Sonntag, 22. Februar 2015

Ramadan Emini - Ide të plagosura


IDE TË PLAGOSURA

Sonda e mendimit
futet thellë e më thellë
në damarët e heshtjes,
në të errëtat e pathëna
në muajin e parë të vjeshtës.


Ide të lagështa nxjerr
nga thellësitë e errëta
të pusit të heshtjes,
të shtresuara aty me kohë,
të shpuara nga maja e heshtës.


Ide të plagosura rëndë
nga brejtësit e kohës,
fashuar me gjak e me lot,
të pathara akoma në diell,
duken si mumie, ashtu kot!


Mbi ide ndërtohet tërë llogosi,
qofshin të lagështa,
të leshta apo të thara,
vezën pa qime e din dhe qerosi,
thonë, fjala ishte e para.


Nëntëdhjetë e nëntë herë
në të thënshin i marrë,
ti mos u ligështo,
me shportën e vogël të ideve
një murë të vogël ndërto!


(R. Emini, 20.02.2015)

Maxhun Osmanaj - Dy poezi


Në Kalanë e Krujës

Në Kalanë e Krujës
Takova historinë
Gjergji më priti i pari
të tjerët ballëlartë më dolën para:
Zaharia Gropa, Pal Kuka, Lek Dugagjini
Tanush Topia, Mamica Kastrioti
Vrana Kontri, Gjergj Arianiti
Unë dardani i vogël i Dardanisë
T’i pashë rrënjët në shkëmb
këmbët në gurë, rrethuar në qëndresë mur
vizitorët e huaj flisnin me epikën
dilnin t’ushqyer me t’vetmen porosi
Gjergji, balli i kombit
Paska ruajtur ndër shekuj
të djeshmen,të sotmen, të nesërmen Arbëri
kalasë ia putha kujtimin
iu përkula legjendës - burrërisë
ende gjurma ndër shekuj
mbetet e gjallë, promethe e krenarisë  


Krujë, gusht 2014



Kam me ardh’ tek ti një ditë

Kam me ardh’ një ditë tek ti
Atëherë kur fare s’më pret
T’gjitha dhembjet,ndjenjat,gëzimet
Humbjet,dështimet,fitoret
Do t’I përziej në një trajtë
Do t’I dhuroj në buzët tua
Mos I kafsho as mos I përbuz
Se janë nectar e kohës së largët
Në humbëtirën e kohës na u trenten
Tash kur majat e bjeshkës me dëborë
Kanë mbuluar padrejtësisht fatin tonë
Prano si relikte, si gjurmë
Një dëshirë të djegur në flakë
Një dië fshehtas kam me ardh’
Si ushtar i një beteje të gjatë
të gjitha trofetë po i ruaj për ty
do ta zhvillojmë prapë një betejë
epilogun e dua pa fitimtar
vec shpirtit tënd tgjitha kam me ia falë.


Shtator, 2014

Hysen Këqiku - Tingёllima poetike

  • Tё gjithё krijuesit e relievit kombёtar, qё jetёn e shkrijnё pёr varg sublim, i pёrshёndes me kёto tingёllima, tё shkruara nё vitin 1966/67.
Nga vepra "Vegim i përflakur"
1.
Dielli ka lindë me kohë e toka e djegun dritë nuk ka
Do re të zeza skëterrë edhe frymën na e kanë zanë
Kaherë shiu pikamadh arat mbi shkrumb nuk i ka la
As bilbili kangën për blerimin e tharë nuk e ka thanë


Reskëterrat kalërojnë si ushtria e mundun në ikje
Dhe asnji pikë loti nuk e lëshojnë në grunajën time
Livadhi i etun ashtë përshëndetë me lulet në fikje
Edhe fiku para shtëpisë së vjetër ka po ato lëndime


Therrat në kodrën e gjatë rrijnë në kambë si ushtarë
Në roje të lodhun e të këputun tue e pritë nji ditë
Ta marrin hapin nga kanë ardhë, pa pritë, sa ma parë


Diell, pash rrezet e tua, qite synin tand nga ajo re e zezë
Mos më le me përcëllimën e ftohtit e me mërzitë
Se do ditë në kujtimet e mija janë bjerrë e janë ndezë.


2.
Bjerrë janë do ditë në kujtimet e mija e fare ndezë
Medet edhe copat e janxhikut me do thërrime buke
Kanë mbetë të uritura, sa keq, me fytyrën mërdhezë
Si barka ndër valë e kapun aq fort në fyt për kuke


Kalojnë e nuk ndalen ernat që ftohin e ngrijnë
Edhe bubullima e vetëtimës përcëlluese flakënon
Pas krejt asaj lëbyrje në heshtje shpirtënat nxijnë
E krrakama e korbave mbi mue pushtetin forcon


Ani, edhe veten e lodhin se pashpirtësinë e shfaqin
Në fytyrën time pa shend i mbetun kaherë në rrethojë
Drynat që i prodhoni zemrat e të gjithëve nuk i kënaqin


I mbetun nën hije të zezëresë – pritjen jam tue e forcue
Në mbitokën time qiellin e kaltër e kam mbulojë
E zemra ime nuk dorëzohet ka me u rritë e forcue.


3.
Zemra ime nuk dorëzohet ka me u rritë e forcue
23 vjetët e mia korbat i kanë nxi e ba skëterrë
Ku janë rrapët që nëpër lufta janë nxi e shkrumue
Në Arbëninë e Vogël edhe krojet janë tha e shterrë


Udhëtari me buzë të shkrumueme nuk e ndal hapin
Ia ka msy e Ai patjetër se ka me e gjetë Itakën
Thirrjet e shtegëtarit të dritës ia shpejtojnë hapin
Edhe nga qafa nuk vonon e ka me hjek lakun.


Myku e ka mbulue e me kurgja nuk dallohet
I lanun në nji lagështi ku edhe gaforrja jetën e ban
Si zemra ime eshka, në trup të rrapit shkrumohet


Në këtë pikë të acarit arat e mia dikushhiqi i shkel
Nuk i skuqet fytyra, fytyrë nuk ka, nuk ka as gjan
Kali i Trojës – kali. Në vendnumërim ka ngel.


4.
Kali i Trojës – kali. Në vendnumërim ka ngel
I pëlqen hija e zezëresë mbi kokat e kreshtave
Mbyll pas perdes së mjegullës. Shtigje nuk le çelë
Qeni i tërbuar qen. Në vrap i uritur pas eshnave


Andej hedh hapin. Vajin e kujën e le mbrapa
Me bekimin e burimit të ditëzezës, korba
Në tokëbukën tonë pogaçe val, hedh hapa
Të duket e pa shije fare e pa krip edhe çorba


Në faqe të bjeshkës, në dritën e bekuar të ditës
Nuk fshihet as gjilpëra, le më kërbaçi në dorë
As në shtegun e ngushtuar aty në cakun e pritës


Dije nuk ke forcën të na e mbyllësh fare frymën
Edhe bima, si thua në këtë vend, të mos ketë kunorë
Dora jote nuk ka me mbrri ku e hudhë ti brymën


5.
Dora jote nuk ka me mbrri ku e hudh ti brymën
Bukurija e vrame kurrë nuk e humb krejt pamjen
Perëdimi asht i gjallë, nuk e humb kurrë frymën
Vera e ndihmon vjeshtën – të dyja e flakin skamjen


Skërmitjet e tua do të shurdhohen. Afër në një ag
Në cep të nji teposhteje mbrri – veç që s’je gremisë
Në grafite do të svorcohen të gjitha ato vrragë
Dhe, lotin do t’ia fshijësh pjellës së vegullisë


Dielli asht imi sa edhe i atij në fund të botës
Sa rreze për ty aq edhe për mue do të ketë
Jemi kalit, pjekë e djegë edhe në valë të shqotës


Rradha e teposhtëzës për ty do të afrohet
Ke me përjetue patjetër në këtë të vorfunën jetë
Sigurisht apokalipsa para meje ty do të këndohet.


6.
Apokalipsa sigurisht para meje ty do të këndohet
As nuk ke me pasë vajtuese në rruzullin vezullor
Se ma le sofrën fare të zbrazun pa asnji trohë buke
Në tokën e etënve e të gjyshstërgjyshave – skamnorë


Ani, xha Dema im e ka mjeshtrinë e shkallëve të nalta
Dikush zbret poshtë e tjerët ngjiten atje m’u në maje
Keq për ata që në vend të amblave flasin fjalë të tharta
Se këtij vendi mjaltë e keqja gjithmonë i erdh prej teje


Kudo acar e mjegull përzie me skërmitje e lavërima
I solle nga Bungu e Vistula jote bashkë me bisha
E lype, e gjete, nga e keqja që të vjen me shungullima


Mbolle acar do të korrësh përcëllimë –tha nji poet
Po në trupin tand ka me t’u ngri fare edhe këmisha
Bane gropë për tjetrin, në ta ke me ra vetë


7.
Bane gropë për tjetrin – në te ke me ra vetë
Shumë herë asht krye prova e kësaj thanieje formulë
Vetë muza nuk e lodh poetin - fjalët në letër ia qet
Dhe, në dy gjuj para tij e sheh sa e sa herë përkulë


Muza dhe poeti endin pëlhurë të bardhë nusënije
E zbardhin edhe ma te skuta bashkë me lule prilli
E uron pranvera për pikat në fytyrë – sheja pjekunije
Vashën me rrahën përmes koke si një rreze dielli


Atje shpat me shpat kush ta lëshoi si shej vezullimin
Mos vallë flokët me valë liqeni t’i shpupurishi puhia
E në gropëzat në mes faqes, kush ta fali kuqlimin


Uni dhe unë tok si Skënderbeu me shpatë, atëherë
(Kur çallma sillej rrotull atdheut si edhe tradhëtia)
Kujdestar mos me lëshue mbi Prishtinë zjarr e vnerë


8.
Pa pra lëshonte sipër Prishtinës skëterrë edhe vnerë
E unë mbi letër me maje lapsi hedh kokrra fare
Kënaqem dhe e shof se afër më afrohet një verë
Me nji diell plot rreze të ngrohta e margaritar


U mblodhën e u mblodhën në nji vend kuvendar
Djalli e lubia me helm nepërke maje gjuhës së gjatë
Për zgjerim territori diku t’i ngritet në shesh lapidar
Me Biblën në nji dorë e në tjetërën, e mprehta shpatë


Kryekeqi me kuje e buje, e fitoi pushimin – bekimin
Në “Qytetin e Bardhë” me zemrën e zezë Shumadi
-E shlyen nga letra e bardhë në atë kuvend dënimin


U betuan fuqishëm në bubullimë e në vetima
Ylberët pas çdo shiu do të dënohen për tradhëti
Me futje në vrima miu, ku i rrok shungullima


9.
Më tutje nëpër vrima miu ku i rrok shungullima
Nji njollë e zezë u hoq të tjerat mbetën shtrimë
Ecja jonë me opinga. Nuk duhet me pasë rrapëllima
Me heqje barku – të sëmutë, të krrusun, të pangimë


Rruga nuk na çon nëpër rrafshe. Ajo është me thera
Nëpër lakesa me përgjime të fshehuna ka plot lubia
Nga veriu na vjen ftohti, nga perendimi nuk fryn era
Galuac, në plangun tonë ilir – vend ka zanë shumtia


Bariut me kërrutë përsëri po ia sulmon delet ujku
Ujku qimen e ndërron po zanatin kurrë – tha plaku
As pllugu nuk erdh. Në arë me parmendë mbet bujku


Litari asht mykë. O njeri, nuk i durohet kundërmimi
Do të kalbet fare dhe nga qafa do të na hiqet laku
Ditë për ditë eci dhe në ecjen time më rritet besimi.


10.
Ditë për ditë eci dhe në ecjen time më rritet besimi
Legjendat nuk flejnë gjithmonë atyne u del gjumi
E vërteta për rrashtin tim ka me dalë nga ngujimi
E vërteta ka me lindë, në gjumë nuk bjen lumi


Bukurija e ka madhninë, ajo nuk duhet me u brejtë
Unë e due dhe e kultivoj këtu në vargun tim hollak
Nji grue e meçme ka thënë “Rri shtremtë e fol drejtë”
Në tokën time jam, heu! në tokën e lame me gjak


Lulet e brymosuna rrajtë i ruejnë thellë në dhe
Mbretneshë në mes tyne lulëkuqja me madhështi
E ruejnë të ngrohtë bukurinë atë e kanë për ne


E thrrasin verën me afshin e tyne të rreshkun
E marrin ngrohtësinë e saj me të tyne veçanti
Për freskim strehimi e lusin malin edhe bjeshkën


11.
Për freski strehimi e lusin malin edhe bjeshkën
Aty lahutari plak prore shtriu jehonën e lahutës
Tue ia dhanë forcën për me i përballue stuhitë
Tue stolisë trimin legjendar me artin e luftës


Dhe, foli lahuta, foli... me trollin e ndamë të etnisë
Nuk ishte kangë, kanga asht vaji i burrit – thonë
Dhe, do të flasin vrragët e thella – plagët e etnisë
Sa ma parë që të mundet mos të na bahet vonë


Mos të na bahet vonë – o burrë i dheut shqim
Merre forcën e shkambit - trumbeto për lirinë
Atdheu po na thërret, po e lyp gjakun tand o trim


Gjashtëdhjetë e pesë, u banë gjashtëdhjetë e gjashtë
Rruga e gjatë prej Shupi nuk mbaron në Prishtinë
Kurrë ajo nuk mbaron – për nji mot të nxehtë.


12.
Kurrë ajo nuk mbaron – për nji mot të nxehtë
Vetëdija asht pjekë-ajo ka me dalë nga korniza
S’mundet me u pengue vera – ajo vjen e lehtë
Edhe nëse asht e shtrueme me thera e me driza


E di se koha ashtë ende shumë e sëmutë, ka lëngim
Ethet mesjetare e kanë mbërthye thellë në ndërdije
Ato janë të forta me molisjen e acarit shkatrrim
I kanë shortue në tavolinë në tanësi e fije-fije


Butë flasin lulet me gjuhën e fluturave në fluturim
Me dro të mos rrëshqasin në dimrin e verës ngri
Butë u pikin lotët në atdhe, mbushë me ngashërim


Eh, sa lehtë bie shi dhe ylberi nuk duket askund
Retë njana mbas tjetrës vrapojnë me nguti
Errësina pa dro dentësohet e keqja nuk ka fund


13.
Errsina pa dro dendësohet e keqja nuk ka fund
Në shtratin e lulëkuqeve thuren andrra të trishta
Ma të trishta se kobi i nji zezëdite të pafund
Të nji kohe paslufte me premtime fare të brishta


Saherë u vesh e u zhvesh nga mjegulla bjeshka ime
Saherë pritëm me na ra hana në harkun e vetullës
Jo. Vetëm ditët i hajshim me mëngjeset në kapërdime
Llavat e qenve të egër iu mërzitën edhe bjeshkës


Koha e hinit – tha plaku me shkop të lakuar, si jeta e tij
Nuk ashtë në gjumë të harrimit, as andrra nuk sheh
Dhe, mbeti në kotjen e tij, tue shprehë lodhje, pafuqi


Tash si me zbritë kësaj teposhtëze, pa u rrokullisë
E dije me ate që e bana luftën për liri, sot nuk më njeh
Më thoshte vëlla, sot mohon nuk të kam as farë as fis


14.
Më thoshte vëlla, sot mohon nuk të kam as farë, as fis
Kur dergjej tinëz edhe kolli i thatë në kokë të skiles
Duke vendosë tufë njollash në kapelën e kokës sime plis
Në shkolla të hapuna, ku thureshin rregullat e hiles


Atëbotë era e pluhnueme ndiqte stinët e kafazueme
Kur ngritej dhe temperaturë e naltë e pluhunit të kuq
Atëbotë kur grunë nuk mbinte në arat e shkretnueme
Kur edhe numrimi për nji ditë të bardhë shkoi huq


Çiftelisë i kishin ra dhamtë tok me kangën e tretun
Në nji hapsinë vakum nga nuk dilte zani i shterrun
Kur nga hana vinte thirrja: Drita nuk ashtë e tretun


Dielli nuk e shteron dritën. Ai derdh në hanë përnatë
Ai do ta ngrohë edhe trupin tim me kangën e bjerrun
- Çiftelisë do t’i shërohen dhamtë për kangët me fat


15.
Korbi me arnat e mykun edhe trupin ka me stolisë
Kolli ka me ia brejtë pejzat e gënjeshtrave të zeza
Kujtesa e prishun ka me ia hup aftësinë me dërdëllisë
Drejtësia nuk fundoset, ajo forcohet nëpër breze


Muzë, kam me ta dhanë nji pranverë me lule dhuratë
Se m’u bane shartuese e vargut, plot me psherëtima
Ma forcove ecjen të mos i bahem kobit vëlla i shtatë
Se do të humbsha nëpër labirinthe plot me farfullima


Do t’më tretej plisi, simboli i zemrës sime të bardhë
Do t’ më sosej kanga e prrallës sime, mbetë me njerkë
Më udhëheq, o muzë – me fatin drejt rrugës së bardhë


Hyjnoje pra, o muzë, bekimin e vargut vjersharak
Jepi krahë të shkojë në kullën e hapur fare pa hjekë
Të fluturojë me krahë shqiponje mbi Gollak e Karadak


Vaksincë
1966 -1968



MAGJISTRAL

Që kur e ruan këtë psherëtimë, si dhembje në shpirt
Edhe e miklon me ofshamë. Vallë, ku e kishte qelinë
Fjalë shpirti, prore duke e thirrur për të dalë në dritë
Se e dëgjove muzën, kur të kapi për dore me mirësinë


E strukur në palë paje, fare pa e humbur sublimën
Radise pa reshtur, hap e gjurmë. E gjete të strukur
E kape për dore me miklime të atëhershme vezullimën
Dritë e kohës edhe sot më flakëron njësoj e bukur


Eroj hapësirën e vegimit të lodhur në vendnumërim
Sall heshtjes, fort i përkulem edhe sëndisjes durimtare
Ty, o pjesa e djathtë e jetës. Ty, syloti im në vrojtim


Ashku e rreshku na përcollën me psherëtimat në hapërim
Nemitja nuk na shoqëroi askurrë në ecjen tonë vertikale
I fortë – strall për gurkala. Në qëndresë hapi yt e hapi im.


Gjilan, 2008