Dienstag, 28. April 2020

Katër poezi nga Sadik Krasniqi

Sadik Krasniqi

NË KOHË KOLERE

Sa i pastër ky qiell
si para miliona vjet
si dita e parë e tij
as një grithë e bardhe në atë blu
asnjë avion me bisht prej tymi
i madh
askund skaj
i thellë
i bukur
i urtë si loti
syri i Zotit
që kurrë nuk dremitet
as mbyllet
veç bebëzat i ndërron
e na sheh me pikëllim
neve të gjorëve
se si vdesim për çdo ditë
në këtë kohë kolere
nga virusi
me emrin e bukur kurora

Nidda



ATA IKËN

Ata ikën
i çuan në dhomat e bardha të vetmisë
e dritat i kanë ndezur për hijet e tyre
që vallëzojnë
valsin e jetës
me një muzikë
që e dëgjon
vetëm muzgu

dhe unë
a hija ime

*Bad Salzhausen



LAMTUMIRË

Sa të deshta
lamtumirë i miri im
thot me sytë e mbyllur
me fytyrë kthyer
nga dielli që në det po bie

s´bëzaj

unë a ai diell
do bëhet natë
në sytë e saj



PO IKIN

Po ikin
për ditë
përtej perdes prej dheut
ata që më duan
ata që gëzohen e pikëllohen për mua

e vdekja ime
s'do t'i bie ndërmend askujt

arkivoli do kalojë si përmes shkretëtirës
pa heqjen e ndonjë kapele
pa vënë ndonjë dorë në zemër

vetëm fëmijët e lagjës
ndoshta për një çast
do ndëpresin lojën

e do thonë të habitur
shikoni shikoni
një i vdekur pa kortezh

loja prapë do të vazhdojë

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen