Freitag, 6. September 2013

Namik Selmani: Jetëvdekja ukshiniane


Jetëvdekja ukshiniane
Kushtuar legjendës Ukshin Hoti

1
E lashë Maratonomakun
Të gëzohej në portikët e lashtë mes gazit athinjot
Mes fytit të çarë
Me putra të gjakosura nga ai vrap-galop i pa kthim
Për hapat e mia
Të flasë Bjeshka e Shalës, mjegulla, ortekët e dielli që s’më ngroh
Tek kërkoj
Sypërpirës, rrugapasosur, duarzgjatur Ukshinin.
 

2
E lashë një çast Ajkunën
Tek piskonte fort hënën në bjeshkë për Omerin e munguar
Në Dubravë
Një për një pyeta gardianët që rrinin gojë memecë te pragu
Në Prishtinë
ndala te Kodra e Trimave me lutjen e pambaruar
Se
fort më kish marrë malli për ligjërimin e Ukshini Hotit fjalëbajraku
3


 E lashë Odisenë
të gëzonte me Penelopën diku në Jon, në Itakë, mes legjende
Vitet
M’u dukën si gurët qelibarë të tespiheve të gjyshit me plis.
E kurrë
S’do të më ndalnin sirenat moderne më vrapin e shekujve
Duke vrapuar
Në shtigjet e Ukshin Hotit spërkatur me ëndrrën e lirisë

4
Jo , nuk kam nevojë
për besën e Ago Ymerit pas hekurave për Ëndrrën e Keqe kah moti
Vrapëroj
Pa fund udhëve të Kosovës, në Gjakovë, Gjilan a Morinë
Në Urën e Ibrit
Më shohim të çuditur djemtë e Evropës kur pyes për Ukshin Hotin
E më tregojnë mes pushkëve
Udhën e kthimit me ballin që ende mes bulash djersin

5
Nga Muri i Kullës
Marr lahutën, çiftelinë, një fyell, një cyrle a një bri shumë të lashtë
E kërkoj
Duart, buzët, e zërat që iu jep fuqi vetë Zoti
Ejani, burra!
Pa pikën e lotit të pikuar te qerpiku t’ia marrim këngës së paparë
Ejani burra,
Mbase na dëgjon e vrik vjen mes nesh Ukshin Hoti.

6
E lë pas heshtjen
Si një zinxhir që fort më lidh këmbë, trup e duar.
Më jep
Në gjoksin e thinjur një kollë të gjatë , të gjaktë.
Më pret diku Bacë Ukshini
Mbase ende s’e ka gjerbuar kafenë në malet e borëruar
Mbase
Kërkon pak melhem më shumë për plagën akoma të patharë.

7
Mbase flet me yjet
Me ylberet malorë a ndërron duhanin me Ademin në Prekaz
Rrëfen
Si katragjysh për ca ëndrra të zgjuara thellë varreze
Më thanë
Se kishte shkuar në Koshare i rreshtuar mes ushtarëve në radhë
Në Reçak
Po kthente nga qielli i Kosovës fytyrat e trupat e të vrarëve.

8
Më thanë
Se ishte bërë kumbar për një djalë të lindur në Prishtinë
Në Prizren
Kishte takuar studentët te Ura e Gurit , nën valë Lumëbardhi
Po ndalu, bre burë!
Ndalu një çast të gëzojmë së bashku lirinë
E duart e palodhura
T’i vëmë bashkë pa përtuar te guri, te oxhaku, te lisi e tupani.

9
Po ku je, bre burrë?
Më thanë se kishte takuar gratë vejanë e fëmijët jetimë
E çka u thua
Për brengën në atë sofër ku të trishton vajtueshëm mungesa?
Loket po të presin
Në rrathët e djepit e kanë nisur për ty një ninullë shenjtërie
E poetët e Kosovës
Për ty thurin këngët si lulet që rritka flladi te Bjeshka.

10
Mes jetëvdekjes ukshiniane
Kërkoj një bistak të ri për poezinë time fjalëbekuar
Kërkoj
Një filiz ëndrre për ditën që do të vijë mes urimit
E për besë të besës
Le të jetë vargu si qumësht Rozafe i gurëzuar
Për të sjellë
Sot e nga mot Rilindjen e dytë të legjendarit, Ukshinit

 
Shtator, 2013

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen