Mittwoch, 24. April 2013

Agim Metbala: SHTATË POEZI

 
SIMBIOZA E PANDASHME

Kur unë bëhem ditë -
Ti je dielli im
Kur unë bëhem natë -
Ti je hëna ime
Kur unë bëhem fushë -
Ti peisazh i magjepsur
Kur unë bëhem shtat -
Ti je frymëmarrja ime
................................
Simbioza ime e pandashme...

10.09.2012
 
 
 
 
KËNGË E GJALLË

Nga frika
Çdogjë kishte vdekur
Me ankth priteshin trokitjet
Dyerve nga të paftuarit...
Dita ishte e gjatë sa një shekull
Ndërsa nata dot nuk gëlltitej
Derisa malet tona nuk hijeshuan
(oh, sa ishin të bukura malet tona atëbotë)...
Pastaj nga malet
Vrullin e ndrydhur ndër mote
Me guximin e legjendave
Me këngë poema të pashkruar
Zbritën qyteteve dhe katundeve
Duke e mundur frikën për vdekje
Deri në largim të përjetshëm...

1998




MOS I MBYLLNI SHTIGJET

Mos e mbyllni, hapeni shtegun
Do të shihni se sa shtegtarë ka
Që do t’i krijojnë shtigjet e reja
Për t’i lënë n’harresë labirintet e trishtimit...
Mos e mbyllni, hapeni portën
Do të hapen pastaj të gjitha dyert
Frikën do ta mund guximi
Guximi do t’i mbushë sheshet me gëzime
Dhe frikën t’ia lëmë peng historisë...
Mos e mbyllni, hapeni zemrën
Pastaj do të hapen të gjitha zemrat
Zemra ka shumë sirtarë
Dhe në ballë të fëmijës
Do të lind ardhmëria...





TE SHKËMBI I KAVAJËS

Marrë frymë ngadalë për të mos e trazuar imagjinatën
Historia shpalos kujtimet nga libri faqe për faqe
Të ruajtura ndër shekuj me xhelozi
Refreni përsëritet: “Ke Shkëmbi i Kavajës”...
E mbi Shkëmbin e Kavajës
E shtrinë në shuplakë Durrësin me gjithë horizont
Puhia t’i krehë flokët...
Papritmas diafragma çrregullohet
Syri pa dashje kap bunkerët
Të renditur në mënyrë gjeometrike
Arsyeja humb drejtpeshimin...
Rrezja e shpresës mund ankthin për vdekje
Rrokaqiej dhe pallatet buzë plazhit
Prekin qiellin e ardhmërisë
Rërës së plazhit dëgjohen dialektet
Nga të gjitha viset
Pëshpëris zëshëm: ani pse u zbardha
Në Durrës i pashë të gjitha ëndërrat e mija nëpër vite..





FYTYRAT

Ka shumë fytyra
Që pa kusht shpalosin shpirtin
Gjatë jetës
Kam parë fytyrë dhelpre
Mënjanë kinse me përkëdhelje nën sqetull
E në anën tjetër duke lëpirë me gjuhë të keqen...
Kam parë ftyra ujqërish
Duke shqyer gëzimet pa pikë mëshire
Në krijim të dhimbjes pa ndjenja...
Kam parë fytyrëdielli
Që shndriste si ar...
Kam parë fytyra engjëjsh
Duke shkepur dashurinë me njomësi
E buzëqeshjet me grushta...
Kot shpenzohet energjia
Shpirtit dhe fytyrës
S’mundet kush t’i bishtëroj...





JETA NUK KA FUQI
RETROAKTIVE

I njoh mirë, janë të farës sime
Me trup amorf
Që pardje marramendshëm vrapuan
Pas dinarit të Topçiderit
Duke shkelur mbi fjalën
Dhe ironizuar të 36 shkronjae...
Ata nga trupi amorf
Në piadestalin e metabolizmit
U shndërruan në zvarranikë
Duke gëllttur vullnetin pa mëshirë
Për të zënë letrën pa vlerë me shenjën DM...
Sot kaluan mbi shtatë bjeshkë
Në vrapim dehës pas Euros
U shndërruan në rreptila
Për të harruar gjenezën e vet...
Jeta nuk ka fuqi retroaktive
Një ditë do të cofin rreptilat
Ndërsa me eshtrat e tyre
Do të habiten brezat që do të lindin...





KOHË QIRINJSH

Në Kosovë
Motet ndërrohen
Nën ritmikë gjeneratorësh
Ftohtë,akull,akullnajë
Në shpirt të secilit
Mbin nga një ajsberg ...
Në Kosovë
Nata edhe dita
Ndërrohen në vërtitje krismash
Duke bartur stafetën stereotipe
Me porosi të stërpërsëritura ...
Në Kosovë
Çdo gjë e brishtë
E ftohtë,akull,akullnajë
Derisa të lindë shpirti
Ai do t'i shkrijë të gjithë ajsbergët
Në bebëzat e syve do ta mbjellë dashurinë
Aq të kërkuar në këto mote ..:
 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen