Mittwoch, 15. Januar 2020

Pesë poezi nga Petro Sota



PSE S'PO KTHEHESH O ZOT!

Kjo ditë e lodhëshme, e çoroditur kaloi,
Si një grua e dehur, që është bërë tap,
Mbrëmja, nëpër vitrina, plot ngjyra vërshoi,
Si një toreador, që prej brirësh demin ka kap...

Dhe për krishtlindje, gjithçka po pregatitet,
Tapeti i kuq, në trotuar, vëmëndjen e prishi,
Porsi një lehonë, që ka dështuar, ecin vitet,
Duke pritur të kthehet, një ditë Jezu Krishti...

Oh...këto pamje, më trishtojnë jo pak mua,
Më lodhin, si të ngjitesha në katin e tetë,
Një zonjë e çuditëshme, pranë meje u afrua,
Dhe më foli në një gjuhë, që se dinte as vetë...

Më pa e habitur, e zhgënjyer kish mbetur,
Por dhe mua shpirti, me pikëllim m'u mbush,
Se mu duk vetja, si të isha një i vdekur,
Por, që akoma, nuk po e dinte këtë askush...

Ç'është kështu me mua, çfar po më ndodh,
Se po më duket, sikur ka humbur dhe shteti,
Por dhe këtë javë, këshilli prap s'u mblodh,
Se në sallën e teatrit, do të shfaqej Hamleti...

Dhe mesnata shpejt, m'u ndodh fare pranë,
Se si po më ikte, unë s'po e kuptoja më dot,
Kjo mbrëmje dhjetori, si të tjerat s'më ngjanë
Doja të thërrisja, :- pse s'po kthehesh o zot !

6 dhjetor 2019.



FUSTANIN MBI GJU

Dy pëllëmbë fustanin,
E mban përmbi gju,
Si të gdhëndur ngjanin
Këmbët gjithashtu…

Në qiell era retë,
Një nga një shpërndan,
Ti me sy i tretë,
Dhe i thurë fustan…

I thurë vetë me buzë,
Sikur avull t'ishin
Zjarrin me gjithë shpuzë,
Brënda n'shpirt kishin...

Më le një vështrim,
Pastaj më buzëqeshe,
E thirre shpirtin tim :,
-Ndiqmë the, po deshe…

Të kuptova vetë,
Pa më thënë gjë fare,
Tutje iknin retë,
Ti m'vjen si manare...

Rrije si e dehur,
Flakë kishje në gji,
Dielli rrinte fshehur,
Të shihte me çudi...

Vrënjtur ishte moti,
Pranvera s'kish ardhë,
Porsi një pikë loti,
Gusha jote e bardhë…

Gusha e jote ndrinte,
Por gjerdan ti s'mbaje,
Si bora që s'shkrinte,
Lartë në Himalaje…

Përherë vjen kështu,
Të shihja çdo natë,
Me fustan mbi gju,
Jo fustan të gjatë...

Vetë ti ëndërr je,
Se të pashë mbrëmë,
Dielli përmbi re,
Ti në tokë si hënë…

Më ngjaje si flutur,
Me fustan prej reje,
Vajzë kaq të bukur,
Kurrë s'mund të gjeje...

Po prisje e qetë,
Diku do të shkoje,
Era shpërndan retë,
Ti statujë qendroje.

13 janar 2020



GRUA E LËNDUAR

Ashtu siç ikin stinët, ashtu ike edhe ti,
Pa më thënë, se do të vije, fillimisht,
Por, stinët, çdo vit ikin, e vijnë përsëri,
Ndërsa ti, s'do të kthehesh më, sigurisht…

Unë të prisja, por jo ashtu siç më erdhe,
Ti ndoshta, për diku tjetër do të shkoje,
Një natë, gjithë mallin tek unë e derdhe,
Si një re e zezë, me rrebesh e lëshoje..

Të brengosur kështu, nuk të kisha parë,
E heshtur po rrije, dhe po flisje më rrallë,
E kuptova, se shpirtin tënd e kishin vrarë,
Brengën tënde, e ktheve gjithë në mall…

Ishin çaste, që ndoshta, kurrë si harron,
Dhe as në ëndërr, kështu si kishim parë,
Por trishtimin e ktheve nga mall në pasion,
Me psherëtima që dilnin, nga shpirti, i vrarë…

S'ish vetëm psherëtimë, e shpirtit të lënduar
Por, dhe diçka tjetër, që si gurë të rëndon,
Se mbaje dot atë peshë, si grua e refuzuar,
Si qelq u kris qielli, nga klithmat me pasion...

Ndoshta s'të mjaftoi, e gjitha kjo, sigurisht,
S'po e di, pse mua më zgjodhe, ashtu kot,
Kujtova se ndjeve, diçka tjetër, sinqerisht,
Se të pashë, që po të rridhnin dy pika lot…

Dhe ike, jo ashtu, siç erdhe pak më parë,
Në sytë e tu, sikur pashë, llavën si vullkan,
Po të digjej, shpirti yt i lënduar dhe i vrarë,
Dhe tek buza mbeten, pika loti kur të ranë

10 janar 2020



FLOKËGËSHTENJA, NGA TEPELENA

Grykë e Këlcyrës, fëshfërinë,
Nëpër Vjosë, vrapin e merr,
Si pranverë, ka zbuluar gjinë,
Dhe një kofshë, jashtë e nxjerr…

Xhveshur fare, e pashë tek lumi,
Si një statujë, tek sheshi Vjena,
Për tre netë, s'më zuri gjumi,
Për flokëgështenjën, nga Tepelena...

Se pashë më, se si më humbi,
Asnjë gjurmë, gjëkund nuk la,
E kishte syrin, shigjetë plumbi,
Mund të vriste dhe një pasha...

Dhe kur qëndronte, ulur ashtu,
Larg vështrimin, diku e mbante,
Zbuluar kofshën, përmbi gju,
Ndërsa shpirti, i saj po qante….

Eh, ky shpirti, që nuk ka zë,
Dhe nuk arrin, që të flas dot,
Por tek syri, s'i pashë asgjë,
As qerpikët, s'kishin lotë…

Lotin shpirti, brënda e mbante,
Se po i digjej, i gjithë xhani,
Flladi i lehtë, mund t'ja thante,
Që po zbriste, nga Mezhgorani...

E kërkova, unë gjithandej,
Por një zë më thoshte:-mos,
Se do t'vijë, vetë të gjej,
Ndoshta vjen, nëpër Vjosë…

Vërtetë do vijë, shpirti më fliste,
Sy shqiponjë, përmbi bedena,
Kështu e xhveshur, do të priste,
Flokëgështenja, nga Tepelena.

6 janar 2020



S'DO T'MË KENI HARRUAR

Vrapoja në heshtje, mbi vargjet e mija,
Në rrugën e gjatë, si kalorësi i humbur,
Ndërsa ditët e vitet, një nga një, i fshija,
Si rrugëtar i lodhur, që ecte i përgjumur…

Dhe doja të vrapoja, së bashku me ju,
Në këtë rrugë të vështirë, e të pashtruar,
Por, s'kishja, aq zë të thërrisja:- jam këtu,!
Prandaj çuditërisht, më kishit harruar…?

Por vall, kush jam unë, në të vërtetë,?
Dhe çfarë lajmi, do t'ju sillja, që nga larg,
Marothonomak ndoshta jo, por pak poet,
Që gjithë shpirtim tim, e kam futur në varg...

Si lule të freskëta, që çelin në maj vetëm,
Në shpirtin tuaj doja, që të hynin po ashtu,
Ndoshta si mjergulla të zymta ato mbetën,
Dhe s'arritën dot, të vinin si aromë tek ju...

Në xhamin e dritares, tek avjoni në fluturim
Ballin tim me rrudha, i qetë kam vendosur,
Por, kur shoh nga lart, me sy atdheun tim,
Malli që shpërthen, nuk paska të sosur…

Nuk mundem më dot, një fjalë që ta them,
Hapësira e pafund, të gjitha m'i ka marrë,
Ashtu në heshtje, një psherëtimë më vjen,
Nga shpirti i trishtuar, dhe i butë myzeqar...

Eh, ç'ma zbuten vitet, këtë shpirtin tim,
Dhe më dridhet lehtë, porsi telat në kitar,
Se nuk e plakën dot, as vitet në mërgim,
Por mbeti përherë, si dikur djaloshar...

Dhe po vij kështu, si kam qenë përherë,
Por, përmbi supe, me shumë vite ngarkuar,
Me ju të gjithë, do ta pija një gotë verë
Ndoshta një ditë, s'do t'më keni harruar.

26 dhjetor 2019

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen