`ndalova
Dielli më thumboj egër
Mëngjes vonë,
n`vend të fillimit
Erdhi dada.
Bashkuem avujt.




MORT, APO FESTË


Të krisun na thonë

Punëtorë të vjetër, 
prej kah ka le dielli
Na quajnë të këtij, herë të atij
Dergjem ndër këto fjalë 
Mizat lëshohen herë prej një ane,
herë një anë tjetër.
Lodhshëm
Dëgjoj fjalën kuku
Qyqe s`është, as grue në vaj kobi
Është një që ndjell çdoherë kob
Mjaltin  s`ruan as për mikun e parë
Ngjallet trubullimi i lumit fjetun
Shikoj grepat e hanës mbledhun
Mendoj, kobi është stuhia a shiu
Derdhet për tokë pika lloçi
Kob, kob bërtasin njerëzia
Po vjen një tokë tjetër
Të bashkohet me këtë këtu
S`ka thanë zoti, luten të tjerë,
të tjerë mendojnë prapë, të tjerë luten.
Gurrat thahen edhe në dimër
Bari s`qesh si qeshte, më parë, 
në malin e bardhë.




TI MOS MË BRAKTIS

Dëgjova me vëmendje, Lekë Dukagjinin.
Mos më braktis, më tha si në vaj.
As nanën, as gruan, as motrën nuk i  kam dhunu.
Rri, si ka hije në kullën e ndërtueme prej babës tim.
Rri  dhe rrëfehu në kishën time, atje ku e di edhe ti.
Kërko llogari, si dikur motit, në tel të lahutës,
marrë në jelen e kalit bardhë.
Nuk jam si kanë thënë trim mbi trima, në male me fletë.
Kërkoj  mençurinë pa shpatë, pa heshtë, pa pushkë,pa plumba.
Ngjitu deri në kishë e mëshirë e pendim kërkoi asaj që ka mbet
Shenjën e lavdisë kërkoje, tek fjala besë, tek e fshehta.
Mos e rrëno kalanë e Spanve, atje, ku unë kam ecur s’pari.
Shih me kujdes se gjënë gjurmët e mia,
në ato troje, sokake me gurë.
Dorën time e gjenë në kishën e Toplanës hapë si krah shqipje.
Mos më braktis, se ke braktisë, krejt bëmet e tua, or nipi im.
Merr zemër nga fjala e pa thënë dhe kuptoje,
 se si duhet  thënë e dhënë…
Merr mall nga gurët e kalasë, që i kam përdorë një nga një.
Vendos si në folenë vezët e pulës në mendim përjetësinë.
Erdha nga ana e anës dhe kërkova qytetnim, që ta lë pas, për ty.
Shenova tërë jetën, të lë diçka, që ka hije, në rrasë të bjeshkës.
Kalova nga guri në gurë mos të lë gjurmë, për nga frika.
Të mos më gjejnë që të fshijnë ty, që vjen pas meje.
Në katundin tënd vendosa banesë pa ujë,
pa kripë, pa miell në magje.
Librin ta lashë shenue në kanalet e mendjes,
që ti t’i këndosh edhe në gjumë,
Hallit nuk i tregova, se kush jam, e kush do të më gëzojë.
Lavdruar jam edhe unë, kur i ri në pjekje e sipër.
Mejdan kam ba edhe për një vajzë të amël me sy yll.
Mos i thuaj kujt, se atëherë nuk ka patur kanun.
E unë shënova historinë ligjore në shpatë,
të shpëtoj ty dhe pas…
Ngjita majat dhe në vende të ulta, nuk më rrihej.
Dogja tirqit, xhamedan dhe opingat i vesha nga sprapthi.
Ika të lë lavdinë ty o mjeran, jetim që kërkon babë.
Të vendosa në provën e madhe, për rreptësi shkrimi.
Tash pesëqind vjet më thërrasin prijës.
Bile edhe përfolë më kanë, se nuk isha nga ata…
Ngjeshun pas librit me nene dhe detyrime. 
Lodhun jam tash pesëqind vjet, nga çdo lloj fryme.
Ndaj të thërras, mos më braktis, se është dami i të dyve.
Siç është dami i kalasë pa rojtar.
Siç është dami i kishës pa meshtar.
Ja kush je ti, o mjeran, nip tash pesëqind vjet.
Me punë e pa punë,
me librin fsheh në rrudhat e trunit.
Mjaft  ke bërë, ia dole, nuk duhet më.
Veç mos më braktis.

Sonntag, 10. März 2019

Poezi nga Bajram Muharremi

Bajram Muharremi

JETA

Nuk m’bashkove kurrë në gëzime,
Në dhembje  e hidhërime asnjherë,
Larg gjithmonë prej zemrës sime,
Për ty në jetë, vallë, çfarë ka vlerë?!!...

Kur të vdes, s’do të jem më në  jetë,
Ti do t’më sjellësh buqetë me lule,
Prania jote ç’kuptim do të ketë,
Kur isha gjallë kurrë s’u përkule?!

Po largohem në botën tjetër,
Shpirthyer, zemëganduar,
S’dua të hapë plagën e vjetër,
M’shterofshin sytë pa të shikuar!...

Kur të ndahem prej kësaj  jete 
Dhe t’ largohem nga kjo botë,
Krenarinë do marr me vete,
Ty do t’lë në vaj e lotë!...
   


URIME DITËLINDJA

Bir! Le te jetë kjo natë me hënë
Plot ndriçime.
Lëri yjet të vallëzojnë
Deri në agim
Për ditëlindjen tënde-
Nga babai prano urime.

Ti ,o Flori im!
Bir që rrezaton ar
Se je vetë thesare
E unë, babai yt
Për ty jam
Dhe gjithmonë do mbetem krenar.
O shtyllë e shtëpisë!
O botë e jona!
Për shumë mote Urime!
Qofsh gjithmonë
I mbushur me gëzime!
Edhe ti gjithmonë
Familjen kujtoje
Edhe farefisin nderoje.



MËSIME NGA NËNA

E di se me plumba në trup shkove
Vajza e djem me ty krenohen.

Shumë nga ti, oj Nënë, ne mësuam.
Kurrë armikut besë mos me i zanë.

Se këta janë gjakpirës për shqiptarë
Gjithmon me gjak prej tyre jemi larë.

Se tokën tonë na e kanë copëtuar,
Vendin e të parëve na e kanë robëruar, 

Kjo është tokë e Dardanisë
Nuk ka qenë kurrë truall i Serbisë.  




AROMA

Lulja ime,
Isha thellë në mendime,
Vetëm për ty mendoja,
Kurdo që të takoja.

Lulja ime,
Isha i lumtur e krenar,
Kur unë ta kam parë
Buzëqeshjen tënde të valë. 

Tani u takuam e u përqafuam.
Aromën tënde kur e shijoj,
Krejt Botën ti ma dhuron,
Edhe shpirtin ma pushon.
Nga dora më nuk të lëshoj,
Aromen tënde dua ta shijoj.

                                _  _  _  _  _

Shënime për autorin

Bajram Muharremi ka ardhur në jetë më 25 Gusht 1955 në fshatin Lumbardh (ish Bistricë), komuna e Albanikut (ish Leposaviq) - Kosovë.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në  Vushtrri, kurse  shkollën e lartë pedagogjike në Prishtinë. Është absolvent i fakultetit juridik. 
Nga viti 1992, letrari Bajram Muharremi jeton në Suedi. Ai është njëri ndër bashkëthemelusit e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi Xl Albani”, Suedi, anëtar i Kryesisë dhe nënkrytar i saj.

Veprat:

  • "Gjurmë Atdhetarie”, publicistike, 2015
  • “Vullkan i Fjetur”, poezi, 2016
  • “Vullkan i shpërthithur”, 2018