Sonntag, 28. Juli 2013

Nikoll Ulndreaj: Hedh valle Tanusha

 
NIKOLL ULNDREAJ
 
HEDH VALLE TANUSHA

Qielli i bilurtë fërfëllinë gjethnajat e ahut
Me dy palë krahë fluturon kënga majakrahut
Lule u mbush bjeshka barë u mbush fusha
Në sixhaden e gjelbër hedh valle Tanusha
Valle hedh Halili valle hedhë edhe Mujë
Malësor mërgimtar kthehen nga vend i huaj
U zgjua Omeri vajin ka lënë dhe Ajkuna
Sharkisë i bjenë Drini lahutës bije Buna
I gjatë, i gëzuar, i bukur qenka karvani
Flamuri ngjyrë qielli u ngrit tek stani
Qeshuni o ju bjeshkë, qeshuni dhe ju gërmusha
Me mërgimtarë të kthyer po hedh valle Tanusha
Qeshni o ju vasha qeshni dhe ju o baçica
Se nga kënga dhe qeshja u poq boronica
U poq drethëza e mjedra nga ky zë i amel
Orteku po shkrinë në tasin me tamel
Çeli trëndafili i egër me gjemb, në shkëmb
Plagët u shëruan zemra tjetër nuk dhëmb
Zjarr përvëlues na është ndezur në gji
Bjeshkët hedhin valle e s’njohin kufi
Ngjyra e ylbere hynë tinëzisht në ujëvarë
Bjeshkëve Tanusha kërkon dashurinë e parë..

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen