Sonntag, 24. November 2019

Dy poezi nga Zyrafete Manaj

Zyrafete Manaj

STINËT E MIA*

Njëzetepesë pranverat s'i njoh për të miat
Se digjet lulebora nga hija e mallit
As krah dallëndysheje nuk rrah këndej kah pragu
Syt verbue malli.

Njëzetepesë vera me vapën përcëlluese
Rrugëve të botës kalimtare regjur
Me gëzime për ardhjet
Puthjet me atdheun
Ujitur me lotët e ndarjës,
mos'harrimit.

Njëzetepesë vjeshta mbledhur në thes
Ngjyrat e dhimbjes ndezur nëpër mote
Për brengat e sofrave në mungesë
Vrapin e rrugëve, për ti zënë ndarjet.

Njëzetepesë dimra nëpër zemër
Ashti nën mrizin e akullit
shoqe me mallin
Përshpërit tregimin e paharruar
Qysh shkuam, si i lamë, a do t'i mbërrimë për së gjalli.
__
*Njëzetepesë vite kurbet!




KUR U NISËM
(Në ditën e refugjatëve)

U nisem me rrugët në krah
Shkallare jete menduam
U ngjallëm e u vram
Bukë malle gatuam.

U nisem me e nis jetën
I vram plagët e vrara
Shkrumuam mote e vite
U ngjallem sa herë nga e para.

Herë të huaj aty ku qajtëm së pari
Për ata që të huaj u bëmë
Herë këtu që malli na vrau
E prapë të huaj na thonë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen