Mittwoch, 20. November 2013

Agim Gashi - Porosia e nënës


MOS VDIS BIR, NË DHE TË HUJ!

Gurgullon sot kohë e shkume
Glu-glu gjaku n´zemrën time,
Se ç´më trazojnë nëpër mote
Të paharrume ato kujtime....


Ka shumë kohë, sa nuk e di,
Kur m´përcolli nana mue,
Më përqafoi e më tha:
-Bir i nanës, ku je tui shkue?

M’përqafonte e s’muj u ndajke,
N´vesh ma tha nji porosi:
Bir i nanës, pash atdheun,
Mos u ndal kurr për liri!

Në fund ma la nji amanet,
Mu në zemër do ta ruej,
-O pash gjinin që t’kam dhanë,
Mos harro ti vendin tuaj!

Eja vdis, bir, në atdhe,
Se dhe vdekja asht ma e mirë,
Të qajnë motrat e vllaznija,
Miqtë vinë me zemër të dlirë.

Këtu e ke vorrin e babës,
Ndoshta e gjen dhe vorrin tim,
Eja, bir, na hyr në mes,
T‘marrim ty në përqafim.

T‘i ledhatojmë faqet me rrudha,
Ta laj ballin me lot e mi,
Sa t´ka plakë e sa t´ka mbytë
Qe sa vjet gurbeti i zi.

Shumë e randë vdekja n‘gurbet
S‘dim as vorret ku i kanë,
Shumë i djegin e i bajnë hi,
Amanete askund nuk lanë.

Jam ngrit n´këmbë e kam bërtitë,
Ju kam lutë Zotit tim:
M‘i jep krahët me fluturue
Të shkoj e të vdes n´atdheun tim.

20.11.13 Düren

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen