Dienstag, 28. April 2020

Poezi nga Ylli Meçe


Ylli Meçe
POSHTË URËS ATY MBI LUMËBARDH
(Mitrovicës së plagosur)

  Shëëëëët... e plagosur po fle një urë,
  mbi kurrizin e kohëve të marra
  Me armë,helmeta e tela fort në të dy skajet
  këmbë e kokë lidhur trupin
  Përgjumësh " qyteti sonambul" gdhihet pa qejf
  me ëndërra të ndara...
  Lumbardhi dhe pse i trubullt devijon
  e kokëulur ecën për të fshehur turpin

  Asnjëherë s'pat ndodhur që mbi një urë
  tè ulej ashtu dhe vetë Evropa
  Për ndokënd do të ngelet mister
  dhe të vërtetën akoma ndofta nuk edinè
  Veç në këmbët e saj dikush shkroi në shqip :
  Unë jam vet revolta
  Shpirti s'përgjysmohet një pjesë për shqiptarët
  dhe diçka për Serbinë !

  Shëëëëët... po flejnë barrikadat të lodhura
  nga pesha që mbartin
  ( Belbëzin me vete historia :E rrallë kjo,
  për të mos thënë kurrë!)
  Zgjohen fèmijët prej dy anëve e nga pagjumësia
  gojët e tyre hapin
  Pranë urës mbi Ibër sodit Evropa 
  fushëbetejën e fëmijëve me gurë

  Shëëëët - ju lutem pak qetësi
  përballen matanë urës dy lapidarë
  Shkruar te njëri dëshmorë lirie
  po aq dhe tjetri plot invadorë
  Histori të tillë ma besoni
  Globi kurrë në shekuj s'e ka parë
  Heronj dhe pushtues luftojnë,
  dhe në monument me armë në dorë

  Ti qesh e zgërdhihesh Evropë,
  sikurse qeshe në Londër vite qëmoti
  Vallë a nuk e ke kuptuar se poshtë urës mbi Lumbardh
  po s'pati paqe - ka fuçi baroti ?!

Nga libri "Ngjyrat e Kosovës"



MEDITIM PËR ADEM JASHARIN

Sa vështirë e paskam
“Bacë”, për ty poemën
ti “shkrove ” me pushkë,
unë “pushkë” kam veç penën.

Vallë çfarë mendoje…
në at’ Mars plotë ngricë,
a mos vallë flamurin
ngritur në Drenicë?!

Se ç’ma ndeze zemrën,
nuk di pse mendova,
në at kullë-kështjellë,
mbledhur gjithë Kosova...!

Eh… kjo kulla jote
ndërtuar me gurë…!
Themelet plot-zemra,
zemrat gjithë- flamur!

Kjo kështjellë barot
nuk është si e Mujës,
tre herë u rrethua
si kala e Krujës!

Jashtë, përmbi mure,
me plumb gdhendet guri,
tash lufton kështjella,
në ballë prin flamuri!

Ndalet për pak çaste,
ndalet historia,
dridhet universi,
nën peshën e tija.

Dikur dhe ka ndodhur,
Veç…shekuj më parë,
kur lufton kështjella,
vetë në vijë të parë!

Brenda një fortese,
tre ditë epope,
çjerr faqet Evropa,
se… do kabare !

- Si u ndjeve ” bacë”,
kur e pe të vrarë,
në fortesën tënde
dëshmorin e parë?!

- Ky vend i shqiponjës,
s’ka dëshmorë të parë,
nuk ka as të fundit…,
ndaj dhe jemi gjallë!

Flakë e zjarr do ndez,
dushman,bir i bushtrës!
unë jam prej Prekazi
flas me grykë të pushkës!

Flakë do marrë Kosova,
një herë kemi le,
unë jam shqipe mali,
ti korb pa atdhe!

Do të shkul prej toke,
shkja… – të humbtë soia.
për liri- mbjell arat
me plumb e gëzhoja!

Je një farë e keqe...
s’bën për Dardaninë
dhe në tokën tënde
je mort për Serbinë!

Ndaj shporru prej meje,
në shpirt kam Lirinë,
atë s’mund ta vrasësh
është për Shqipërinë!



EVROPË, 
UNË E KAM FLAMURIN !

I shtrëngova duart grusht
Dhëmbët theva prej inatit
Se jam bir i kësaj toke
Kosovar që s'pret prej fatit

Nëse unë e kam flamurin
Pse në shtizë vure një tjetër?
Do t'më thuash se lirinë
Ti ma fale "zuskë e vjetër"?!!

Unë nder shekuj vrullshëm renda
Për Atdhe... e për flamur
Bota hiq... se nuk e dashka...
Ata hiq... e ne prapë vur!

Ky flamur më duket ndryshe
Nuk më duhet jo për besë!
Se pa drite ...çdo lule vyshket
Pa një zemër...çdo komb vdes!

Si se njohe kurrë shqiptarin...?
Moj Evropë ...që rri mbi letër!
Ne Lirinë edhe Flamurin...
Nuk e ndrrojmë me asgjë tjetër!

Nëse fale një flamur
Dhe e morën pa e parë
Sytë vallë ku i kishin?
Se me gjak ky s'eshte i larë!

Ah moj kohë e padrejtësive
Si me vjen kështu maskuar
Pse ma ndan më dysh flamurin
E pse më bën të rrebeluar ?

A e di ti moj Evropë
Se flamurin kam Atdhe?
Nëse ti ma heq shqiponjën
Kot që rrojmë, përmbi dhé!

Po të them: Mos më godit!
Mos godit mbi gjak të rënë
Padrejtësive shekullore
Pse u shton nji më të rendë?

Këtë "dhuratë" unë nuk ta dua
Është turp turp për besë
Unë e kam në shpirtin tim
Dhe në zemër do të mbesë!

Ndaj dhe zemra me rreh fort
Gjakun që kalon në rremba
Nuk ma ndal dot as me plumb
Nuk ma lidh as tel me gjemba!

Ne shqiptarët që prej motit.
Pak i pamë lulet e fushës
S'na la tymi i barotit
Nuk na lanë erërat e luftës...!



ËSHTË E JONA SHQIPËRIA

(Kushtuar Heroit të Popullit Vasil Laçi i cili i bëri atentat
Perandorit të Italisë fashiste Viktor Emanueli të lll-të)

Të drejtë pate dhe ti ,or Mbreti Italisë
Ta shihje nga afër, atë pjesë perandorie
Kurorën e braktisur, në ditën tonë të zisë
Ta patën lënë aty, mbi një fron tradhëtie.

Ti erdhe një ditë pranvere, që bëri ftohtë
Ç’pate ç’të tha mëndja , që vendose ashtu?
At’vit pemët s’çelen lule, po derdhën lotë
E ti bashkë me Vërlacin,shëtisje tutje e tëhu.

Kuptohet , koronën si gjithë mbretrit vure
Në at’kokën e voglë të ngjashme si çibuk
Me shpatën ngjeshur mbas kërbishtjes pa tule
Perandori që vuan,e mezi ngjitet në kolltuk .

Konti i juaj aq entuziast ju pat premtuar
Shqiptarët do t’ju pritnin gjith’ gaz e brohori
Dinaku pushtues ! Ofrove bashkimin etnik
Me ndërrim skllavërie... në tënden perandori .

Ehh ti mbreti xhuxh, jo i gjatë sa e jotja shpatë!
Ata që të dërguan ,si nuk t’i thanë zakonet tona?
Prej një naganti plumbat që dolën vollën flakë
Përzier fort me thirrjen” Shqipëria është e jona”!

Thonë se mbasi ”ia hodhe” përdore ironinë
Mësojeni-the - Të qëllojë djaloshi me kobure!
Po cilin shkurtabiq e kap plumbi në makinë
Paçka se kur zbrite , keq tu lagën ato poture!

Duçen tënd shastisur keq e kapi ngërçi at’ ditë
Jo se për mbretin e vet do të ish i shqetësuar
Pesë plumbat mbi të dhuratë për perandorinë
Prej një dore që tregonte luftën tonë...filluar!

E varët djaloshin atentator pa zhurmë e bujë
Bile kujdesshëm të dya, ia fshehët dhe vet Italisë
Ahh o mbreti xhuxh më i voglë se vet shpata jote
Kurorën e Skenderbeut e kemi të Shqipërisë!



S A Z A N I 

Pa zë dhe i heshtur, qëndron si një plak
i moçëm i vetmuar.
Rrethuar tërësisht prej ujit me mijëra,
e kush e di se sa vjet!
Miqësi ka me detin tekanjoz, herë të qetë,
e herë të harbuar
Dhe andej nga lind dielli, një popull
po aq i vjetër, sa dhe ai vet.

Kush nuk e njeh mirë Sazanin,vështirë
do ta kish, për ta kuptuar.
Nuk di pse heshtja e tij mendimet si dallgë
pa reshtur, m'i trazon.
I jap të drejtë, kushdo kur braktiset,
ndihet keq, bile i tradhëtuar
Si pleqtë e vrarë në shpirt, ai fsheh dhimbjen
dhe lotin kur pikon.

Kur e shikoj ashtu ligështohem, sinqerisht
dhe unë si ai lotoj
Më merr malli për gurët, kepet gjiret, e deri
te "Grykë e Xhehnemit"
I rrebeluar jam, e nga inati me grusht fort,
nuk di kë të qëlloj.
Pse u tjetërsuam, mos vallë dje ishim ne
ata që sot, nuk jemi!?..

Ehhh Sazan! Ti s'ke faj, fundja tabanin
nuk e lëvize prej vendi .
Jo vetëm ne, por dhe bashkëmoshatarin tënd,
kapriciozin det .
Në këmbë i prisnin agimet, e shqipen
përherë duke fluturuar.
Pararojë e tokës time, ushtar i betonuar
me pushkë e bajonetë!

Teksa kujtoj shokët e alarmeve, pse flaka e shpirtit
më ngeli e pafikur?!...
Bashkë me ty Sazan, pimë fare pak ujë të ëmbël
dhe më shumë të kripur!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen