Freitag, 14. Juni 2019

Alketa Maksuti Beqari: KËNGA E DIELLIT


KËNGA E DIELLIT
(Kushtuar babait)

Kur netët I kalon në pamundjen për të fjetur,
Se kjo moshë ku ti po shkon, e tillë është,
Më këndo, këngën e diellit.

Si dikur, kur fëmijë isha
Dhe më tregoje për diellin.
Dielli këndon, dëgjoje këngën e tij,
Nesër në lindje të ditës.

Kështu më vije në gjumë,
Ëndërroja, Këngën e diellit.
Ditët lindnin me diellin.
Në çdo stinë të rritjes time.

Dielli këndonte këngën e tij
Gëzoheshin Lulet, pemët, bari
Dhe në tingujt e këngës diellore
Gjelbëronin e merrnin ngjyra ylberi.
Edhe lumenjtë gurgullonin në shtratin e tyre
Në rrjedhë këngën e diellit përcillnin
Sa dhe zallet mbi shtrat rrezëllonin..

Më mësove Këngën e Diellit, 
sa herë më vije në gjumë,
Vargjet e Këngës së Diellit më recitoje.

Kënga e parë, kur takon majat e maleve,
Kënga e dytë mbi fusha ndriçon vesën,
Kënga e tretë përkëdhel petalet e luleve,
Kënga e katërt ndriçon oqeane, dete, e ujëvara
Kënga e pestë diku përvëlon,
Kënga e gjashtë pak fllad,
Kënga e shtatë ecën në perëndim,
Kënga e tetë sjell muzg,
Kënga e nëntë të ngjashmit e tij,
Kënga e dhjetë dashuria për hënën,
Kënga e njëmbëdhjetë në udhëtim,
Kënga e dymbëdhjetë një sekondë.

Kështu më rrite, të adhuroja Këngën e Diellit.

Ndaj, kur netët i kalon në pamundjen për të fjetur
Këndoje këngën e diellit,
Se jam këtu,
Me ty... Baba.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen