Mittwoch, 23. Juli 2014

Myrteza Mara - MALLI PËR NËNËN

(NË KUJTIM TË NJËZET VJETORIT TË MUNGESËS)

BISEDËN ME FOTON NË MERMER

Nënë, jam yt bir, që po qaj tek varri!
Erdha të të shoh se më ka marë malli.
Larg o nënë, prej Teje tërë jetën kam qenë...

Kur malli më shtohej mërmërsija: NËNË!

Tani nën mermer Ti e qetë qendron
Dhe e ngrirë në foto ëmbël na vështron.
Nënë, o nëna ime që kur s’je mbi dhe
Paçka se me thinja prap jetim më le.

Fat i shkruar për ty, të deshi jetime
Prindrit nuk i njohe moj e mira ime.
E malluar për jetë bëre fëmijë shumë
Por jetojmë pesë, mes tyre dhe unë.

Ne u bëmë burra, ti u bëre gjyshe
Dhe i rrite nipat si nënë dallandyshe.
Pastaj edhe nipat me fëmijë u bënë
I mbaje në prehër, nënë përmbi nënë!

Ne u ndamë, o nënë, u ndamë së gjalli
Në udhët e fatit na këputi malli.
Ndaj tek varri yt të vijmë më shpesh
Nga mermer i ftohtë ti prap buzëqesh.

Kujtoj kur të putha, për të fundit herë
O Zot, sa e bukur, si një luleshqerë!
Nga qielli kish zbritur ngjyra e floririt
Hëna të kish dhënë qumështin e gjirit...

E puthura e fundit dhe malli për ty
Kurrë s’do më treten sa të vij aty!

 
 
NË PREHRIN E HËNËS

Më ka marrë malli për Nënën,
Ka kohë pa i shkruar një letër.
Nga dritarja çmallem me hënën,
Nëna është në galaktikën tjetër.

E ka zgjatur rrugën e mallit, nëna,
Që unë të rri shumë në këtë botë,
Por edhe sikur me njëqind zemra,
Do vij, nënoke, këtu bën shumë ftohtë.

Dritën nga dielli, hëna e ka dhuratë,
Dhe Nëna pa diell s'do ishte e vërtetë.
Ndryshe ky planet do të quhej Natë,
Ose edhe më kobshëm, " i Pajetë"...

Sa shumë më djeg malli për nënën,
Tani dhe në ëndërr rrallë e takoj.
Sa herë që troket porta e zemrës
Zbathur, drejt derës fluturoj.

Por janë takat e verdha të hënës,
Është gazi i qielltë i saj.
Vjen të më shuaj mallin e nënës,
Në prehrin e hënës ulem e qaj!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen