Mittwoch, 18. Dezember 2019

Robert Shkurti: E VRAMË QYTETIN

Robert Shkurti

E VRAMË QYTETIN

Po, po! E vramë qytetin të gjithë ne!
E vrava unë, e vrave ti, e vranë ata.
E vrau Kuvendi që në fillim,
me llumin e tij, që mban erë krim.
E vrava unë me largimin tim,
kur arratinë mora nga ai mjerim.
E vrave ti, o i ndershmi qytetar
nga frikë e cubit, që u bë pronar.
E vranë ata me ligje bastarde
me iluzionet e një jete fallse.
E vrau ndërtuesi i babëzitur,
që kurrë më parë një mur s'kish ngritur.
E vrave ti, i ashtuquajturi inxhinier,
që maskarenjve t'ju bëje nder.
E vrave dhe ti, o projektues,
që në ekstazë çove ca ligjzbatues.
E vrave ti, o i mjeri murator,
me mistrinë e llaçit ngecur në dorë.
E vramë qytetin me rrokaqiej,
bëmë garë me të lartat male Pirenej.
E vrave edhe ti, o njeri i malit,
që gjithë jetën ishe majë kalit,
kur zbrite me opinga në qytet,
tu duk vetja që u bëre mbret.
Aromë e jodit ty të dehu,
sepse deti s'kish erë plehu.
Ti nuk e dije se ç'është kjo jetë
ndaj ngule hunj në atë kënetë.
E vrave ti me heshtje, o arkeolog,
mijëra vite gropose nëntokë,
se ngrite zërin të lëshoje ulërima,
ndoshta grykën ta zunë me çikërrima.
E vrave më shumë ti, ore Bashkiak
me firmën tënde që kullon gjak.
Nën rrënoja degjen dhe nuk janë pak.
Klithmat e tyre kërkojnë veç hak.
Për katrahurën që s'vu ligj drejtësia,
shpirtplasur na “përkëdheli” Perëndia.
E katandisët keq atë mrekulli vend,
o të babëzitur, kur do të zini mend?!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen