Samstag, 28. September 2019

Dan Kosumi: KËNGA E PAMBARUEME

Dan Kosumi

KËNGA E PAMBARUEME

Une biri i kēsaj toke të nëmur
I babë Shukrisë e nanē Bisë
Krahlidhur me ty loke dardane
E qyqen mbi kryqin e Justinianes
Bri Ulpianës së lavdishme
Dergjur nën rrasat e gurëve të mermertë
Pa gjëmë dhe vaje për kobe epokash
Kuvendoj me orët e bardha dhe zanat e kreshnikëve
Duke tjerrë penin e bishtit të kalit në Trojë
Lidhur prej barkut deri n’brina të dhisë!

Shtatë palë qiej e shtatë palë tokë
Bërë gojë e vesh prej zanit të lahutarit 
Dhe ahmës gurgule në prehër
Ndjenë harmoninë melodisë si në përrallë
E harku farfurit mbi drurin e thatë të frashërit të zi
Kur edhe zanat me nanëzezën oiiii
Ju thërrasin trimnive të zëna rob në kangët epike!

E zërat nga shtatë pash nën dhé thërrasin e plasin:
- Qou he burrë e ngjitu deri n’kullen e gjysëmrrënueme
Merri në duar ato veshje të balsamueme me gjakun e Ademit, 
Hamzes dhe të gjithë atij fisi të Jasharëve
Ma gjej edhe një burrë që do ju bijnë taman për trupi
E që s’e tremb erë e that e gjakut
As duhmë e barotit të shkrepun
Ma gjej një së paku aman - një për farë
Që këngën ta bëjë këngë - elegjinë ta ngjallë !

E nëse përveç trimërive të bronxta  
S'ke më kë ta bësh një dert si n'kohë t'lavdisë
Ngjitju Bjeshkës së Qyqavicës
Dhe thirr me sa zë që ke:
- Heeeeuuu priteee priteeee Azem Galicën
E nëse as ai nuk të përgjigjet
Zgjidhe një trung t’bam korb të zi prej rrufesë
Vishja atij teshat e trimnisë bre
Qitja n'krah maliherin
Lidhja brezit rrethatoren me fishek
E n’shokë vendosja nagantin me mulli ...
E pastaj... Pastaj qëndro kryelartë përball tij 
Dhe fshija sytë e verbuem prej lotit të nënave
E vajit të zanave oiii oiii oiii


Euuuu mjeri u’ i mjeriiiiii...
Që s’ma hjek mallin e Hamzës e të Ademit
As nuk më ngjanë me Zahirin
As me Fehmiun e Xhevën
As me Adrianin e Tahir Tropojën
E as me Katanën...

Ia shtrëngova dëndënes fijet prej bojëkáne
Derisa i bana tela që të jehojnë si zë njeriu
Dhe nisa përvajshëm duke i thirrë një për një 
Ademin, Zahirin, Bekimin, Agimin, Shkëlzenin ...
Për t'ju lutur e lutur atyre që të më falin
Pasi nuk gjeta ndonjë mashkull 
Që din me ecë drejt udhës së tyne të nisur
Për t’mos i lënë kund vend tradhtisë...

Medet o medet...
Edhe kënga mbet e pambarueme
Edhe kënga më mbet shkret !

Donnerstag, 26. September 2019

Isa Maloku: MORFOLOGJIA E NJË FUSHATE

Isa Maloku

MORFOLOGJIA E NJË FUSHATE 

Sot janë zgjedhjet e pëllumbave shtegtar 
Ata tek unë nuk kam fole 
Të gjithë me ngjyra të vrazhda 
Duke marrë nga një fije kashtë 
Me sqepin e tyre grabitqar 
Gurë të pavlerë 
Të parëndësishëm 
Të hedhur nga sqepi i pulave 
Artistëve të huaj 
Që as edhe një libër të vetme 
Nuk e kishin lexuar 
Për historinë kombëtare të popullit tim 

Atyre filluan të ju pëlqejnë këto piktura të bëra 
Në hyrjet e shtëpive 
Pa leje të askujt, matrapazë 
Aty vendosen t’i bindin 
Bujqit tregtarët e agallarët 
Për merita të jashtëzakonshme

Tregtarët menjëherë pas fushatës 
Në emër të zogjve shtegtarë 
Vendosen ta shesin Dardaninë 
Tokat e bjeshkët e Rugovës 
Ata u plakën para kohe në rini 
Duke mos ditur sa pasuri kanë 
Djemve të tyre 
Vendosen të ua lanë amanet 
Shitjen e Veriut të Mitrovicës 

Sot erdhi dita e zgjedhjeve 
Merita kishin ata 
Që luajtën me gurët e kufirit 
Atyre të tjerëve që ngulen këmbë 
"Tradhtar" u thanë 

Motoja e tyre “Bac u kry” 
Disa vdiqën nga viagrat 
Dashnoret duke i ndërruar nëpër hotele 
I shpallen hero të paqes dhe demokracisë 

Zot juve ju verbofshin sytë 
Si ju besuat tregtarëve dhe tugjarëve të atdheut 
Ende kundërmon erë barotit 
Kullës se djegur të Oso Kukës me 40 xhandarë 
Prapë fillon morfologjia e një fushate 
Ne jemi më të mirët 
Do ta luftojmë korrupsionin

Qielli çdo ditë qanë për faqen e këtij dheu 
Ju me dorën tuaj mos e mbillni ferrin 
Kosova tokë e mbjell me varre 
Nga dëshmorët fëmijët tuaj mos i detyroni 
Ta braktisin vendlindjen e atdheun 
As mos të janë të huaj në tokën mëmë... 

Ajet Shala: DO TË VIJË...

Ajet Shala

DO TË VIJË...

Do të vijë një ditë vetëtimthi
Si kalorës i vonuar legjendash
E befas do të trokas - ashtu si dikur
Në portën e zemrës sate zhuritur

Pastaj
Krejt si një i çmendur
Do të futem rrëmbimthi
Thellë e më thellë
Në kraterin e shpirtit tënd
Qe të digjem e shkrihem
Shkrumb e hi të bëhem moj
Veç të më mbulosh edhe një herë
Me flokët tua të shprishura ujëvarë

26. 09. 2019

Montag, 23. September 2019

Muhamet Luma: KODOSHËT

Muhamet Luma

KODOSHET

Turpit ia zhbën varrin
që ta mbaninin në gji,
duke e përkëdhelur
si një lëneshë të përdalë.

Me rroba blu veshur
shanë të madhin Zot,
dhe në shpirt mbollën
farën e djallit të kuq.

Duke iu zgërdhirë hënës
ata nisën të bëjnë jetë qenqe,
dhe për të dëshmuar potencën
shkërdhenin përnatë njëri-tjetrin!

Dienstag, 10. September 2019

Buqetë poetike nga Liri Bimi

Liri Bimi

KUR SYTË SHPOJNË QIELLIN

Dy sy udhëve vështrojnë qiellin 
Dhe pikat e shiut që bien mbi pullaz të shpirtit 

Shpirti im dridhet si erë mbi det. 
E une...
Kam hapur portën e dashurisë 
Dhe pres të futëm në betejë!

Koha po ikën me vrap marramendës. 
Unë rri të ky prag i pritjes 
Dhe këndoj 
Këndoj e këndoj
Këngën e bukur të dashurisë

Dy sy qiellin shpojnë.



LEXOJE ZEMRËN TIME

S'kam fjalë veç dhimbje stinësh
Strumbullar ulur mbi sytë e mi 
Të lutem...

Lexoje zemrën time sonte 
Është vjeshtë me shi e erë 
Kujtoj një ditë me diell 
Kur udhët për mua ishin pranverë 
Tani...?
Në vetmi jam mbyllur 
Si natë e zbrazur mbi shkronja flas
Por malli që më plandos 
S'më jep zë të bertas 

Të lutem...
Lexoje zemrën time
I ngjan një baloni në qiell!



AH... KJO DASHURI 

Parfumin mbi auroren tende shijoj sonte
Në dhomë gjysmë hëna me fton në dashuri
Zjarr i puthjeve tua treten shpirtit pafundësish...!

Fryma jote e ngrohtë, me kënaq ndjesitë
Në ekzistencën time të brishtë je ti 
Më bën të dridhem si gjethe n’hapësirë qielli
Mes erës së pamëshirshme pshertij gërthas
Derisa mos mund të marr frymë buzësh etur...!

Mbytur në gjuhën si majlti ëmbëlsi shijesh malli
Lëshohem e dehur në krahërorin tënd

Ah kjo dashuri...
Shkrihem  e humb në Ty o shpirt…!



SHPËRTHEJ

Si vullkani në shpërthim,
emrin tënd kërkoj horizonteve.
Ç'emocione të pashkruara...

Një fillim kënge pafund.

Ç'provova
një herë e një stinë
që s'e shkruan dot
asnjë varg poeti .
Ku shkuan përshëndetjet e tua...?
Zërin nuk ta dëgjoj,
as fjalët e tua të ngrohta,

Nuk e ndjej më shtërngimin e duarve.
Puthjet në gushë e buzë, ka kohe që nuk i marr.
Sa shumë premtime, sa shumë pritje....

Tani...
Ka kush më bën shoqëri.
Cigarja në buzët e mia, pirë në vetmi.



HAPE DRITAREN

Hape dritaren priti puthjet si rrezet e dielli 
Le ta ngrohi fytyrën tende si nur bukurie 
Pastaj...
Le të tretem si dy zogj në dashuri
Deri sa edhe  qielli të mbushët me aromë puthjesh!

Hapur kam dritarën e shpirti puthjet i ndjej
Me gjuhën tënde të ëmbël t’i shijoj etshëm

Eja sonte në krahëror si drita e hënës n’dritare
Të mbytemi në perqafime zjarri 
E si eshka le te digjemi
Eja me puthje të ëmbëla mbulom...!



PRES

Minutin, orën
ditën, vitin...
Një jetë të tërë po të pres.

Dhe kjo pritje ështe e zjarrtë..
është oqean... është qiell...
është diell
në të cilen një ditë do të shkrihemi!

25.08.2019



DREJT TEJE JAM NISUR…

Nisem drejtë teje rrugicës rrethuar me plepa
me peshën e mallit, që më shoqëron në çdo hap
shdërruar në  buqetë fjalësh gjithë dashuri.

Me prit aty ku takohemi përherë, 
aty ku bashkohen rrugët 
të ecim bashkë ngadalë  e ngadalë 
shtërnguar dorë për dore, si dikur fëmijë…

Zë e flas me zë të  lehtë,  
e zërit tim i bashkohen cicërimat e zogjve
Fjalet e mia janë janë fjalë me ngjyra ylberi
me aromën e luleve të të blertave livadhe.

Këto mbajnë me vete freskinë e Valbonës
mallin për kalanë e bukur të  Rozafes,
me gurgullimën e ëmbël të lumit Drin, të Kirit e të  Bunës,
malli i rrugicave, ku luaja femijë,
për Nënën e Babanë që nuk janë më. 
Malli  në  to ështe shumë më i madh
ndaj drejt teje, sot  jam nisur...

Buqetë poetike nga Rudina Muharremi Beja

Rudina Muharremi Beja


NË VETËVETE

Qiej..., shpalosen përpara meje
Gjithfarë ngjyrash...
Më të mirë, më të fort, më të zgjuar,
premtojnë të më bëjnë!
Qëndisur me vyrtyte hyjnash

Kurrgjë nuk gjeta jashtë vetes time
Gjithçka prej vitesh, aty kishte fjetur
Ndonjë ninullë, në gjumë e kishte vënë
E zgjoi një puhizë, të zellshme e të etur

4/09/2019



TË KAM FALUR

Të kam falur,
Ndonëse zhurmë,
shurdhuese zhurmë,
Bën fjala jote,
Asgjë s’thotë...

Falur të kam,
Që ditën, kur humba respektin,
Me gërvishtjet e pabesa,
Mësova të rroj, të mos lotoj.
Mbi to të eci,
As këmbët, më s’i shpoj.

Të kam falur,
Arën e paqes përditë lëvroj.
Parmendën e kam të mëndafshtë,
Urrejtjen s’ma mban gjoksi.

Provoje, në s’më beson...
Nuk është vonë...!



SEKRETI

Një grua, nuk ka moshë të caktuar,
kur lulëzon...
As me fustanët gjith tantella...
Që më shumë zhveshin se sa veshin...
Kjo, s’përkon !

As diamantë, e parfumë ndjellës...
maska...,bojë, përmbi bojë...
Taka t’nalta që qiellin cekin ...
Duar, që s’mbajnë dot,të gjatë thonj...

Nën lëkurë të saj, qëndron sekreti
Të bukurës fjalë, që vë në gojë...
Shikimit t’ëmbël,
kur heshtur, di t’dëgjojë

Ku merimangë e kapilareve ,
gjakun që vlon, përçon...
N’dëshira t’heshtura...
syçela ëndrra...
krahëve të hënës, në net t’pagjuma...aty,
Aty...,sekreti i rrezes së saj, qëndron!

7/09/2019



Dhurata që s’blihet

Sonte
Njëzet e katër orë të reja fringo,
Dhuratë i ke prej të madhit Zot.
Malet me para njërën prej tyre,s’do ta blinin dot
Përgjigja, dorës shtrirë,
letrës pavlerë ngrirë, do të qe:
“Zoti ju dhashtë”!

Ti marrim, mirë ti përdorim!
Pa shpërdorim, në mllefe të kota e punë horrash
Panairë, korbash e sorrash!
Mbrapsh nuk kthehen!

Veç në dashuri,brënda do të mbartnin ...
Dashuri pa hile...
Paraja e gjithë botës, do të vdesë zilie
Ora do të zgjatej tek ngrohim një zemër plaku apo fëmije ,
që shuhet vetmie,
Epur në pritje të fatit kurrnac
Për ca thërrime dashurie...

10/09/2019



Sfidë me diellin

Diellit i tha
Para se sonte valën ta puthësh,
tek zjarrit të perëndimit kridhesh
Sytë e saj ke për t’i ndeshur.

Doli.
Shpresën kishte veshur

Askund se gjeti!

Në djerrinën përtej
gurë e argjilë, Mblodhi me thonj
Fytyrën e saj, të lumet buzë,
Syrin e njelmët me argjil të shpirtit punoi...
U ngjall...
Buza shpuzë
brenda tij frymoi!

10/09/2019




Në teh

Natën, gjithë natën fjeta
Me tehun e shpatës nën brinjë...
Heshtja e natës,
E fjalës, e hënës,
Sytë e qiellit,
Frikë më bënin...

Nën brinjë,
Tehu i mprehtë mbështetur,
Nuk më lëndonte,
Afër zemrës së fjetur.

Në mëngjes dielli i shkujdesur
S’m’u duk i etur
Ta puthë syrin tim...
As zemra,
S’m’u duk e frikur,
Me teh të shpatës,
Pranë fjetur!

9/09/2019




Mesazh “pa kaptinë”

Më shkroi nëna sonte:
“Bijë, je mirë?!
Mos humb!
Mos bëj siç bëra unë,me time më...!
Pendimi në zemër, që atëherë ka mbirë...

Më merr!
Të dëgjoj dua, përditë, më flit me gojë...
S’dihet? Gjallë a më gjen? A vjen?
Të puth, në gji fort të shtrëngoj...

Ruhu bijë! Makthi i pendimit, s’fal, të gjithë i gjen...

Eja!
Apo..., një poezi do më shkruash?
Unë,nuk do mundem më ta lexoj ...
Me videotelefonatë, nga larg do më vajtosh?!
Fytyrën s’do më prekësh? As flokë të më lëmosh?
Eja bijë, erën tënde dua prap ta ndjej,
ta mbaj me vete... gjithandej!”

Trysnia mbytëse e ajrit përreth,
ma zuri frymën...
Ashtë e fajtorsisë, kurmin përshkoi, si shtiza hellin...
Mesazhi,“pa kry”, veç tekst, që mora sonte...
Fjalët e të cilit, vazhdojnë brënda të çjerrin...

5/09/2019



Pa fjalë

E humba fjalën...
Unë që fjalën fort e du...
Zëri mu shu...

As pena rrëfimtare,
s’shkroi...
Qënia ime, u ngurtësu

Kurajoja e pashoq e tëndes...
Që qiellin, gërrvishti
Më la pa fjalë...

E vetmja, që gjatë mbeti në memorien time:
Shëmtia, e buzëve të tua...

4/09/2019



Avash...,dheun!

Dheun, shkile me ngadalë, o njeri !
Thëmbrrën që shkel,trëndelina,
Majë e gishtave,
kur milingonën barrërëndë...
gjallë varros, në dhè të zi...

Kujdes me tokën o njeri!
S’është piedestal,
e as e jotja pronësi
Është banesa, ku gjatë do flemë unë edhe ti!

Ajo tren mban,autobuzë e karavan,
Por peshë e lotit të pafajshëm,
Në mes e çan!

Avash dheun! O njeri!
Hapin hidhe më të matur,
Hiq këpucën mëkatare,
Që ble ke me pare shumë...
Tokën, shkil me dhimshuri!

Ndjeja dhimbjen, atij loti,
shkak, ecja n’pakujdesi...
Tek gjëmon sa trembet Zoti ...
Faqen lag, buzën që dridhet,
e struket n’gji!

2/09/2019



Mëshiromë me dashuri

Lutem në Zot,
Atij që frymën më fali,
ka ca mot!
Meshiromë...!
Lëromë nga prangat e kësaj jete,
që n’padrejtësi, cdo ditë më ndjell...

Një botë e çmëndur, të sjell zvarrë...
Ku askush s’doli, veç se i vrarë
Dhe prap s’kuptojmë...
Vrapojmë...,
pa ndalur kurrë, t’falenderojmë...

Më fal, O Zot!
Për egon, që s’e ngopim dot...
Për pleq e t’mjerë, që anës rrugës, kallen n’lot!
Për fëmij jetimë, që një dorë t’ngrohtë, kurrë s’e kan rrok
Tek unë, perleshem me sfidë të rradhës, e qahem kot!
Me fal, O Zot!

Thellë m’ka kaplu pendimi im!
Asgjë nuk marrim nga kjo botë...
Mëshirë kërkoj...
Bëje të drejtë rrugtimin tim!
Mëshiromë me dashuri, Zoti im!

31/08/2019



Fundstinë...

Vera mbaroi...
Rrëmova në raft të kujtimeve, sot
Të vjetrat ti hedh...
Sic rrobat ndërrojmë, fundstinëve, ngamot...
Jeta përpara sysh, si film më erdh...

Kishte këmisha varë, plagët tharë, zemrën vrarë
Fustan të bardhë, shenjë e një
dasme, la me lot
Të tjerë fustanë, trishtimin,ly, kishin me bojë
Asgjë nuk hodha, të gjitha...,kishin gojë...

Prap rrëmova...
Të gjeja ku vallë të jesh?
Harrova! N’lëkurë ty të mbaja, vesh!

31/08/2019



I huaj...

Ti vjen nga tokë me besë
Ku derë e tjetrit edhe jotja, kishin të njëjtën rezë...
Ku burri betohej, per qiell e dhè
Ku varri i atit, besnik të pret atje!

Mbas rruge t’gjatë,pa fre, pa kry,
zemrën, djegur flakë...
Rrënjë ke zënë, aty!

Aty, ku gjithmonë je i huj..
ku puna jota, s’ka t’njëjtën bujë
Atdheun, ku t’a gjujnë me gur
Padronë, që nuk ngihen kurrë...

...Dhe ditën mezor pret të vijë
Të ikësh nga e gjithë kjo vujë...
T’braktisësh gjith ç’sheh me sy
Të shkosh “ATJE”,
“ATJE” ku prap ...,“I HUJ” je!

29/08/2019



Shtegëtim!

Shkoi...,
edhe e fundit dallëndyshe,në mërgim ...
Shtegëtoi!
Atje ku buka lyhet me trishtim...

Fluturoi!
Në vise tjera ku dimri, as vera
s’jan njësoj...
Ku hëna shkëlqimtare, as dielli vezullues...
S’të flet me gojë!

Atje ku nën lëkurë,
varrosur kemi nostalgjinë
Mbi të, me penelata të guximshme, lyer alegrinë...

28/08/2019



Treni i fjalëve

Britma e trenit, natës së errët,
dhunshëm gjëmoi
Rrugët e botës, zhgarraviti,
me të ziun tym
As fishkëllimë e frenave, asgjë, nuk e ndaloi...
Të asfaltojë ndër shina, të lodhurin, kurmin tim...!

Impakt drithërues, që çorri, qiell e dhè...
Gjëmoi, përpushur, mbuluar në lot e gjak
Copëzat e thyra, pulsun, e më pas morën jetë...
U mblodh cik e thërrime,të shkojë, e të marrë hak!

Por nga thelb i shpirtit, prej hidhërimit, krisur...
Kurajshëm, vyrtytshëm,mbiu,
i dashurisë mal
Treni me shumë vagonë, që trupin e epur, përshkoi...
S’mbarte , njerëz as mall, fjalë mbarte, ...fjalë!

27/08/2019




Refreni

-“Ika!”
“Erdha”, kuptonte
-“Shko!”
“Eja”, dëgjonte

Refren i dehur!
Loz në ndjellësin, pentagram të shpirtit,
fijet tendosur, mban.

Lavjerrësi i orës,
kohën shënon,
Këtë here, pa ding-dong...
Veç, “Ika-Shko”
caqet e fjalëve...,gong...

27/08/2019