Samstag, 28. September 2019

Dan Kosumi: KËNGA E PAMBARUEME

Dan Kosumi

KËNGA E PAMBARUEME

Une biri i kēsaj toke të nëmur
I babë Shukrisë e nanē Bisë
Krahlidhur me ty loke dardane
E qyqen mbi kryqin e Justinianes
Bri Ulpianës së lavdishme
Dergjur nën rrasat e gurëve të mermertë
Pa gjëmë dhe vaje për kobe epokash
Kuvendoj me orët e bardha dhe zanat e kreshnikëve
Duke tjerrë penin e bishtit të kalit në Trojë
Lidhur prej barkut deri n’brina të dhisë!

Shtatë palë qiej e shtatë palë tokë
Bërë gojë e vesh prej zanit të lahutarit 
Dhe ahmës gurgule në prehër
Ndjenë harmoninë melodisë si në përrallë
E harku farfurit mbi drurin e thatë të frashërit të zi
Kur edhe zanat me nanëzezën oiiii
Ju thërrasin trimnive të zëna rob në kangët epike!

E zërat nga shtatë pash nën dhé thërrasin e plasin:
- Qou he burrë e ngjitu deri n’kullen e gjysëmrrënueme
Merri në duar ato veshje të balsamueme me gjakun e Ademit, 
Hamzes dhe të gjithë atij fisi të Jasharëve
Ma gjej edhe një burrë që do ju bijnë taman për trupi
E që s’e tremb erë e that e gjakut
As duhmë e barotit të shkrepun
Ma gjej një së paku aman - një për farë
Që këngën ta bëjë këngë - elegjinë ta ngjallë !

E nëse përveç trimërive të bronxta  
S'ke më kë ta bësh një dert si n'kohë t'lavdisë
Ngjitju Bjeshkës së Qyqavicës
Dhe thirr me sa zë që ke:
- Heeeeuuu priteee priteeee Azem Galicën
E nëse as ai nuk të përgjigjet
Zgjidhe një trung t’bam korb të zi prej rrufesë
Vishja atij teshat e trimnisë bre
Qitja n'krah maliherin
Lidhja brezit rrethatoren me fishek
E n’shokë vendosja nagantin me mulli ...
E pastaj... Pastaj qëndro kryelartë përball tij 
Dhe fshija sytë e verbuem prej lotit të nënave
E vajit të zanave oiii oiii oiii


Euuuu mjeri u’ i mjeriiiiii...
Që s’ma hjek mallin e Hamzës e të Ademit
As nuk më ngjanë me Zahirin
As me Fehmiun e Xhevën
As me Adrianin e Tahir Tropojën
E as me Katanën...

Ia shtrëngova dëndënes fijet prej bojëkáne
Derisa i bana tela që të jehojnë si zë njeriu
Dhe nisa përvajshëm duke i thirrë një për një 
Ademin, Zahirin, Bekimin, Agimin, Shkëlzenin ...
Për t'ju lutur e lutur atyre që të më falin
Pasi nuk gjeta ndonjë mashkull 
Që din me ecë drejt udhës së tyne të nisur
Për t’mos i lënë kund vend tradhtisë...

Medet o medet...
Edhe kënga mbet e pambarueme
Edhe kënga më mbet shkret !

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen