Freitag, 14. Juni 2019

Një tufë me poezi nga Asllan Miftari

Asllan Miftari

MIQËVE TË MI POETË

Plot vargje në letër kam hedhur
Per dashurinë, fëmijët, nxënësit, mësuesit,
Për këngëtarët, artistët e mbarë njerëzinë
Për vendlindjen, natyrën, nënën e babanë
Vargje pa fund për ju miq të bekuar
Që si Ju, të rrallë në këtë botë janë.

Por mbrëmë në mesnatë vonë
Një detyrim më kërkoj shpirti im
Për miqtë e mi poetë
Të bëj ca vargje dedikim

Për ju miq poetë
Të lënë pak menjanë
Për dhimbjet e shpirtit tuaj
Që asnjëherë të pakta s'janë

Unë i di të gjitha,miq poetë
Dhe netët tuaja pa gjumë 
Di vuajtjet e shpirtit të poetit
Që kërkon të shërojë plagë të thella
E të derdh shpresë në vargje si lumë

Unë i di të gjitha,miq poetë
Ju përpiqeni botën të largoni nga skëterra
Të shkruani për paqe e mirësi
Njerëzimin të largoni nga flaka e urrejtjes
E me vargun tuaj të bëni mrekulli

Unë i di të gjitha,miq poetë
Esencën e vargut tuaj plot çiltërsi
Njoh adrenalinën e butësinë e vargut tuaj
Që sjell paqe në çdo shtëpi

Vargu juaj miq, largon furtuna e stuhi
Në zemrat e njerëzimit sjell pranverë
Sjell cicërrimat e bukura të zogjëve
E këngët e bukura të bylbylëve si perherë

Unë njoh thirrjen e vargut tuaj 
Kushtrimin e jehonën e tij
Që këtë botë të lodhur e të trazuar 
Ta kthejë të lumtur e në begati

Unë njoh dhimbjet e vuajtjet e shpirtit tuaj
Siç njoh dhimbjet e vuajtjet e shpirtit tim
Njoh vështirësinë e vargut tuaj të hedhur
Nëse dikush nesër do t'i bëj,mirë a keq-gjykim

Unë njoh thirrjet e vargut tuaj
Hënës i kërkon, në mjergull të lëshojë dritë
Unë njoh thirrjet e vargut tuaj,
Diellit i lutet, natën ta bëjë ditë

Unë njoh britmën e vargut tuaj 
Qiellit i kërkon të lëshoj lot gëzimi
Njoh thirrjen e vargut tuaj 
Asnjëherë mos të na mund hidhërimi

Unë e njoh çiltërsinë e vargut tuaj
E njoh dhe në mbrendësi
Unë njoh thirrjet e fuqishme të vargut poetit
Që botës e njerëzimit anë e mbanë
I përcjell paqe e dashuri!



ZËRI YT ZBUT DHE GURË
(Koloses së këngës popullore artistes së madhe 
Fatmira Breçani me rastin e ditëlindjes!)

Krahë hapur ty të presin
Bota anë e mbanë
Ngado që këmbë ke vënë
Ti, ke bërë të madhe famë

Zëri yt i bukur
Eshtë si zë, zane mali
Bukuria e zërit tënd
Të vdekurit i zgjon nga varri

Zëri yt i bukur
Mos u ndaloftë kurrë
Zëri yt i brilant
Zbut, dhe më të fortët gurë

Zëri yt gjigand
Drithërima i leshon tokës
Bukuria zërit tënd
Trondit skenat e mëdha të botës

Zëri yt i fuqishëm
Dhe qiej, si rrufeja shpon
Kudo shkel këmba jote
Kombin e nderon!

Ti je ambasadore paqe
E mbarë gjithësisë
Ti je ambasadore e bashkimit
Të mbarë shqiptarisë

Kudo jehon zëri yt
Anë e mbanë nëpër botë
Shqipet kudo ndodhen
Ti i mbush, me të gëzimit lot

Ngado që të vesh
Zëri yt, thërret për shpresë
Kudo pulson zemra jote
Njerëzit i ngren peshë

Zëri yt i bukur
Eshtë si zëri i bylbylit
Zëri yt i ngrohtë
Ngroh si rrezja e diellit

Në cdo cep të vendit
Zëri yt dëgjohet
Me bukurinë e zërit tënd
Çdo njeri krenohet

Me fjalët e ëmbla
Që ti nxjerr nga goja
Të nderon i gjithë kombi
Jo vetëm nënë Tropoja

Zëri yt i bukur
Eshtë si zë,e malit zana
Sokoleshë,Fatmira Brecani
Ty,nuk të lind më nana

Zërit tënd brilant
Anë e mbanë i ka dalë nami
Ti je hyjneshë qiellore
Ti je legjendë Fatmira Breçani
Sot është një ditë e vecantë për Ty
Të përshëndesin nga jugu në veri
Shume urime nga mbarë trojet tona
Të uron Çameria, Kosova e mbarë diaspora
Të urojnë pleq, gra të rritur e fëmijë
Me plot zemër të thonë
t’u bëftë dita NJËMIJË!



JO VETËM NOSTALGJI…!

Halle të mëdha t’kanë rënë mbi kokë 
Ditë për ditë e mot për mot
Dikur peshën e ke pas të rëndë
Sot s’të ngroh diell, as s’të ndriçon hënë!

Të mbaj mend me sy të pa ngjyrosur 
Shtatin si selvi e shpatulla krekosur
Buzët pa make-up,e faqe të pa pudrosur
Me fytyrë të njomë e vello të pa rrudhosur

Netëve të acarta, 
na mblidhje për rreth votrës
Zili na kishin, 
The”Boss”-ët e botës!

Të kujtoj me mall, filiz duke u rritur
Hap pas hapi, majave duke u ngjitur….!
“Fanar ndricues” buzë Adriatikut
“Halë” në sy na kishin,
ata matanë Atlantikut!

Dritë duke bërë, me kandil në dorë
Fëmijët duke qeshur e zënë dorë për dorë
Në mes të dimrit kriste muhabeti
Muret e shtëpisë vlonin nga lezeti!
Dhe pse s’kishte kompjuter e qendër interneti
Kryefjalë ishte nderi, besa e sinqeriteti!

Nostalgjik nuk jam,
s’dua të shkruaj për nostalgjinë!
(Ndjesë ju lutem,por kujtova pak fëmijërinë)
Endërruam për një botë me veshje të re
Që e shtrenjtë liria të ishte me ne
I dua ata që mbrojnë të drejtat dhe lirinë
Ata që këtu na e mbajnë si ”nuse” rininë 
Ata që e quajnë, jo plaçkë njerinë
Ata që luftojnë pa mëshirë krimin e varfërinë
Ata që arsimojnë, e këtu e duan fëmijnë!
Dua”bankierët”e mençur, që ruajnë,
Këtu pasurinë! 
(Inteligjencën)

Shkas që shkruaj sot janë,
druvarë të etur për zjarr
Rrugëve të botës,njeriun bëjnë pazar
Presin pa meshirë”filizë” të njoma
Presin”degë”të reja e shkulin,”lule” plot aroma
Trondisin e krasisin vendin anë e mbanë
Hënën duan të kapin
Diellin të gllabërojnë 
e ta kthejnë tej mbanë!




ME VAJ KOMBIN E MBULOVE
Heroinës së kombit Zarife Hasanaj!

Ah moj e hënë e zezë,plot tinzëri
Ç’na e solle këtë lajm të zi
Mbarë kombin na e veshe në të zi
Sot diellin e hënën errësira i ka nxënë
Motër Zarife Hasanaj,heroinë ka rënë

Edhe dy muaj,të priste babai dhe nëna
Krenare të kthehej në shtëpi
Por këtë të hënë të zezë Maj
Pabesisht të tradhetoi jeta
E të solli fatin e zi!

Me plot shpirt e vrull Ti u nise
Me plot ndjenjë e krenari
Të shkulje rrënjët e barotit arenave të luftës
Të shuaje flakët e zjarreve vrastare
E të pa fajshmëve t’u ktheje paqe e qetësi

Me plot zemër Ti u nise
Me guxim e plot trimëri
Dinjitetin t’u vendosje
Shpirtërave të rënë për liri

Në këtë Maj
Qielli nuk ishte i kthjellët si herët e tjera
Këtë Maj e zezë erdh pranvera
Bylbylët nuk këndojnë,rrinë menjanë
Diellit,dhimbja rrezet ja ka zënë
Dritë nuk lëshojnë as yje e as hënë
Trimëreshë Zarifja,heroinë ka rënë

Heroinë Zarife..!
Prindërit e kolegët të prisnin
Të vijë me këngën e hymnit në gojë
Por pabesia e jetes,e shuajti ëndërrën
E përloti mbarë kombin
Jo vetëm nënën Tropojë!

Zarife Ti si nuse u ktheve
Heroinë me plot lavdi
Mbështjellur me vellon kuq e zi
Në tokë nuk ka varr që të mban
Nuk ka dhe që të tret
Heroinë e lirisë,në qiell do të ngjitesh
Përkrah Perëndisë do të qëndrosh përjetë!

Sot…!
Gjysëm shtize u ngrit flamuri
Edhe natyrës e luleve u ra nuri
Gojët e bylbylëve,heshtja i ka mberthy
Këngët e tyre janë zhytur në vaj e zi

Zarife heroinë…!
Sot ke hyrë në librin e historisë
Po ngjitesh në altarin e lirisë
Je nisur drejt qiejve të pavdeksisë
Emri Yt do të rrojë në kalendat e përjetësisë!

Heroinë Zarife,për paqe u flijove
Familjen e kombin,përjetë i nderove!


GISHTIN KOKËS JU TË DY..!

Rëndë-rëndë peshon,fjalë e shkretë
Ndonjëherë, shpon si bajonetë
Po të nxirret bukur, bën mrekulli
Herë-herë, shkon më tej se plumbi
Gishtin kokës, ju të dy!

Ti do të biesh, nga majë froni
Dhe Ti, do ngjitesh në lartësi
E rrumbullakët është jeta
Gishtin kokës, ju të dy!

Kanë kaluar vite shumë
Janë lodhur, këta dy sy
Ulje-ngritje kanë mbartur supet
Gishtin kokës, ju të dy!

Shpesh herë jeta, është rrugë me brenga
Me të palara dhe tinzëri
Shtigje të rrezikëshme, errësirë nate
Fjala shkon më tej se plumbi
Gishtin kokës, ju të dy!

Nga majë froni
Kanë rënë dhe mbretër
Erërat pranverore, mbarsen me stuhi
Lumenj dalin nga vetvetja
Gishtin kokës, ju të dy!

Nga fjalë e rëndë,as bar nuk mbin
As qyqe s’këndon mbi dhe
Asgjëkundi s’ka liri
Nga fjalë e rëndë, loton dhe qielli
Gishtin kokës, ju të dy!

Fjalë e ëmbël, urrejtje largon
Male me njëri-tjetrin afron
Sjell paqe dhe mirësi
Nga fjalë e rëndë, dhe qielli rrin nxi
Gishtin kokës, ju të dy!

Kolltuku nuk është pronë
“Nderi”,është përgjithmonë
Gishtin kokës ju të dy
Gishtin kokës sa s’është vonë!

“Plagët”, nuk shërohen me magji
Kërkojnë mjekim, “Therapy”
Gishtin kokës sa s’është vonë
Gishtin kokës ju të dy!

Kolltuku nuk është pronë
Të rrëzon, herët a vonë
Dhe mbretër, kanë rënë nga fronë
Gishtin kokës, ju të dy!
Gishtin kokës, sa s’është vonë!

8 Qershor 2019

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen