Dienstag, 5. März 2019

Buqetë poetike nga Gezim Llojdia

Gëzim Llojdia

MEDITIM

Jam në syt e jetës, një lule për vdekje.
Jam në dorën e shpresës, melodi për jetën.
Jam në krahët e lirisë, një grusht hi për tokën.
Jam në syt e Zotit, një grusht ngjyrash okër.


FAQEKUQJA KA DALË NË PEMISHTE

Faqekuqja ka dalë në pemishte,
I fanitet në ëndërr një kopsht me pjeshkë.
Në Goronec, në lëpushka flinin kuajt e egër,
Në ç’fushë të madhe i ka vjelë shegët?


PLAKAT E MËHALLËS SONË

Plakat e mëhallës tonë,
gjithë ditën nanurisin ëndrra shoje veshur tek sofaja e vjetër.
- Ftonjtë janë zverdhur në papadhi, rrëzuar fletët.

Vasha e tretë e Safos, ka rrëzuar yjet. Ka mërguar hëna.
Ikur dhe Kaçja te lumi i Memes, e ndolli e ëma.
Rranë shegët në Qarrishtë, natën e erës së madhe.
Gjumëmadh bekçiu shtirë mbi prralle.
U çanë shegët, në vjeshtën e tretë nxorën diamantet.

Plakat e mëhallës tonë,
gjithë ditën botën, sjellin vërdallë.

- E dëgjuat si po qante dega e shelgut te vivari i prerë,
do të na mbetën pllajat shterp, dhe vashëzat në derë.

Grunjërat do të kalben, brumërat nuk do të vijnë
duhet nxehur mirë prushi, për bukën e mirë.

Plakat e mëhallës tonë,
dje u kujtuan për ardhjen e drerëve nga lisat e mbretit,
rrëzimin e brirëve dhe rënien e ilqeve nga tërmeti,
në çaire ishte parë jargë kërmilli, në ditë prilli,
do të bëjnë verore.



SHËN MËRIA ËSHTË AGIMI YNË

Gjethe floriri në Kunjovë,
kjo vjeshta e fundit më tremb
humbet argjendi, pikon loti,
dridhem i pashpresë.

Tej në rrëzë të borshe,
dallgëzuar vendi i shenjtë,
Shën Mëria është agimi ynë,
cullufja e kësaj hëne më step.


Atje zgjimi dhe rrezja e çmendur,
e veriut dhe e thëllimit thjeshtër,
lutemi te Shën Prokopi në Gjomit,
- Zot na e beko të tjera vjeshtë.



TI S'E DI OR MIK...

- Ti se di o mik, si flenë vajzat në Goronecë,
flok-shpupurishurat në vjeshtë,
trazimi ma mbulon trupin e brishtë.
- Shikoji me sy, hesht dhe mos i prek.



KUAJT

Kuaj të panjohur,
në mëhallën tonë 
mbrëmë, hardallë,
trokonin, nuk iknin, as nxitonin
në të kundërt të erës
qëndronin.

Në të egër vraponin,
në të panjohur mërgonin.

Erë dhe ngricë,
frymë dhe frikë.
Nga kanë ardhur këta kuaj
pyesnin në Gjomitë?

* * *

Hënëz e plotë , lundron mes reve,
Shejtani i biri diku janë strukur gjithë pikëllim, 
Koracë e fshehur nën shelgje, në përgjim,
tremben retë, 
zvarranik mes jetës zvarranik,

* * *

Frymëmarrja ime e gjitha në mjegull,
këmisha ime e grisur e varur në këtë pjergull.

* * *

Një zë i largët gris vetmin,
një qiri i ndezur diku shuhet në shi,
një thëngjill i ndezur mbetur nga ky prush
plakat e kanë mbuluar me hi.



JETA

Këto dallgë të frikshme më lodhin aq shumë,
me ndihmo o Zot, se marinarë s’jam unë.
Herë është stuhi e here dielli ndriçon,
moj dallgë e jetës vallë ku më çon.



FRYMË-KËPUTJA

Në vjeshtë
gjethe pikëllim
argjendi i hënës, 
në faqe
në fytyrë.

Është
vjeshta e tretë
silueta e dimrit.
shfaqet me: "kapotë ushtarake".
Gjethja, që s’pranonte të zbriste nga pema.
tha se quhej: ”kryeneçja”.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen