Dienstag, 10. September 2019

Buqetë poetike nga Rudina Muharremi Beja

Rudina Muharremi Beja


NË VETËVETE

Qiej..., shpalosen përpara meje
Gjithfarë ngjyrash...
Më të mirë, më të fort, më të zgjuar,
premtojnë të më bëjnë!
Qëndisur me vyrtyte hyjnash

Kurrgjë nuk gjeta jashtë vetes time
Gjithçka prej vitesh, aty kishte fjetur
Ndonjë ninullë, në gjumë e kishte vënë
E zgjoi një puhizë, të zellshme e të etur

4/09/2019



TË KAM FALUR

Të kam falur,
Ndonëse zhurmë,
shurdhuese zhurmë,
Bën fjala jote,
Asgjë s’thotë...

Falur të kam,
Që ditën, kur humba respektin,
Me gërvishtjet e pabesa,
Mësova të rroj, të mos lotoj.
Mbi to të eci,
As këmbët, më s’i shpoj.

Të kam falur,
Arën e paqes përditë lëvroj.
Parmendën e kam të mëndafshtë,
Urrejtjen s’ma mban gjoksi.

Provoje, në s’më beson...
Nuk është vonë...!



SEKRETI

Një grua, nuk ka moshë të caktuar,
kur lulëzon...
As me fustanët gjith tantella...
Që më shumë zhveshin se sa veshin...
Kjo, s’përkon !

As diamantë, e parfumë ndjellës...
maska...,bojë, përmbi bojë...
Taka t’nalta që qiellin cekin ...
Duar, që s’mbajnë dot,të gjatë thonj...

Nën lëkurë të saj, qëndron sekreti
Të bukurës fjalë, që vë në gojë...
Shikimit t’ëmbël,
kur heshtur, di t’dëgjojë

Ku merimangë e kapilareve ,
gjakun që vlon, përçon...
N’dëshira t’heshtura...
syçela ëndrra...
krahëve të hënës, në net t’pagjuma...aty,
Aty...,sekreti i rrezes së saj, qëndron!

7/09/2019



Dhurata që s’blihet

Sonte
Njëzet e katër orë të reja fringo,
Dhuratë i ke prej të madhit Zot.
Malet me para njërën prej tyre,s’do ta blinin dot
Përgjigja, dorës shtrirë,
letrës pavlerë ngrirë, do të qe:
“Zoti ju dhashtë”!

Ti marrim, mirë ti përdorim!
Pa shpërdorim, në mllefe të kota e punë horrash
Panairë, korbash e sorrash!
Mbrapsh nuk kthehen!

Veç në dashuri,brënda do të mbartnin ...
Dashuri pa hile...
Paraja e gjithë botës, do të vdesë zilie
Ora do të zgjatej tek ngrohim një zemër plaku apo fëmije ,
që shuhet vetmie,
Epur në pritje të fatit kurrnac
Për ca thërrime dashurie...

10/09/2019



Sfidë me diellin

Diellit i tha
Para se sonte valën ta puthësh,
tek zjarrit të perëndimit kridhesh
Sytë e saj ke për t’i ndeshur.

Doli.
Shpresën kishte veshur

Askund se gjeti!

Në djerrinën përtej
gurë e argjilë, Mblodhi me thonj
Fytyrën e saj, të lumet buzë,
Syrin e njelmët me argjil të shpirtit punoi...
U ngjall...
Buza shpuzë
brenda tij frymoi!

10/09/2019




Në teh

Natën, gjithë natën fjeta
Me tehun e shpatës nën brinjë...
Heshtja e natës,
E fjalës, e hënës,
Sytë e qiellit,
Frikë më bënin...

Nën brinjë,
Tehu i mprehtë mbështetur,
Nuk më lëndonte,
Afër zemrës së fjetur.

Në mëngjes dielli i shkujdesur
S’m’u duk i etur
Ta puthë syrin tim...
As zemra,
S’m’u duk e frikur,
Me teh të shpatës,
Pranë fjetur!

9/09/2019




Mesazh “pa kaptinë”

Më shkroi nëna sonte:
“Bijë, je mirë?!
Mos humb!
Mos bëj siç bëra unë,me time më...!
Pendimi në zemër, që atëherë ka mbirë...

Më merr!
Të dëgjoj dua, përditë, më flit me gojë...
S’dihet? Gjallë a më gjen? A vjen?
Të puth, në gji fort të shtrëngoj...

Ruhu bijë! Makthi i pendimit, s’fal, të gjithë i gjen...

Eja!
Apo..., një poezi do më shkruash?
Unë,nuk do mundem më ta lexoj ...
Me videotelefonatë, nga larg do më vajtosh?!
Fytyrën s’do më prekësh? As flokë të më lëmosh?
Eja bijë, erën tënde dua prap ta ndjej,
ta mbaj me vete... gjithandej!”

Trysnia mbytëse e ajrit përreth,
ma zuri frymën...
Ashtë e fajtorsisë, kurmin përshkoi, si shtiza hellin...
Mesazhi,“pa kry”, veç tekst, që mora sonte...
Fjalët e të cilit, vazhdojnë brënda të çjerrin...

5/09/2019



Pa fjalë

E humba fjalën...
Unë që fjalën fort e du...
Zëri mu shu...

As pena rrëfimtare,
s’shkroi...
Qënia ime, u ngurtësu

Kurajoja e pashoq e tëndes...
Që qiellin, gërrvishti
Më la pa fjalë...

E vetmja, që gjatë mbeti në memorien time:
Shëmtia, e buzëve të tua...

4/09/2019



Avash...,dheun!

Dheun, shkile me ngadalë, o njeri !
Thëmbrrën që shkel,trëndelina,
Majë e gishtave,
kur milingonën barrërëndë...
gjallë varros, në dhè të zi...

Kujdes me tokën o njeri!
S’është piedestal,
e as e jotja pronësi
Është banesa, ku gjatë do flemë unë edhe ti!

Ajo tren mban,autobuzë e karavan,
Por peshë e lotit të pafajshëm,
Në mes e çan!

Avash dheun! O njeri!
Hapin hidhe më të matur,
Hiq këpucën mëkatare,
Që ble ke me pare shumë...
Tokën, shkil me dhimshuri!

Ndjeja dhimbjen, atij loti,
shkak, ecja n’pakujdesi...
Tek gjëmon sa trembet Zoti ...
Faqen lag, buzën që dridhet,
e struket n’gji!

2/09/2019



Mëshiromë me dashuri

Lutem në Zot,
Atij që frymën më fali,
ka ca mot!
Meshiromë...!
Lëromë nga prangat e kësaj jete,
që n’padrejtësi, cdo ditë më ndjell...

Një botë e çmëndur, të sjell zvarrë...
Ku askush s’doli, veç se i vrarë
Dhe prap s’kuptojmë...
Vrapojmë...,
pa ndalur kurrë, t’falenderojmë...

Më fal, O Zot!
Për egon, që s’e ngopim dot...
Për pleq e t’mjerë, që anës rrugës, kallen n’lot!
Për fëmij jetimë, që një dorë t’ngrohtë, kurrë s’e kan rrok
Tek unë, perleshem me sfidë të rradhës, e qahem kot!
Me fal, O Zot!

Thellë m’ka kaplu pendimi im!
Asgjë nuk marrim nga kjo botë...
Mëshirë kërkoj...
Bëje të drejtë rrugtimin tim!
Mëshiromë me dashuri, Zoti im!

31/08/2019



Fundstinë...

Vera mbaroi...
Rrëmova në raft të kujtimeve, sot
Të vjetrat ti hedh...
Sic rrobat ndërrojmë, fundstinëve, ngamot...
Jeta përpara sysh, si film më erdh...

Kishte këmisha varë, plagët tharë, zemrën vrarë
Fustan të bardhë, shenjë e një
dasme, la me lot
Të tjerë fustanë, trishtimin,ly, kishin me bojë
Asgjë nuk hodha, të gjitha...,kishin gojë...

Prap rrëmova...
Të gjeja ku vallë të jesh?
Harrova! N’lëkurë ty të mbaja, vesh!

31/08/2019



I huaj...

Ti vjen nga tokë me besë
Ku derë e tjetrit edhe jotja, kishin të njëjtën rezë...
Ku burri betohej, per qiell e dhè
Ku varri i atit, besnik të pret atje!

Mbas rruge t’gjatë,pa fre, pa kry,
zemrën, djegur flakë...
Rrënjë ke zënë, aty!

Aty, ku gjithmonë je i huj..
ku puna jota, s’ka t’njëjtën bujë
Atdheun, ku t’a gjujnë me gur
Padronë, që nuk ngihen kurrë...

...Dhe ditën mezor pret të vijë
Të ikësh nga e gjithë kjo vujë...
T’braktisësh gjith ç’sheh me sy
Të shkosh “ATJE”,
“ATJE” ku prap ...,“I HUJ” je!

29/08/2019



Shtegëtim!

Shkoi...,
edhe e fundit dallëndyshe,në mërgim ...
Shtegëtoi!
Atje ku buka lyhet me trishtim...

Fluturoi!
Në vise tjera ku dimri, as vera
s’jan njësoj...
Ku hëna shkëlqimtare, as dielli vezullues...
S’të flet me gojë!

Atje ku nën lëkurë,
varrosur kemi nostalgjinë
Mbi të, me penelata të guximshme, lyer alegrinë...

28/08/2019



Treni i fjalëve

Britma e trenit, natës së errët,
dhunshëm gjëmoi
Rrugët e botës, zhgarraviti,
me të ziun tym
As fishkëllimë e frenave, asgjë, nuk e ndaloi...
Të asfaltojë ndër shina, të lodhurin, kurmin tim...!

Impakt drithërues, që çorri, qiell e dhè...
Gjëmoi, përpushur, mbuluar në lot e gjak
Copëzat e thyra, pulsun, e më pas morën jetë...
U mblodh cik e thërrime,të shkojë, e të marrë hak!

Por nga thelb i shpirtit, prej hidhërimit, krisur...
Kurajshëm, vyrtytshëm,mbiu,
i dashurisë mal
Treni me shumë vagonë, që trupin e epur, përshkoi...
S’mbarte , njerëz as mall, fjalë mbarte, ...fjalë!

27/08/2019




Refreni

-“Ika!”
“Erdha”, kuptonte
-“Shko!”
“Eja”, dëgjonte

Refren i dehur!
Loz në ndjellësin, pentagram të shpirtit,
fijet tendosur, mban.

Lavjerrësi i orës,
kohën shënon,
Këtë here, pa ding-dong...
Veç, “Ika-Shko”
caqet e fjalëve...,gong...

27/08/2019

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen