Dienstag, 24. September 2013

Namik Selmani: SYTË E SELAMINËS


Sytë e Salaminës

Unë kam me vete përhërë një copë fjongoje Salamine
Ca dete ku dielli kërkon të marrë leje që të lindë
Këtu më vijnë nën këmbë si kone nimfat nga brigjet
Në male koralesh më presin me dafina si mysafiri më të ri.

Kam me vete një copë Salamine në fletën e dorën e rreshkur.
Ca direkë të rrëzuar mistershëm në humnerat detare
Stacionet s’kanë emra, asgjë për be, nuk ka mbetur
E zgalemët klithmojnë si fitimtarë modernë mes dallgëve.

Brenda meje vijnë aq vrullshëm beteja dhe humbje
Në epitafe kapedanësh të tëra s’i deshifrokam dot
Esklil po sjell Prometeun e ringjallur ndër supe.
Më ftojnë të ndez një zjarr bubulak se kam ftohtë.

E më fort se Odiseut, më shfaqen Sirenat mikluese
Kukama e nënave ç’po rrënqeth farët e ndezur.
Varkëtari pa det ngre pishtarin me dritë verbuese,
Në sinorët e Lavdisë fjala kokën ka mbështetur.

Salamina është aty, sydiellore, kala pa porta e bedena
Fllad i kohërave zulmëmadhe ngre Muzeun e Kujtesës
Po FARI, fari dhe busulla ku janë që të drejtoj rrema?
Me harkun e agimit si lavërtar detesh të ngas anijen e blertë

Më vjen të pi vozat e verës në hanin e vetëm, të harruar.
E vallen palikare ta marr mbi pëlhura a mbi direkë
Pëllëmbët e gjakosura kërkojnë të tjerë flamurtarë të gëzuar
E mua m’u dashka lajmëtar i bashkimit dhe i lirisë të jem.

E buzukët gjëmojnë, e pjatat nga gazi bëhen copa
Harrohen plagët e luftëtarit tek qiellit ëngjëllisht i lutet
Kënga e peshkatarëve dallgët si mal thërmoka
Mbi një fytyrë foshnje Salamina thinjëbardhë ulet.

E shkëmbinjtë mbushen me djem e vajza sydrite
Tek hedhin lulet dashurore drejt qilimave ujorë
Penelopat paskan hyrë në strofkulla, ndër mite
Pëllumbët bardhoshë në supe folenë ndërtojnë.

Po Salamina hesht, a mbase këndon si bard, si aed
Mos vallë kanë rilindur nga shekujt të tjerë Homerë?
Ç’bëhet kështu, thonë poetët gjoksprushtë në jerm?
Ku është spiranca që të hedhim një ëndërr të re?

Ca brirë betejash më japin ndër duar druvarët
E lëshoj piskamën në gjoksin e bërë si kacek.
“Hej, Salaaaamina, ky shtrat i këngëve si lulëkuqe
Me Muzën e Shekujve si mësuesja e urtë na pret!”

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen