Samstag, 22. Februar 2014

Haxhi Muhaxheri - Tri poezi


KOSOVËS
 
 
Emrin lakuar ta kanë ndër shekuj
E pritë të zinin keqas djalli e i biri

Po ti stuhive u bëje ball
Me lutjen për të madhin
Për atë bimë dardane

Këngën e mortit e ktheje në këngë lavdie
Kosova ime diell (i)lirie
 
 
Austri, 2012
 
 
ÇAMËRIA
 
 
Çamëria
Lumë i Loteve që nuk shteron
Malli i të dëbuarve që përvelon
Kënga e Shpresës që gjallëron
 
 
Çamëria
Është ora e lutjeve që nuk mbaron
 
 
Çamëria
Është ëndrra jonë e përnatshme
Amaneti i shenjtë i etërve
Emblema e krenarisë së emrit
 
 
Çamëria
Është damari i ngushtuar i atdheut
 
 
Çameria
Është tregimi për barbarinë
Plaga ime e pashëruar
Libri i papërfunduar i historisë
 
 
Çamëria
Është kodi i pazbërthyer i perëndisë
 
29.04.2013
 
 
ZGJOHU POET
 
 
Nuk jam engjull
Në tempullin e durimit
As memec i përgjumur
 
 
Zotin mallkoj
Që as kokën ktheu
Kur Ti Kosovës ia lidhje plagët
 
Zgjohu poet
Se atdheu
I tkurrur ka mbetur
 
Zgjohu ore burr i dheut
E zhvishi
Të gjitha marrëzitë e kësaj bote
 
Europa prapë fle
E djalli lirshëm bën orgji
Mbi kockat tona
 
Zgjohu për Tokën Dardane
Për „gjakun që nuk falet“
Për nder të plisit
 
Zgjohu Ali Podrimja
E ti zëmë pusi të keqës
Se koha nuk pret

1 Kommentar: