Mittwoch, 18. September 2013

Rrahim Sadiku: Cikël poetik


Në Atdhe
(Fatmir Limajt dhe të gjithë atyre,

që deri diku, patën fatin e tij, në tokën e tyre)

Vështirë jetohet
Kur ngatërrohen lufta e paqja
Urrejtja e drejtësia
Fama e ligësia
Miqësia e armiqësia
Faji e merita

Vështirë jetohet
Kur vëllai të hedh litarin në fyt
Të vë thikën në shpinë
Të shet tepër lirë
Dhe të vajton me kuje

Vështirë jetohet
Kur heshtin ata që duhet të flasin
Kur flasin ata që duhet të heshtin
Kur të shtyjnë të vuash
Në tokën që gjaku yt e ka ujitur
Që djersa jote e ka ushqyer

Vështirë jetohet
Kur dielli të ndalet
Ajëri të pakësohet
Fjala të heshtet
Bjeshka të lëshohet mbi shpinë
Në shtëpinë tënde

Por jetohet
Për hirë të lirisë
Për hirë të atdhedashurisë
Për të ardhmërisë
Për nder të miqëve
Për plasje të armiqëve

Jetohet
Do të jetohet
Në këtë dhe
Në këtë Atdhe
Ku do të fitojë përkushtimi
Ku do të shenjtërohet flijimi

 


Te shtëpia e vjetër në Puset e Nikës
(Në të cilën gjatë luftës ishte Shtabi i Brigadës 164

të UҪK-së “Gafurr Loku” të Hanit të Elezit)

Aty kishte aq shumë jetë
Liria kishte hyrë në secilën pore,
Syri të shihte vetën trima,
Me pushkë, revole, bomba dore!

Aty kishte edhe shumë vdekje
Luftohej nga ora në orë, nga dita në ditë,
Me flamur varroseshin dëshmorët
E mandej shkohej në pritë.

Aty nuk kishte gjëmë
E kënga sikur shëronte plagët,
Aty bashkoheshin në qëndresë
Të vdekurit me të gjallët.

Aty trimëria rrinte vertikalisht
Si qëndron lapidari sot,
Aty sot e gjithë ditën
Atdhedashuria kalitet fort e fort!


Ҫamëria

Është një vend ku dhembja nuk ka kufi,
Ku kufi nuk ka ajo që quhet bukuri,
Ku bukuri e dhembje kanë emrin Ҫamëri!

 

Te Kulla e Hasanit
(mbi Kukaj të Kaҫanikut)

Ka ikur koha,
nuk kanë ikur kujtimet,
aty, mbi gërmadhë e ferra
ruhen përjetimet,
dhembjet, synimet...
Aty secila skutë
ka emrin liri,
gjak i dedhur pa frikë,
gjuhë e kohës flet:
ardhmëri!

13 maj 2002

 

Na e shitën atdheun

Na e shitën atdheun, e dhuruan te armiku,
në një qytet, ku liria trumbetohet shumë,
më parë na shtrënguan me darë izolimi,
na shtynë të gatuheshim sikur ishim brumë.

Na e shitën atdheun, e dhuruan solemnisht,
në emër të paqes, në emër të drejtësisë,
Kujt t’i ankoheshim, me kë të qanim hallë?!
Mbi vete ndjejmë shekujt e ftohtë të robërisë!

2013

 

Heronj të lirisë së Kosovës

Vepra Juaj na është krenari,
Gjaku Juaj është madhështi!
Keni mbjellë atë që është e pavdekshme,
Na keni dhuruar atë që është e përjetshme!

Dy pamje të shqiptarit:

“Se ish i burrë i bamë be,
Me dhanë jetën si me le,
Për liri e për atdhe!”

Por edhe:

“Jo,ma t’lig ma nuk ban nana!
I ka hanger paret e kralit,
Zeje t’keqe ja la dhe djalit!”


Ligjërim dëshmori

Me ideal në gji dola malit
e veten shkriva ndër luftëtarë,
Për vete e dija, do fitoja
fëmijët e mi në radhë të parë!

Detyrat kreva pa hezitim,
kudo armikun prita me zjarr,
heroikën me shokë ushqeva,
armikut i hapëm kudo varr!

Një ditë rash në betejë,
biri im erdhi në jetë pastaj,
atë e rrahën me “liri”,
e shpërblyen me vuajtje pa skaj!

Lirinë e gëzojnë ata që fjetën,
ata që donin paranë e jo rrezikun,
ata tashti kanë në duar pushtetin
dhe pozita ndajnë për hajnin, të ligun!

Nuk jam atje të ndaj drejtësi,
as mund fëmijët e mi të ndihmoj,
po që kisha të madh ideal
jam krenar, nuk e mohoj.

E mohoj që më bjerrin gjakun,
që vrasin e shkelin secilin ideal,
po e shoh se liria gjetiu realizohet,
se leht thërmohet ajo që fitohet në mal!

 


Ves e kundërmim

Jeta rrjedh plot ndryshime
Spektër ndërrimesh pa fund,
Ndodhish…
Pse je kapur ashtu pas vesit,
Vesit që shpërthen kundërmueshëm,
Gënjeshtrash dashurore,
Epshesh e kotësish!

Dashuria spektër i gjërë
Nuk është dashuri kur i falet secilit,
Si luftëtari që nuk është luftëtar,
Kur pa duel shpatën nxjerr prej millit!

 


Endje nëpër botë

Kahmos endem nëpër botë
Pa gjetur vendtakimin e meridianeve e paraleleve të shpirtit
Rrënuar nga demonët
Harruar nga engjujt
Synimeve për t’u matur me Himalajet

Ashtu dendem nëpër botë
Pa u ngopur me mendjet e mëdha pa shpëtuar nga vogëlsia
Ikur nga Parnasi pas mëkatit me muzat
Uritur mes bukës e pemëve mashtruese
Duke kërkuar eliksirin e përjetësisë

Pastaj shembem nëpër botë
Pa qenë kështjellë urë pa qenë oqeanin pa qëmtuar
Asnjë gurë pa e lënë në vendin e vet
Duke parë horizontit parajsën mbi dhe
Ferrin duke e përjetuar nga agimi deri natën vonë

Disi mbetem nëpër botë
Me sytë e mendjes bërë lashtësi e të ardhmëri
Veten duke vendosur në altarin e flijimit
Duke larë mëkate pa qenë mëkatar
Gjakësit duke falur i mashtruar edhe nga shpresa

 

Të pagjeturit

Ata janë me ne
dhembje e plagë bashkuar
kujtim për kohën e gjakut
ditët e shpresës
mbjelljes së besimit

Ata janë me ne
më të gjallë se të gjallët
më të dashur se të dashurit
më etje se etjet

Ata na gërryejnë në ndërgjegje:
cilës rrugë jeni nisur kështu
pa jetët tona
pa varret tona

Dhe përsëri e përsëri
bota gjakoset
shpirti errësohet
natyra shkrumohet

Gjakësi tallet me ne
me vdekje dënon jetët tona
se vdesim pak a ngapak
pa ata

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen