Mittwoch, 18. Dezember 2019

Abide Gashi: KUR E SHIKOJ HËNËN

Abide Gashi

KUR E SHIKOJ HËNËN

Sa mërzitem,

kur e shikoj hënen
Se hënen,
shumë ajo e ka dashtë,
Ajo shpesh,
më ngjanë me nënen
Se dritë shpirti i saj,
shumë ka pasë...

Mërzitem,

kur e ndjejë dhe diellin
Se i ngjanë asaj,
me ngrohtësinë,
Sytë e saj ngjanin,
fortë me qiellin
Dhe më dhuronin ,
shpirtit kthjelltësinë...

Yjet kur i numroj,

mërzitem për ty
Janë si dëshirat,
që m' kanë shoqëruar,
Kur i renditësha,
tek ty pa kufij
Dhe ti bëje çmos,
për t'mi plotsuar...

E tashmë,

që s'të kam ma o nënë
Nuk më shfaqet,
as një dëshirë,
Netëve,
kur të shikoj o hënë,
Them, kështu,
ishte nëna ime e mirë...

Mitrovicë, 18 dhjetor 2018

Samstag, 7. Dezember 2019

Fadil Halimi: VARGJE PESIMISTE

Fadil Halimi

Vargje pesimiste

Ëndërr ke takuar dashurinë e parë
Zhgjëndërr ke kaluar lumin valë-valë

Hija e zgjatur e saj të përcjell 
Me hapa të rëndë plumbi
Bregut të harrimit e të pikëllimit

Në kornizat e jetës hesht e rri mbyllur 
sikur shikimi i turbullt
Në vesën e luleve të mëngjesit 

Në bebzat e syve të njomë
Zgjon stuhi hiri 
Për një fjalë vdes në shpirtin e saj

Ëndërr përqafon lulen e kujtimit
Zhgjëndërr pikturon detin e mllefosur

Sahit F. Osmani: DUHET TË JESH

Sahit F. Osmani

DUHET TË JESH

Duhet të jesh vetë jeta
Që matet në peshoren e kohës
Me agime e muzgje të errëta
Rrugëve të spërdredhura të botës

Duhet të jesh vetë durimi
Që nyjë të mban lidhur shpresën
Ngulitur në çdo qelizë truri
Kur e keqja ta shpërlanë kujtesën

Duhet të jesh vetë zhvendosja
Në kohë dhe në hapësirë
Dhe të kesh krahë të rrufeshëm
Të çash terrin me rrezatim

Duhet të jesh vetë guximi
Dhe kur jeta të dridhet
Ahere kur në sy të ngrin loti
I vetmi i ëmbli dhe i hidhuri

Dhe krejt i vetëm nëse mbetesh
E shpirtin ta shkund bishë e egër
Gjymtyrë më gjymtyrë të ngjitesh
T'i kapësh kufijtë e universit...

Freitag, 6. Dezember 2019

Fakete Rexha: DASHUNIA ËSHTË SËMUNDJE

Fakete Rexha

DASHUNIA ËSHTË SËMUNDJE

Asht Grua e harlisur. Here e butë,
herë egërsuar nga bukuria.
Natës vie tinëz, n'andrra t'futet
me premtimet e hijshme, shpresat
që t'rendin me nge trupit, nga ndjenjat
e ambla si flutura. Më të fshehtat fjalë
të dashunisë n'vesh t'i pëshpërit
deri para se me u zgjue gjumit.
Dashunia!
Kjo sëmundje Motrash.Vajzash.
Dashnoresh. Grash. Nanash.
Sëmundje e pashërueshme.
Bën të lumtun qindra mijëra njerëz.
Kurrë mos u shëroft!
As ilaç mos iu gjet!

Dienstag, 3. Dezember 2019

Sahit F. Osmani: JAM NDRYSHIMI

Sahit F. Osmani

JAM NDRYSHIMI...!

Jam ndryshimi që hyj në mendjet tuaja
Mjafton të zgjoheni e të jetoni me mua
Pa druajtje krah për krah me njeriun e mirë
Me dashuri në zemër drejt ardhmërisë

Jam ndryshimi rreth vetes kam mirësinë
Rrugë të reja do t'i hap njerëzores
Me dashuri e mirësi të përftojë dije
Të ngjitet lartësive pa pasaportën e kufijve

Jam ndryshimi paqësor pa krismën e tytës
Jeta ime ku është e vërteta
Në zemër do t'i ushqej kēngët e trimave
Në përmendoret shesheve

Jam me ndryshimin që ecën përpara e s'ndalet
Flakë do të ndizem që të arrij qëllimin
Në flakërimën e fundit të shkëndijës së gjakut
Bëhem urë dashurie të kalojnë të tjerët

Montag, 25. November 2019

Haxhi Muhaxheri: DASMA E ZEZË

Haxhi Muhaxheri

DASMA E ZEZË

në dasmën e zezë
mungonin krushqit
me këmishë prej dielli
e
dylberet e zverdhur
shqelmonin tokën
duke lozur mbi muranë
vallën e shpendkeqës

nga djersë e kokës së tyre
u grisën plisat e nxirë
dhe një erë e lehtë
rrokullisi shtëpinë prej letre

24.11. 2019


Disa nga komentet për poezinë

Sadik Krasniqi, shkrimtar: 
Teresi metaforike (si alegori) e aktualiteteti te majave te zeza!... Befasueshem e bukur! Te lumte poet!

Arif Molliqi, shkrimtar: 
E djeshmja dhe e sotmja e shpendkeqes nuk paraqitet ndryshe veç kështu. Metaforikisht groteskë e se keqes... Haxhi, na ngacmo me shpesh me poezi te tilla!

Hamit Taka, shkrimtar:
Pak vargje, por sa shume lende e sa shume art! Respekte, mik i nderuar Haxhi Muhaxheri!

Mehmet Rrema, shkrimtar: 
Shpendkeqët shtohen përditë, shtohen e sillen duke kërkuar të grisin këmishat prej dielli. Provojnë për ta zënë diellin, që dasmat tona të mbeten pa krushq... Përgëzime Haxhi Muhaxheri!

Dan Kosumi, poet:
Rrofsh o mjeshtër i vargut dhe i metaforës! I paç me jetë krushqit me këmishë prej dielli!

Sevëme Fetiqi, poete:
Rruge te mbare per dasmoret me kemishe nga dielli! Ata e dijne nga duhet marre nusja! Te lumte o poet Haxhi Muhaxheri!

Sonntag, 24. November 2019

Dy poezi nga Zyrafete Manaj

Zyrafete Manaj

STINËT E MIA*

Njëzetepesë pranverat s'i njoh për të miat
Se digjet lulebora nga hija e mallit
As krah dallëndysheje nuk rrah këndej kah pragu
Syt verbue malli.

Njëzetepesë vera me vapën përcëlluese
Rrugëve të botës kalimtare regjur
Me gëzime për ardhjet
Puthjet me atdheun
Ujitur me lotët e ndarjës,
mos'harrimit.

Njëzetepesë vjeshta mbledhur në thes
Ngjyrat e dhimbjes ndezur nëpër mote
Për brengat e sofrave në mungesë
Vrapin e rrugëve, për ti zënë ndarjet.

Njëzetepesë dimra nëpër zemër
Ashti nën mrizin e akullit
shoqe me mallin
Përshpërit tregimin e paharruar
Qysh shkuam, si i lamë, a do t'i mbërrimë për së gjalli.
__
*Njëzetepesë vite kurbet!




KUR U NISËM
(Në ditën e refugjatëve)

U nisem me rrugët në krah
Shkallare jete menduam
U ngjallëm e u vram
Bukë malle gatuam.

U nisem me e nis jetën
I vram plagët e vrara
Shkrumuam mote e vite
U ngjallem sa herë nga e para.

Herë të huaj aty ku qajtëm së pari
Për ata që të huaj u bëmë
Herë këtu që malli na vrau
E prapë të huaj na thonë.

Samstag, 23. November 2019

Fakete Rexha: SONTE...

Fakete Rexha

SONTE 
       NË KËTO ÇASTE
                KISHA PAS DËSHIRË

Dashunia asht kafshë. Ka dhambë t'mprehtë.
Kurrë s'shërohen kafshimet e saj. Kur iku ai,
shpeshë m'ikte edhe gjumi. Të dy kishin harru
andrrat me i marrë me veti. Mos me mi lanë
barrë mu. Ai, andrrën se më do, e gjumi
andrrën që m'gjenë këtu ku m'pati lan dje
mbrama. Bij t'fle e mungesa tij m'shtynë buzë
shtrati, veq sa s'më rrëxon përtoke. Sa kisha
pas dëshirë në këto çaste me u shkri n'duart
tua, që m'bajshin vend mbrenda krahnorit me
frymën e nxehtë te qafa. Me dashuni, nga
dashunia, ashtu butë, prajshëm, me m'marrë
n'gji tue m'i përkdhelë flokët që m'kanë resh
borë, qafën me njollat e vrugëta që kanë filluar
t'pleqnisë, e kurrizin e shpinës. Çdo vrime
t'shpirtit dregëza me m'i vu me fjalët ma
t'ambla t'dashunisë. Po mërzitem. Sa iu gëzova
dashunisë, m'u desht t'mësohem me mungesën
e saj, që s'ik asnjëherë. Gjithë ditën e lume
ladron poshtë e përpjetë, si kafshë e ndërsyeme,
si e përdalë. Meqë, natën kërkush s'e do, për
birën e çelësit përbirohet, gjumin te unë me
e ba. Kafsha. E ke gjetë t'vogël, t'braktisun,
si jetim skaj rruge. E ke marrë, e ke rritë,
e ke ushqyer me qumështin më të mirë.
Si t'rritet, t'përmbledhë kokës me tasin
e randë t'qumështit, që e ka ba kambë e dorë.

E, sonte kisha pas fort dëshirë me harru.
Kurrë s'asht vonë me dasht.
Por, gjithnjë vonë me thye njeriun.
Se, sonte kështu siç jemi, nesër
s'dihet a do t'jemi ma.

Montag, 23. September 2019

Muhamet Luma: KODOSHËT

Muhamet Luma

KODOSHET

Turpit ia zhbën varrin
që ta mbaninin në gji,
duke e përkëdhelur
si një lëneshë të përdalë.

Me rroba blu veshur
shanë të madhin Zot,
dhe në shpirt mbollën
farën e djallit të kuq.

Duke iu zgërdhirë hënës
ata nisën të bëjnë jetë qenqe,
dhe për të dëshmuar potencën
shkërdhenin përnatë njëri-tjetrin!

Sonntag, 7. Juli 2019

Fadil Halimi: E DIEL

Fadil Halimi

E diel

E diel asht sot 
e diel ka me qenë edhe nesër
derikur të përfundojë andrra

Larg ke ikun 
për me u kthye edhe njiherë
për me mujtë me e zanë hijen tande 

Mësheftas 
Merre edhe njiherë atë udhë të gjatë
Andej kah na ka ndarë jeta

Por mos pusho në asnji stacion
fluturo siç ke ikun
Pa të pa’ askush

E diel e trishtueshme asht sot
Deri të dielën tjetër kemi me pritë
Mos me vdek me mall të pashuar 

07. 07. 2019

Freitag, 14. Juni 2019

Alketa Maksuti Beqari: KËNGA E DIELLIT


KËNGA E DIELLIT
(Kushtuar babait)

Kur netët I kalon në pamundjen për të fjetur,
Se kjo moshë ku ti po shkon, e tillë është,
Më këndo, këngën e diellit.

Si dikur, kur fëmijë isha
Dhe më tregoje për diellin.
Dielli këndon, dëgjoje këngën e tij,
Nesër në lindje të ditës.

Kështu më vije në gjumë,
Ëndërroja, Këngën e diellit.
Ditët lindnin me diellin.
Në çdo stinë të rritjes time.

Dielli këndonte këngën e tij
Gëzoheshin Lulet, pemët, bari
Dhe në tingujt e këngës diellore
Gjelbëronin e merrnin ngjyra ylberi.
Edhe lumenjtë gurgullonin në shtratin e tyre
Në rrjedhë këngën e diellit përcillnin
Sa dhe zallet mbi shtrat rrezëllonin..

Më mësove Këngën e Diellit, 
sa herë më vije në gjumë,
Vargjet e Këngës së Diellit më recitoje.

Kënga e parë, kur takon majat e maleve,
Kënga e dytë mbi fusha ndriçon vesën,
Kënga e tretë përkëdhel petalet e luleve,
Kënga e katërt ndriçon oqeane, dete, e ujëvara
Kënga e pestë diku përvëlon,
Kënga e gjashtë pak fllad,
Kënga e shtatë ecën në perëndim,
Kënga e tetë sjell muzg,
Kënga e nëntë të ngjashmit e tij,
Kënga e dhjetë dashuria për hënën,
Kënga e njëmbëdhjetë në udhëtim,
Kënga e dymbëdhjetë një sekondë.

Kështu më rrite, të adhuroja Këngën e Diellit.

Ndaj, kur netët i kalon në pamundjen për të fjetur
Këndoje këngën e diellit,
Se jam këtu,
Me ty... Baba.

Buqetë me poezi nga Musa Dushica

Musa Dushica

ECJE...

Ora ime ecë, ecë...vitet numëron 
Edhe shekujt mat...
Ecë ngadalë, po nuk pushon,
Ecë me tren të gjatë...!

Kohëra ndan e nuk ndalon,
E urta orë, s’di të ngecur,
E në ecje shënon, shënon...
Mision ka per të ecur.

Të bardhën, të zezën në tre akrepa mbështjellë, 
Ecë e ecë e nuk rri kot...
Herë të mira, herë të këqia sjellë,
As e bardha, as e zeza s’e ndalë dot.

Në rrugëtim të pa fund...
Me të renë e me të vjetrën,
Thyen pranga edhe grila, boten tund!
Nga nje kohë kalon në tjetren...

Është shpatë e një kalorësi, 
Gjithnjë fitimtar...
Kurrë pa rreshtur ditë e natë,
Duke thënë se koha është ar!

Vetem zemëra ime e ngratë, 
Kur do ketë ndaluar,
Ka për t’a lënë thatë...
Po,dhe pa mua, ka per te shenuar...!

Po, po shënon, shënon...
Edhe pa mua, dimër e verë,
Kurrë nuk ndalon
Se shenuari...asnjëherë!

8 qershor 2018



TË FALEM...

Të falem e të lutem, prapë!
Më bëj tani dhe një arkivol,
Nga më të thjeshtit, që di t’i bësh, 
Nuk të kërkoj të florinjtë, si ata të mbretërve parahistorik!
Po, mos harro, të të pikoi një lot i vetëm, mbi të 
Që të njomë buzën time shkrumb, tani më te mpirë...
Një bilbil pranvere i vë nga krahu im i djathtë,
E një lule të tharë, nga krahu i majtë...
Të më flasin për pranverën e parë!
Petkun e bardhë si borē, i bleva unë 
Më nis drejt kopshteve të Edenit,
A drejt ferrit te Dantes, ku do ti vet, 
Se unë do mbyllë sytë...
Po, mos më thuaj: - Lamtumirë!

07. 06. 2019



VRASJE E LOTIT...

Loti im, i butë, i qetë...
I heshtur, i ëmbël loti im,
Loti im i rëndë, loti im i lehtë,
Loti im këgë, e kënga pikëllim!

Loti im i kulluar i ndjerë...
Loti im i ndritur, loti im i vrarë, 
Mallkim,motesh dimër e verë, 
Loti im jetim, ujëvarë e pa tharë!

31 maj 2019



LUTJE

Lënduar në shpirt, kësaj dite me shi...
Kësaj stine me mjegull, që qanë e qanë... e qanë!
Lënduar nga malli e halli, nga çfarë jo, as vet s’e di... 
Nga brenga nga jeta, që vretë e pretë e kurrë nuk pranë...
Me kupën mbushur e zbrazur, e mbushur...përsëri e përsëri!

Perëndi, me afsh shpirti të thërras!
Të falem, të lutem, e të falem prapë,
Kur je ti, unë mendjen pse vras ?!
Të drejtën, të vërtetën të mbrosh, 
se dhe unë për të, jetën time do jap!

28 maj 2019




PËR TY

Mbi faqen tënde, do vë faqen time, 
Një natë me yjet dua ta
kaloj,
Dhe me ty, që më sillesh në kujtime...
Me ty, që s’mundem tërë jetën të harroj!

Po, po, veq me ty, që gjithnjë të pata mall, 
O ëndrra e jetes sime, e bukur, e shenjtë, 
Sa herë nga dhimbja unë isha e jam në hall,
E dashur, toka ime...nëna ime e shtrenjtë!

Unë, biri yt i humbur, botës larg, tutje...
Lindur e rritur, me dashurinë tënde.
Netët kaloj zgjuar, jo, s’mundem të fle, 
Si fëmiu i braktisur, larg syve të një nëne!

E pra, nënë e dashur, të përbej në Perëndi!
Shtrije dorën tënde, n’lindje e perëndim...
Edhe skaj më skaj, në jug e në veri, 
Mos i lë fëmijët, të mbytur në pikëllim...për tëndën dashuri !

28 maj 2019




PAKËZ DIELL

Gjithëçka dua në këtë botë,
Aq sa yje ka në qiell...
Me ty dua të ndaj sot, 
T’marrë pak hënë, të jap ca diell !

Sa i madhë duket oqeani... 
Sa shumë deti paska valë, 
Sa lart ngjitet aroplani, 
E në letra sa ka fjalë ?!

Sa shumë shpirti vuan i shkreti...
E sa zemra është e mjerë !
Sa pulëbardha rri skaj deti,
Aq sa lule ka n’pranverë...

27 maj 2018




NATË...

Sa e gjate më duket kjo natë e errët, 
Edhe hënën ka mbështjellur në çershaf të zi...
As diellin s’e lëka të të vij në ëndërr, 
As qiellin e kalter t’a shohesh me sy!

E shurdhër memece, me njeri nuk flet, 
E heshtur në dukje, në shpirt pijanece...
Aty- ketu te zgjuar mban ndonje poet!
Edhe dhelpërat e lodhura, tinzare, shpirtkeqe...!

Poetet,shkruajnë ndonjë hymn, 
Thurrin ndonjë varg...
Kur oxhaqet rrallë mund te nxjerrin tym, 
E te lehura qensh, dëgjohën nga larg...!

Këto punë ka nata, nën petkun e zi... 
Me gjurmët e fshira e opingat mbrapsht!
Ç’i punon pas shpinde, kurrë dita s’e di...
E zeza mbi të bardhën në këtë botë të lashtë!



LOJË FJALËSH

Nganjeherë humb rrugën 
dhe fjala, 
Here penës i mungon ngjyra, 
Ashtu siç qetesohet dhe vala, 
E detit i qeshet fytyra...!




VALË KUJTIMESH

Siluetës sate, të pa parë, 
Rëndë gaboi, zemra ime
Lotët mbetën të pathare...
Shpirti i lodhur, ruan kujtime!

Re të errëta vijnë verdallë, 
Breshëri, rrëbesh...rrëbesh, 
Deti fryhet...ngrihen valë,
Të tërbuara, ngrihen shpesh!

Ti moj zemër e zhuritur, 
S’paske pasë një fije fat, 
Një ditë t’bardhë, për të pritur, 
Në këtë jetë, mister e t’gjatë.:.!

Ty, t’këndoj unë me kitarë, 
Një këngë malli, përmbi re, 
Mos ik, kthehu...e si më parë,
Këngën tonë, t’a këndojmë ne!

19 maj 2019

Dienstag, 26. März 2019

Poezi nga Fadil Abazi

Fadil Abazi

KTHEHU NË PRANVERË

Një ninullë dashurie kam këndu për ty
Në livadhet ku era përkund lulet
E gjetheve të malit ju thashë një melodi
Ato luhateshin me valsin e erës pa kthim
Sikur dallëndyshet që shkojnë fluturim
Kur pranvera të vij prap në lëndinat e mia
E rishtas era lulet ti përkund 
Lejlekët e dallëndyshet të vijnë fluturim
Pritja ime mbaron me perëndimin e ditës
E hëna me shfaqet me pikëllim
Dua të pyes ku je ti sonte
Shtegto e kthehu në viset tona
Aty ku jeta rifillon çdo pranverë
Portat e zemrës sime hapur kan një derë



DORUNTINË

Dashurine e ndërtove nê pritje
Në fushëbetejat e jetës
Ëndrrën përkunde në djep kohe
Besove ne fjalën e premtuar
Si shtojzavalle arratisur fatit
Mbërthyer në kujtesë pluhuri
Erdhe me ëndrrën e pambaruar
Për të konstatu besën e Konstantinit
Doruntinë e përtej shtatë kodrave
E përtej shtatë lëndinave
Doruntinë e shtatë vllezërve 
e shtatë rrëfimeve
Kush të solli
Kush të priti
A s'na thua Doruntinë



KËRKOJ

Në syrin tënd blu
Vendose pikëllimin
Që loti mos ta fshi
Në kornizat e pasqyrës
Në imazhe të thyera
Vendose buzëqeshjen
E në fund të detit
Lumturinë mbyllur në guacë

Ra një shi
Ta fshiu pikëllimin nga syri
Buzëqeshja tu kthye
Në imazhet 
E pasqyrës së thyer
Unë horizonteve të detit
Guacën do ta kërkoj
Lumturinë për ta kthyer




TA VEMI NË ZJARR

Në sytë e tu
Shof zjarrin e dashurisë
Me valë deti 
Dua ta shuaj zjarmin time
Më thuaj pa droje
Atë që ndjen edhe nëse ma djeg 
Ëndrrën time të bardhë
Dhe horizonteve kur të vete
Prap zjarrin do ta shof
Bota nga zjarri u krijua
Pse mos ta vemi edhe ne 
në zjarr Dashurine tonë
O ta krijojmë pêrsëri 
O ta bëjme fli




FJALËT E PATHËNA

Kur ti shkreh flokët në dritare
E hëna të shikon me zili
Mua më shkepen ëndrrat
Se të kujtoj e të kam mëri

Ti thashë të gjitha haptas
Sikur fëmijes kur i flet nana
Ti mbyllur ike e heshtur
Me fjalêt e pathëna

Ndoshta mirë që heshte
Se fjala jote më ban magji
Një lot dhe dy fjalë tua
Prap zemra ime të kish marr ne gji

Jo fati po mendjatapë na ndau
Unë ofshaj e ti ngarend në kohë
Kërkojme kot atë që kemi humbur
Për këte skam mëdyshje asnjë trohë

Mos u ngazëlle se do shkelësh majë fati
Më injorove dhe ndjenjat mi shkele
Ti fjalërënd e unë fjalët me shije mjalti
Në testin e dashurisë kësaj radhe ngele

Sonntag, 17. März 2019

Poezi nga Minire Gërxhaliu

Minire Gërxhaliu

PYETE STUDIMËN

Qysh shtrat i mykun ku flinte një lum
bahet det prej lot njerëzish,
më së miri e di lumi i fshatit tim,
Qysh ai ujë merr ngjyrë trëndafili,
prej petaleve që furishëm, 
plotë përherë,
shkunden në të,
pyete, 
pyete lumin e fshatit tim, 
ai e di!
Qysh rrëqethet trishtimi
kur dorë nëne mbulon sy fëmije,
mos me pa farë bishe me surrat njeriu,
e di qiell i fshatit tim.
Qysh historitë e gjyshërve për armikun janë 
më të tmerrshme nga ç'na i rrëfyen,
të dëfton gojë e frymë së gjakut tim,
vetëm shko e shihe në Studime,
ku e la të fundit frymë.
Qielli e pa qysh gjëmat,rënkimet,...
morën atë ditë flatra
me mbërri në vesh të Zotit,
Por,...
Në shpinë
e gjoks ftohësi i përvëloi,
Po ëndrra,
ëndrra lehtë, 
lehtë si fluturat i palosi 
e i ngjiti me rrajë tokës së vet.
qysh pranvera qelë keq, 
pa njëqind e gjashtëmbëdhjetë lule, 
të tregon frymë e gjakut tim që mbijetoi.
Se dhembja e pafajësisë së vrarë kurrë s'shëron,
dëftojnë vragat e zemrës së fshatit tim,
që ende gjakojnë.
Nga ajo që veshët e malit, 
sytë e fushës 
kanë dëgjua
e kanë pa atë ditë,
lëkurë e tokës dhe sot rrëqethet
e për falje të gjakut,
s'do as me dëgjua



PRANVERA IME

Për ty, 
Shtatë herë në javë vetën e kam vra
e sa herë te bregu kam mbërri,
ku kam dashtë me kërcye,
ti pritën ma ke zënë.
Flatra më kanë mbi,
zvarrë kam fluturua,
me të mbajt ty, 
krahun tënd të djathtë,
me të shkundë ty deri në agim të mendjes, 
e me të marrë në gji të kthjellët, 
të shëndoshë,
në gji të shpresës time,
që ujë harrese çdo ditë ashtë duke pi.
Për ty po zvarritem në jetë në jetë,
ndër vaje e lemeri,
që pak vet e shohin e ndiejnë.
Edhe pse shtatë herë në javë vdes,
prapë kthehem,
mundohem në varr tu u mundu me të ngjallë , 
se ty mbas meje, s'mbetet kush me ë 'krehë,
teshat marrë me t’i kthye.
Për ty, 
o mishi im,
o gjaku im i brishtë,
që unë të kam prishë,
se me ty u mundova me i nxënë ëndrrat,
fantazitë e mia, që për ty i pata qëndisè.
Tu qeshë të vizatova,
e s'të pashë se duke dënesur .
se të desha ashtu, 
qysh kurrë s'kam me të pas.
Engjëjt e botës, me të mirat e veta
me mu në mëkat po hyjnë, 
në ta po lakmoi,
po veç me luajt me ta le të marrin
që unë mos ti mallkoj,
mëkat mos të bëjë !
E prapë javë e re ka me nisë, 
e njëjtë ka me u krye,
deri sa fryma në trupin ti të thatë
ka udhë me hy e me dalè,
me dalë e prapë me hy.
Ahhhhhh
njëjtë, njëjtë çdo ditë e jetës
meqë ti pranvera ime,
njëjtë e vogël po mbetesh!



VENDI NGA IKE

Po vi tek vendi
atë natë,
kryet ku të ka zënë,
sonte,
kryet tim me përplasë,
me ndie sa të ka dhembje,
dhembjen me ta marrë.
Me pa gjakun ku ke qitë,
bash në atë vend tëndin
temin gjak me ta ngjitë.
Zemra ku ta ka ndalë,
me të ndalë
e timen me ta falë,
se veç s' koti e bëjë,
prej që ty t’u ndal.
Plagën tënde me ta fshi 
në nishkun tim me shënua,
veç me ditë,
nga dhimbja zë a ke lëshua?
Këtu, 
këtu dua me qëllua
ahhh,
në këtë vend vetëm 
trishtimi me të kujtua!
Po vi sonte te vendi 
se trishtimi që pate këtu,
po plaket me mu,
e ende është tu më shkallmua.
Sonte me kanë me ty po dua,
dyve me na zënë dhembja ,
njëzëshëm me rënkua,
bashkë kur të jem rrëzua,
se vetëm kështu
ky ankth ka me më lëshua .



GLOBI I TYNE

E la hilja me kast me ra,
apo drithërimës së shpirtit
nga dora pahiri i rrëshqiti ,
ai globi i tyre i vogël,
herë qëndisur e herë e arnuar ,
si çejzi i çikës në dritë të llambës , 
tinëz nga bota ?!
Ra,
u zhduk,
hupi nën ortek bore!
Apo iku vet me kast,
vullnetshëm ndër vaj,
me mbulua fytyrën bardh,
më shumë zjarrminë time pa u pa?!
Iku,
se tymi doli,
e pa dikush për vrimën e çelësit ,
apo ai në odë të burrave duke u krenua tregoi?!,
Ndoshta iku,
me ngri udhën e ngrohtë ,
ndoshta prapë veten me sprovua?!
Sido që të jetë,
dinë me u gjind ai, krejt i ka provua
edhe ti!
veç ajo, 
ahhhh ajo!
s’ka si ti harroi,
si pijet,
si arnat,
herë ngjyem në mjaltë
e herë në pelin,
të gjithë i deshi njësoi.
Ty e globin kush mos daltë me ju vajtua,
ju vajton ajo,
veç ata kush,
kush ka me vajtua?

Ata i vajtojnë lule boret,
lule boret në ag të pranverës
me shami e vajtuan e i treguan,
i thanë: se e panë globin
në rrënjë të tokës djep ëndrrës ju kish bërë 
po e përkundte , 
gjumin e një ninulle 
e po priste deri atëherë 
dhe nëse jo bashkë,
njërin djep tëë me qitë me ra, 
me fjet pa vajtua.
Ai mbase jo, po do të jetë ajo!



UDHË FLUTURASH

Fluturat në bark të zanës së trishtë e të dehur,
lëshojnë vezë përsëri,
me përtëri pranverën,
qortojnë fiqirin
pse shaminë e bardhë,
të akullt lart ngritë e ka?!
Ai priste pranverën ngrohtë me agu,
me mund shaminë e shkruar me valëvitë,
të gjë me pa,
se udhën e nisur në krye se qiti,
ku mrizojnë zanatkrenare, 
u dorëzua,
nuk mundi me hy.
Me fluturat shtatzënë ju dashtë me u kthye,
po priste pranverën,
me shami të bardhë fluturat plaka me i tubua
e në luadh me i qitë, 
aty ku për herë të parë u hallakatën, 
lirshëm me i lëshua,
jetën me shpenzua
E shaminë e bardhë 
diku skajshëm me mbajt deri të rritet,
shall nëntë metrash të bahet,
qe krejt trupin me ja përthekua.
Durueshëm me i pritë votë me qelë në pranverë,
krimbat me i rritë, flutura të buta, të larme me i bërë, 
jo shtazë mish ngrënëse që ymrin ja hanë
e shpirtin zgorë ja bëjnë.
Tek atëherë me flutura gazmore,
udhën e vet të mjaltore,
me fillua me zënë.



RAÇAK

Raçak,
i vogli yt u bë burrë,
u bë i madh,
ai qe shpirtin vajit, në gropë të fytit ja nguffati,
gjyshit gajret me i dhanë,
dhimbje mos me i shtua,
kur pa të birin, ai babanë,
si mos më keq, pajetë gjënë e zgjati.
Shumë pa e ndjeu i vogli yt, Reçak,
po rrita s'ju ndal.
Reçak,
u rrit i vogli yt,
me dhimbjen kornizë varur në qepallë,
që çdo ditë ja fshinë mjegullën
që i bënë i lot, në kujtim e në mall,
tinës kush pa e pa,
çdo ditë qajnë gjithë të rënët bashkë me babanë.
Reçak,
U rrit, u bë burrë i vogli,
ndërtoi shtëpinë gurë mbi gurë.
dhimbjen që botën e zgjoi ,
çdo ditë shkon me taku,
e të ligës duke gërmua me i dëftua, 
se me harru s'ka kurrë,
pooo, për të gjithë, që më si ka,
vazhdon me jetua



Shënime për autorën

Minire (Shefqet) Gërxhaliu, lindi me 06.08.1971 në Vushtrri. Shkollën fillore dhe të mesme i ka kryer në Vushtrri dhe Fushë Kosovë. Kurse studimet për gjuhë dhe letërsi gjermane i vazhdoj ne Fakultetin Filologjik. ku edhe u diplomua. Ka botuar përmbledhjën me poezi me titull: "Pranvera ime".

Prej vitit 2004, jeton në Gjermani.
_____
Përzgjodhi: Adem Zaplluzha