Freitag, 29. November 2019

Skënder R. Hoxha: EDHE ATËHERË

Skënder R. Hoxha: "Unë pi e dehem /  Me fluturat e natës!"

EDHE ATËHERË

Edhe atëherë –
E dinim se do t’na djegë ndarja
Dhe ankthi i vetmisë

Edhe atëherë –
Lagnim buzët dhe epshet
Me pemët e fshehta të Luginës
Përkundnim ëndrrën tonë
Në gjoksin tënd të njomë
Si zogj të Parajsës...

Aty ku malli im
Shkrihet me mungesën tënde
TI përsërit refrenin:
“Përjetësisht të dua!”
Kjo është fitorja
E të gjitha betejave
Të dashurisë sonë!...

Unë pi e dehem
Me fluturat e natës!

Montag, 25. November 2019

Haxhi Muhaxheri: DASMA E ZEZË

Haxhi Muhaxheri

DASMA E ZEZË

në dasmën e zezë
mungonin krushqit
me këmishë prej dielli
e
dylberet e zverdhur
shqelmonin tokën
duke lozur mbi muranë
vallën e shpendkeqës

nga djersë e kokës së tyre
u grisën plisat e nxirë
dhe një erë e lehtë
rrokullisi shtëpinë prej letre

24.11. 2019


Disa nga komentet për poezinë

Sadik Krasniqi, shkrimtar: 
Teresi metaforike (si alegori) e aktualiteteti te majave te zeza!... Befasueshem e bukur! Te lumte poet!

Arif Molliqi, shkrimtar: 
E djeshmja dhe e sotmja e shpendkeqes nuk paraqitet ndryshe veç kështu. Metaforikisht groteskë e se keqes... Haxhi, na ngacmo me shpesh me poezi te tilla!

Hamit Taka, shkrimtar:
Pak vargje, por sa shume lende e sa shume art! Respekte, mik i nderuar Haxhi Muhaxheri!

Mehmet Rrema, shkrimtar: 
Shpendkeqët shtohen përditë, shtohen e sillen duke kërkuar të grisin këmishat prej dielli. Provojnë për ta zënë diellin, që dasmat tona të mbeten pa krushq... Përgëzime Haxhi Muhaxheri!

Dan Kosumi, poet:
Rrofsh o mjeshtër i vargut dhe i metaforës! I paç me jetë krushqit me këmishë prej dielli!

Sevëme Fetiqi, poete:
Rruge te mbare per dasmoret me kemishe nga dielli! Ata e dijne nga duhet marre nusja! Te lumte o poet Haxhi Muhaxheri!

Sonntag, 24. November 2019

Ajet Shala: NËN HIJEN E PLISIT

Babë e bir, Habib dhe Ajet Shala

NËN HIJEN E PLISIT
(Kushtuar Babait)

Mes rrudhash të babait të shtrenjtë
Lundrojnë nëntë dekada krenarie.
Në ugare kullon djersa si vesë
E ndër vite mbillet farë e florinjve.

Nën hijen e plisit borë të bardhë
Currili nuk ndal kurrë gurgullimë
Rrodhi djersa si rrëkeja në ujëvarë
Rrjedh lumi që freskon ardhmërinë.

U zgjuan krismat e luftës së gjatë
Në shtigjet e zymta të sfidave
Mbete dëshmitar i historisë së pafat
Ndër fushëbeteja, si mes vetëtimave.

Nga mermerët e reja u zgjua liria
Hapi krahët dhe bijtë e saj përqafon
I miri baba merr urime me mijëra
Me bastunin drejt yjeve heronjtë numëron.

Në vitet e tua përherë e prekëm jetën.
Preka ëndrrën e re që nesër do të kem.
Gjithë lulet e bardha që mbushin degën
Për ty të bëhen fruta në çdo mëngjes.

Për ty thuren ditëve sa e sa urime
Që gdhenden tek kujtesa kohë pas kohe.
Në ditët që prekën fëmijët nëpër vite
Me ty morën krahë të fortë shqiponje.

24.11.2019

Dy poezi nga Zyrafete Manaj

Zyrafete Manaj

STINËT E MIA*

Njëzetepesë pranverat s'i njoh për të miat
Se digjet lulebora nga hija e mallit
As krah dallëndysheje nuk rrah këndej kah pragu
Syt verbue malli.

Njëzetepesë vera me vapën përcëlluese
Rrugëve të botës kalimtare regjur
Me gëzime për ardhjet
Puthjet me atdheun
Ujitur me lotët e ndarjës,
mos'harrimit.

Njëzetepesë vjeshta mbledhur në thes
Ngjyrat e dhimbjes ndezur nëpër mote
Për brengat e sofrave në mungesë
Vrapin e rrugëve, për ti zënë ndarjet.

Njëzetepesë dimra nëpër zemër
Ashti nën mrizin e akullit
shoqe me mallin
Përshpërit tregimin e paharruar
Qysh shkuam, si i lamë, a do t'i mbërrimë për së gjalli.
__
*Njëzetepesë vite kurbet!




KUR U NISËM
(Në ditën e refugjatëve)

U nisem me rrugët në krah
Shkallare jete menduam
U ngjallëm e u vram
Bukë malle gatuam.

U nisem me e nis jetën
I vram plagët e vrara
Shkrumuam mote e vite
U ngjallem sa herë nga e para.

Herë të huaj aty ku qajtëm së pari
Për ata që të huaj u bëmë
Herë këtu që malli na vrau
E prapë të huaj na thonë.

Samstag, 23. November 2019

Fakete Rexha: SONTE...

Fakete Rexha

SONTE 
       NË KËTO ÇASTE
                KISHA PAS DËSHIRË

Dashunia asht kafshë. Ka dhambë t'mprehtë.
Kurrë s'shërohen kafshimet e saj. Kur iku ai,
shpeshë m'ikte edhe gjumi. Të dy kishin harru
andrrat me i marrë me veti. Mos me mi lanë
barrë mu. Ai, andrrën se më do, e gjumi
andrrën që m'gjenë këtu ku m'pati lan dje
mbrama. Bij t'fle e mungesa tij m'shtynë buzë
shtrati, veq sa s'më rrëxon përtoke. Sa kisha
pas dëshirë në këto çaste me u shkri n'duart
tua, që m'bajshin vend mbrenda krahnorit me
frymën e nxehtë te qafa. Me dashuni, nga
dashunia, ashtu butë, prajshëm, me m'marrë
n'gji tue m'i përkdhelë flokët që m'kanë resh
borë, qafën me njollat e vrugëta që kanë filluar
t'pleqnisë, e kurrizin e shpinës. Çdo vrime
t'shpirtit dregëza me m'i vu me fjalët ma
t'ambla t'dashunisë. Po mërzitem. Sa iu gëzova
dashunisë, m'u desht t'mësohem me mungesën
e saj, që s'ik asnjëherë. Gjithë ditën e lume
ladron poshtë e përpjetë, si kafshë e ndërsyeme,
si e përdalë. Meqë, natën kërkush s'e do, për
birën e çelësit përbirohet, gjumin te unë me
e ba. Kafsha. E ke gjetë t'vogël, t'braktisun,
si jetim skaj rruge. E ke marrë, e ke rritë,
e ke ushqyer me qumështin më të mirë.
Si t'rritet, t'përmbledhë kokës me tasin
e randë t'qumështit, që e ka ba kambë e dorë.

E, sonte kisha pas fort dëshirë me harru.
Kurrë s'asht vonë me dasht.
Por, gjithnjë vonë me thye njeriun.
Se, sonte kështu siç jemi, nesër
s'dihet a do t'jemi ma.

Donnerstag, 21. November 2019

Rakela Zoga: NATËN E DESHA NËPËR ËNDRRA

Rakela Zoga


Për ty!

Natën e desha nëpër ëndrra.
Pushtoja pyje të gjelbër...
Mëngjesi lindi një diell,
Por me mbyti me trishtim.

Mesdita mbarsur me zëra kalimtaresh,
Kërkoi dhe zërin tim...
Por e desha akoma në pyje të gjelbër,
Si një ëndërr pa zgjim, pa fillim...