Mittwoch, 18. September 2013

Ligor Stafa: Cikël poetik


Në pavionin e fantazmafobëve

Nëpër korridorin që bën gjumë kloroformi
shkon e vjen një majmun me bluzë të bardhë.
Sytë e tij më thonë “mos u afro”....

Je bërë, më pëshpërit ai, si një figurinë porcelani.

Gjithsaherë ia shoh sytë, sytë e tij të ftohtë,
më ndizet dëshira për të zbuluar misterin.
Shët, më pëshpërit ai, tash ata po largojnë fantazmat.

Njeri-tjetrit i masim rrëqethjet, kur dëgjojmë ca
klithma zooparku dhe muzgu, që depërton
deri këtu, bën sikur nuk sheh. U duket, më pëshpërit ai,
se kushedi ku i përgjon hakmarrja.
 
 
 
Mosndryshim

Ecim nëpër moçalishte
me balona në duar

Se si i hedhim hapat
se si lëviz toka
nën këmbët tona

Me secilhutimin në sytë e fshehur
pas xhamave të errët
harrojmë të lirojmë fillet e balonave

balonave që s’ndryshojnë
e s’ndryshojnë
lartësi.
 
 

Me dëshirën e madhe

Duhet një çmenduri e vogël
Një si shfrim impulsesh
Pak mister...

Pa menduar për komplotin
E pëshpëritjes
Që kërkon të dijë gjithçka
Se çfarë bëjmë
Me kë dhe përse
Pa atë çantën tënde të zezë
(Album + pasqyrë + kremëra)
Ankth i udhëtimeve tona
Vetem Unë e Ti dhe kaq
Me dëshirën e madhe
Për t’u arratisur nga qyteti SO2
Nga shkarravitjet mbi trupin e tij
4FeS2 + 11O2 → 8SO2 + 2Fe2O3
Vetëm Unë e Ti dhe kaq
Të shfrenuar
Të pambrojtur
Pakëz irracionalë
Pakëz dinakë.

 
Ajo më prezantohet

Ajo më prezantohet
si N-n-n
Më vështron sikur në mesnatë...

do të dërgojë në trurin tim
një ëndërr me pesëdhjetë nereida
me pesëdhjetë nereida
që zhveshin ca kostume akualanguistësh
dhe nxjerrin hera-herës mbi valë
gjinjtë e stolisur me tatuazhe
sa për të inatosur plakun Poseidon
sa për të hapur portën e mëkatit
tek unë
Ajo përtyp me nofullat e gjera
një këngë të egër vikingësh
dhe sytë e mi të kaltër
Përtyp
Me kofshët tmerrësisht të ngjeshura
Tredhjen time të padukshme
Duke mërmëritur nga kënaqësia
N-n-n ...

 
 
Nga shënimet për intolerancën

Eshtë një hije që më bën vizita
në dhomën e veshur me neopren

Ulet përballë meje
duke më pëshpëritur
rreth shenjës së dobësisë
(më dhuron një thikë)

Qëndroj përballë saj
(me një pamje killeri)
duke i përrallisur
për ogurin e rënies.

 
 
Të vështroj vjedhurazi

Ndiej një muzikë xhazi nën lëkurën time,
kur ngjitem në këtë verandë kurthesh.
Kurth i trëndafiltë në ecje. I njejti plazh, rërë...

tunduese. Kam uri për pohime të dhunshme.
Jam pusi e kaubojve që përgjon arratisjet.
Jam një eunuk që vuan nga deluzioni
i telepatisë. Më tërheq kjo aventurë,
ku gjithçka vërtitet mes mosprekjeve.
Vërtitet duke vërtitur format.
Përse ndihem i transportuar? Përballë
një album, një cocktail ngjyrash,
rrumbullakësitë e fshehta. Në trurin tim
një buzëqeshje brakonieri, një dorë
e padukshme, një përpëlitje buzësh,
gjoksi, gjunjësh, vithesh. Trupi im pret
një ftesë, një fërgëllimë mbathjesh
nervoze, që luten për shpëtim dhe mezi
presin të hidhen nga lartësitë.
Natyrisht i bukur ky kurth i trëndafiltë.
Vazhdon muzikë e xhazit nën lëkurën tim
 
 
 
Armik i rrezikshëm

OK, jam një fëmijë që ka humbur udhën!
U bëj shoqëri historive të natës,
për të kërkuar një shteg për sytë....
Asgjë përreth meje në pasazhin e natës
veç vizioneve pa fytyrë,
që formojnë fragmentin e një makthi.
Jam një kalorës pa kalë, pa shpatë.
Jam një kalorës që s’është kalorës.
Ta vjedh Librin e xhunglës?
Unë jo, unë jo, unë jo!
I gërmushem errësirës. Konfidencialisht.
Trupi i përndjekur pret shumimin
e labirinteve, të rejat pamje dhe… pusia
çmpin krahët. Bën skenare në terr.
Shkërben ulërimat e ujqërve. Unë mbaj
erën në duar dhe vazhdoj lojën e flirtit
me mesnatën e përreth.
 
 
Kam menduar
Të ngre… hëm… një monument
një si gozhdë gjigante
për nder të K-ve dhe P-ve...


të shoh siunëkrijesat tek masturbojnë
fëlliqësisht… hëm… mbi fëlliqësitë
e anusit të kohës së tyre

t’u jap porosi ca korbave
të vendosin… hëm… përbri monumentit
nga një kurorë

një këtu… hëm…
një atje…
në emër të kufomave të lumtura.
 
 
 

Sharrëtarët

Më kot kërkoj emrin tim
në disa gdhendje
të bëra ngutazi...

nga Djeja
Disa sharrëtarë
me sëpata të mprehura
në gurzmerilin e vrerit
më thanë se
kaluan këtej
Duke pështyrë mbi tungjatjen
e inicialeve të mia
ata prenë dhjetra drurë
dhe u ngrohën nudërisht
me zjarrin e tyre.



Një fytyrë burri

Brenda gojës tënde
shoh një fytyrë burri
që më përqesh.

 
 
 
Joja

Joja e Deridjesë
përballë Mezitundimit
të buzëve buzëndezura...

ishte Mjaftja
e ulur këmbëkryq
në Mezipritje.

 
 
 
Sikur vetja ime

Shoh
një
imazh:...

sikur
copëtohet
vetja
ime
dhe
bëhet
një
mozaik
numrash
trashendentë
forcash

panjohura
dhe
lulesh

egra.



 
Ardhja e një gruaje

Nën këtë çekan të rastësishëm na trazon
vështirësia për t’u bërë të pranueshëm
Një djall lëviz përmes zërave tanë...

Një marramenth belbëzimesh
porsi një prekje poshtë rrobave
na rikthen zjarrin e humbur
na çon tjetërkund
na bën të fundosemi mes panikut
dhe dëshirës
Të shndërruar në derrkucë të adhurueshëm
qëndrojmë këtu
lidhur pas ëndrrës për t’u bërë
të padukshëm
lidhur në një ishull që përvëlon
në mirazhet e tij
trekëndësha dhe shtrate
kaq afër nesh dhe kaq pamjengjitës
Teksa ndiejmë ujin në grykë
frymëmarrjet tona bëhen në një
duke pritur fundin e lojës.

 
 
Në tavernën tonë të preferuar

Ne dëgjonim në tavernën tonë të preferuar
një mjekërkuq, që fliste për ca minj, për
një hell, për ca kufoma, për ca hije. Ne...

pamë se si u futën në tavernën që mbante
erë djersë ca të panjohur, të veshur
si marsianë. Pamë se si u zhveshën: hoqën
kaskat dhe veshjet e tyre të çuditshme
( njohëm ca skeletë të njohur ). Ne pamë
se si ata u ulën, duke tundur kafkat dhe
porositën me shenja verë për të gjithë, se si
i buzëqeshën atij mjekërkuqit të bërë njësh
me konvulsionet e banakut. Ne pamë se si
i bënë shenjë të shkonte këmbadoras, se si
i zgjatën një kryq të argjiltë. Pamë
mjekërkuqin tek shndërrohej dalëngadalë
herë si një mi, herë si një hell, herë.
si një kufomë, herë si një hije. Ne pamë
skeletët tek çanin në njëshkolonë përmes
çakëllit të mërmërimave, duke kënduar nën zë
himnin e Kufomave të qeshura, duke treguar
me duar, si të dehur, andej nga varrezat.

 
 
Copëra pasqyrash

Mrekulli të përtypësh
copëra pasqyrash
të shijosh...

një duzinë viktimash gazmore
në heshtje
të ndjesh në trurin e lodhur
një ngërç misteresh
që humbasin
aty.

 
 
Fije floku

Sfond mjegulle dhe unë mumja
dhe ti e veshur me triumf të llahtarshëm
Fije floku...


Në një rrjetë fjalëkryqi
me sikletin e të qenit nudo
Hesht statuja në pemën e tharë

rreh ballin me pëllëmbë
Lëviz ajri
si një fëmijë që loz

Nëpër fundin tënd
ajri
që rrëmben atë padëgjim

fjalësh të padëgjuara ndonjëherë
Përse endem në labirintin e frikës?
Krevati im

ngjit dhe zbret shkallët
krevati im
me hijen tënde përsipër.

 
 
Rrethuar bustesh

Përpos syve kureshtarë dhe jokureshtarë
ndien nje kafshim te beftë,
një pëllëmbë të gipstë,...

një tru dinak
dhe ndërkaq qëndron ose s’qëndron?
Qëndron apo s’qëndron në vendin
ku Vetja ka zënë vend?
Dhe ti, mbërthyer me të papranueshmen
pyet të pranueshmen:
Përse të mos lëshosh përsëri autografe
D.K. i Mançes,
Narcisi II?
Përse s’duan të të lenë
edhe këtu? Në këtë skaj
të sallës së madhe?
Përse,
kur ka ende vende të lira?

 
 
Vejushë në pasqyrë

Përse, pyet ajo, koha dhe godina e papërlyer
janë shtrirë përtokë?

Pak nga pak heshtja korrozive prishet,
siç prishet heshtja dhe pas hukatjeve në qelq
sozia e zhveshur nga zia kërkon me zë
hajdutin e grave dhe gjykatësit.

Ajo s’mund të jetë më një statujë supengrënë,
një statujë krahëthyer, një statujë me vrimë
në mes. Ajo është tundimi, vetë marrëzia,
është vetë tundimmarrëzia.

Me flokët e shprishur mbrëmja e pacipë
ofshan në atë mënyrë,
që parfumi i dëshirave të ndyra
të përhapet si një këngë në direkun e anijes.

Përse, pyet ajo, hajduti i grave dhe gjykatësit
po vonohen kaq shumë?

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen