Freitag, 5. Juli 2013

Cikël me poezi nga Sofia Ziri - Nako


Sofia Ziri - Nako

MALL

Ecja bregut të lagësht në heshtje,
në zhegun e djersitur të vargut.
Dirigjoja lëvizjet muzikore.
Dhimbja një fletë e bardhë plot thyerje brenga’ errësirash.
Syrin, ballit të detit ia hidhja shpenguar,
përkrah nurit të fjalës,
ku thellë ish fshehur.

Peng-mall mëmëdheu...
Vite larguar...

Dua t’i mbledh rrëmbimthi si një skllave e kthyer,
pranë rërës së nxehtë të vendit ku linda...
Mall, valëve të detit në shishe mbyllur dua të të flak...

Ndal o mall e loto në sytë e atij, asaj,
atje tej, i sheh...?
Ulur, n’atë gur mendojnë për ty,
s’të kanë harruar...
Lërmë të mbroj ngjyrat...
Po, po, ngjyrat të mbetet rrezeve të mia,
vendit tim të ngrohtë që hijshëm janë ndriçuar
brenda lëkurës time të butë...
E ndiej veten shmallueshëm tani.
Tani hyra në lëkurën time...
Është i bukur ky mëngjes që ndrin,
e rrallë toka në vendin tim,
Shqipëri!

GRISJA E HËNËS MË DJEG SHPIRTIN

Sonte po më digjet shpirti,
hapësira e pakët po më dhemb'
venat më janë ngushtuar,
tensioni i kujtimeve, rend.
forca që bie, trishtimin shtrëngon,
këmbët më duhet t'i marr në krahë,
më vonë përtej reve të humb,
bashkuar me grisjen e hënës atje lart
edhe pse kënga, shpirtit po më grish
vazhdoj veç për ty, të mendoj.

Qerpikët ngadalë po rrëshqasin
dritës së zbehtë në kët' mbrëmje,
ndërkohë rreth vetes, shtrëngoj krahët,
por grisja e hënës më djeg shpirtin...!


EJA I DASHUR, EJA...

Me rrezet e diellit prekem
dhe heshtjen e skuq si padashur,
pragut të shpirtit ulem,
lart qiellit lutem për ty...

Eja i dashur, eja,
vitrazhet e qelqta të thyejmë
mengadale le t'i zbresim shkallët,
në qiell të ngjtemi përsëri.
Të përkëdhelim zemrat sëbashku
dhe pse ndryshe, mendojmë në dashuri...


NË NJË ÇAST

Në një çast kur fryma do më ndalet,
do jetoj për t'fundit herë me tënden frymë,
n'ato grah'ma të këputura të jetës
do mbështjell dashurinë, që kam për ty,
atëherë s'do vdes brenda vetes,
se imja frymë, tënden do të prekë...!


E DUA VJESHTËN

Ti nuk ma njeh shpirtin.
Brenda zemrës time,
yti diamand shpesh-herë përplaset me rezonancat e mia.
Lulet në këtë rast janë të panevojshme,
ato njëherë dhurohen dhe zemrën e rrëmbejnë.
Shkëlqimi i tyre përcjell dritën e duhur.
A e di...?
Çdo ditë shoh trajtën e tëndit mendim’ kur ndryshon,
por rrënjët janë futur thellë,
i vetëm nuk mund’ t’i shkulësh,
të duhet ndihma ime i dashur, mos,
një ditë ato do të rriten, pranvera do vijë përsëri...
Shënjtëria ime më thotë të kem besim.
Pranvera, vërtet nuk lulëzoi atë'herë, por aroma e saj u ndje,
parfumoi edhe dhomën tënde të kujtimeve.
A mendon se nuk e di...?
Do të pres mes stinëve të tjera,
edhe pse vjeshta është mbretëresha ime,
më dha frymën e parë.
Unë bëlbëzova gjetheve, i përkas aromës së saj.
Avujt qiellore i ndjej, të gjitha stinët kanë lagështirë loti.
Sa të ngrohtë janë kur preken lotët zmeraldtë të dashurisë.
Diellin e zgjodha si ndjenjën time
edhe pse s’lufton dot me mullinjtë e erës...
Lumturohem kur zogjtë, ia numëroj nëpër degë pyjesh...
Sot jam e trazuar...
Flladi pranveror dhe pelerina e vjeshtës hynë brenda meje.
Një ditë me gjith’stinat do përqafohemi,
atëherë, universi do jetë imi.
Unë do ta ndaj me ty...!


ATË MBRËMJE

Kish hedhur mantelin e hollë,
sa transparente e zeza ngjyrë.
Ai nisi të vizatonte siluhetën, ndërsa asaj, syri i lotonte ngadalë ...
Kuverta blu shoqëronte lotin e reflektimit në qelqet e dritareve
mbi shtratin që ulerinte nga dhimbja e flladit pranveror të paprekur,
ndërsa shikonte me syza mbi biletë, orarin e nisjes së avionit,
ditës që vinte më pas.
Hapi kanatin e dritares, ku ai shkëlqim dritash, verboi buzëqeshjen e syve
e megjithatë, bënte kujdes duke mbajtur siluhetën të mos lëvizte.
Ajo pozonte ...
Ndofta në mendjen e saj kishin nisur lojën, puthjet,
të cilat ngrinin pa u dhënë.
Ai vazhdonte të vizatonte, ndërsa shikimi i saj hidhej mbi shtratin e ftohtë,
që rënkonte zbrastësirës.
Rrëshqiti mantelin duke zbuluar supet e saj të bardhë
edhe ato ulërinin, nga mosmarrja e puthjeve të asaj dite,
ndërsa lëshonte hijen e zezë tranparente mbi dysheme.
Pëshpërimat mbushën zërin e shpirtit, që heshtëte
mbi bardhësinë e supeve të saj.
Në vetmi mbeti shtrati i zbasur,
ku dëgjohej vetëm gjysëm- buzëqeshja e lamtumirës..
Jashte dritareve,
shikonte si mëngjesi vraponte të trokiste syve të saj, lagështuar
në rrëmbimin e përroit të lotëve, prej dashurisë së pafat ...


SHPIRTIN PO E HUMB

Më duket se pak nga pak, shpirtin po e humb,
më duket sikur nga shtigjet e braktisura po rrëzohet,
natura e egërsuar po më çmend'
dhe ndjenjat humbin udhën pa kuptuar.
Ëndërrat kanë shtuar çmimin e gjumit, shëtisin të lira, më rrethojnë ngadalë,
shijen e hidhur, ëndërrës ia kam provuar, mendova se ishte veç një shqetësim,
prita me padurim të shoh një tjetër, por edhe tjetra, helm përplot zemërim.
Më mbetet të mbështillem krahëve të frikës,
t'i lutem këtë radhë të më lerë të qetë,
të ndjehem e çliruar si atëherë,
kur puthjen shijova për herë të parë...


ËNDËRRIM

Pëshpërisja nën buzë fjalët që dilnin nga kjo zemër' e dashuruar,
si në hoje bletësh zbukuruar rreth' i saj,
syri përlotur i shoqëronte dhe shkëlqimin e hëntë, hidhte mbi to ...
Ishullin e ndjenjave përshkova si të ishte aq ngrohtë në thellësi.
Nuk kishte valëzim ujrash dhe thellësia s'kish ngjyrën gri,
me trupin tim e mbroja për sa kohë unë desha të ruaja çdo qelizë ...

Të pamundurën kërkoja të shpërbëj,
dëshirat që dua në krahë-pulëbardhash t'i vendos dhe heshtjes t'i them merri,
por më ndodh edhe kështu,
ndërsa unë prisja me ankthin mbërthyer të rrëmbeja puthjen tende,
vjedhurazi m'u zhduke si një ngjalë ujërave të turbëllt'
ndërkohë, mendoja se nuk mund të ndodhte...

Zemra nisi të luante me rrahjet kardiake si në atë kohë,
kur sytë e mi u përplasën me të tutë
edhe pse këta sy kullojnë lotë të nxehtë
mua më mban deshira të të puth.
Sa shumë do doja në këtë çast... !

A thua s'do kem rast, të qëndroj si atëherë krahëve të tu,
ashtu si era puthjen merr, po ashtu supeve të bardhë, të më mbështjellë..?


GJYMTYRËT KËRKOJ

Gjymtyrët e mi nuk di ku i kam,
pak më parë brenda vetes i kisha
edhe pse e lodhur nga kjo ditë e bardhë
aq shumë për to, kam nevojë tash'.
Ndofta përgjumësh unë isha
dhe mbrëmjes nga shtrati m'u larguan
ndonëse më duhet t'i mbledh të gjitha,,
veç tani, jo, nuk po mundem .

I shoh tek shkallësh zbresin poshtë
një baladë pa mua duan të bëjnë,
oh, sa të lirëshme duart drejt qiellit ngrejnë
dhe hëna i ndricon bulëzat e gishtërinjëve,
karpet, metakarpet po u ngrohen,
ndërsa unë shplodhjem tek i shoh,
më duket të pres çdo bëjnë më pas...

Retë nisën të shkarkojnë mengadalë,
u shoh sytë rënduar nga lot' i zi,
nuk dua të njomen gjymtyrët e mi ,
me kujdes do ti mbledh me radhë t'i montoj,
së bashku të kthehemi shtratit të pushojmë,
se jeta rilind në momentin kur zgjojmë shpirtin
nga një gjumë akoma dhe më i thellë,
për atë qetësi, që të gjithë e dëshirojmë ...


PORTRET PAPUNËSIE

Duke ndjekur hiret e fluturave rreth dritës, lambadarit nën degët e pemës,
atmosferës muzikale zë-bilbilash deri në rënien e muzgut,
më ngjan si botë e psherëtimave të mekur deri sa dëgjohen tingujt e oboes
si tingujt të pafajshëm të një krijese që prek dhimbje të buta...

Megjithese brenda mëndjeve dëgjohen pikëlzat e shiut
trokitur drejt e në zemër,
shpesh qosheve të rrugëve kokëulur si pula të shushatura ,
shoh plot të angështuar që psherëtijnë dhe shtrëngojnë barkun nga uria
ndërsa fjalët u kanë mbetur buzëve,
zbardhuar si gjurmë qumështore të thartuara
kohë harruar shishja hapur dhe buzëqeshjet e tyre të thyera dalin në pah,
si në një ekran të gjërë televizori ...


FRYMËMARRJA YTE,
KTHEN SHËNJTËRINË NË NJË POPULL
...

Toka ime,
ti merr dritë nga qiell' i pafund.
Toka ime,
hëna të ndriçon gjatë natës së errët
dhe zogjtë fsheh' foleve të pemës.
Toka ime,
etjen shuan me lotët e mërguar,
se shiu s'të mjafton asnjëherë.
Ti toka e vëndit tim,
ti je prehja e të rënëve,
hapësirave të tua kanë fshehur shpirtin mos i thyhet
dhe sa ngrohtë i mbulon, mos i ndalet fryma.

Në tokën time
do t'më marrë malli për të pushuar.

Toka ime,
frymëmarrja yte kthen shënjtërinë në një popull,
që miliona vitesh, mos jetë harruar.
Aty, do desha të lëngoj vdekjen,
se dheu në tokën time, është më i ëmbëlt'...!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen