Montag, 7. September 2015

IDHULL I DASHURISË SË ZOTIT MBI DHE


Poezi nga Naxhije Doçi

IDHULL I DASHURISË SË ZOTIT
MBI DHE – NËNA TEREZE


Gonxhe Anjezë Bojaxhiu
agmi e purpurtë shëmbëllimi
që në lutjen e parë të hirësisë.
Në pikturimin e madhështisë së ngjeshur
ujëvarë e dehur e krenare
me rrënjë e gjak shqiptare,
e lindur në zemër të Dardanisë së lashtë
në Shkupin e vrullit të ndezur prore
nga prindër skofiarë me palcë e asht
Drane Barnaj (Bojaxhiu)
nga Novo Sellë e Gjakovës
e Kolë Bojaxhiu
i thellësisë së fisme mirditore.

I përflakur viti 1910
kur u linde ti
ngjizje e jehut të ylbertë
shkrirë në dëlirësi ndjenje,
kohë me epshe të trishta demonësh,
heretikësh të lëbyrtë
me mllefe të përdredhura
në udhëkryqin epik të Ilirisë
kur rrokullisej gur e dhe
me trandje apokaliptike.

Gonxhe me ëndërra rinie si magji
jehut kumbues për diellin
që të bëhesh mësuese e popullit
për edukim brezash me urtësi,
imazh i blertë në përmasa trungu.
Vargëzimi rrëfim i pëlcitur thellësie
përflakur frymimit shqip
në komponim melodish me shpresa.

Megjithatë,
jeta nëpër kahjet e veta
me sfida të shumta e me kthesa,
etje e pashuar pafajësie
në rrjedhë mrekullie.
Gonxhe Bojxhiu - NËNA TEREZE
Nënë e Shenjtë-Qirinj i ndezur 
me zemër të madhe sa krejt bota,
sublimë koherente e rrallë
me besimin shkëmbor të patundur,
legjendë e gjallë.

Nëna Tereze
lajmëtare e ndritur
me besë e fe
idhull i dashurisë së Zotit mbi dhe.
Misionare e mirësisë për njerëzit
me mbi gjysmë shekulli veprimi
jasht fokusimit të dheut mëmë
kurrë nuk pushove së thënit me krenari:
“Atdheu im është një vend i vogël
me emrin Shqipëri”.

Nëna Tereze,
Nënë e mëshirimit të pamposhtur,
Nobelistja e Madhe
për Paqe në Botë,
të varfërit e skajshëm
të Kalkutës,
të Indisë dhe të krejt globit
i afrove,
të sëmurët i shërove
në shtim shpresash për jetën,
për kuptimësinë e të qenit njeri.
kjo dhunti e papërsëritur e Zotit.

Prishtinë, 05. 09. 2015