Freitag, 17. Mai 2013

Sokrat Habilaj: Cikël poetik

SOKRAT HABILAJ


POETËT

...Shpirtra që  për të vuajtur kanë lindur,
Duket se dhimbjen e ndjejnë të parët.
Ndryshe do të ishte, të jeni të bindur,
Nëse do t’i thurnin vargjet...tregtarët...!



NËSE TË MËRZITA

Të mërzita? Ik nga unë për pak kohë.
Mbase diku tjetër do të gjesh qetësi.
Po unë, s'mund të isha ndryshe, apo jo,
Në këtë botë të mbushur gjithë mërzi.

Megjithatë, ik, madje më merr inat.
Dhe në ndjehesh mirë, këtu më mos  u kthe.
Harromë fytyrën si një degë të thatë,
Në pllajën e vetmisë të mbështjell me re.

Larg meje, ti kryeneçe le të më rrish,
pa më shtrirë dorën nëse gjendesh ngushtë.
Po unë, që vij nga bota e mërzisë,
Do ta kuptoj në çast kur ke rënë në kurth.

Dhe do të vij pranë, me pamje krejt ndryshe,
Të mos më njohësh që jam ai i pari.
E dashur, kjo botë, është e mërzitshme,
Nëse të thash ik, s’ta prisha thjesht nga malli.

Kur të ndjesh të  ftohtë, të dridhesh në acar,
Do të vij ngrohtësi në vatër të të ndez.
Dhe ti, duke afruar duart në zjarr,
Do të shohësh pranë teje një eskimez.

Kur nga  zhegu, të përvëlohet kurmi yt,
Një grusht uji burimi, do të sjell s'largu.
E ti do të qeshësh, duke larë sytë,
Se do të shfaqet një fytyrë zezaku.

Unë nuk e di, kur të më shohësh ndryshe,
Nëse do ta  shtysh tutje, ujin a zjarrin.
Kjo botë që gjithçka bëri të mërzitshme,
Nuk di a mundi ta mërzis edhe mallin?

...Po kur buzët të të tundohen për  puthje,
Kë do të kërkosh ti në dallgë dashurish?
Buzët e mia, do t’i gjakos me ndukje,
Veç me fytyrë tjetër, s'të shfaqem ta dish!




MARRËVESHJE POETIKE

Ti, do të më largosh trishtimin nga vargjet,
"Shkruaj tjetër gjë!"-më lutesh gjithë merak.
Natyrisht edhe unë s'i dua qarjet,
Por s'kuptoj si kam rënë nën një shi vjeshtak.

Kam rënë nën një shi vjeshtak me pak acar,
Dhe me një diell hënor brenda çdo pike.
Ti më trazon shpirtin, të ndezësh aty zjarr,
Dhe ofron një marrëveshje poetike.

Brenda teje, ma mbytë trishtimin si askush,
Dhe ngjizë aty diell, (siç ngjizet jeta).
Pastaj nga sytë e tu më derdhë veç prush,
Që si këmbim, të heq trishtimin nga vetja.

Unë nis e fshij lotët, germë pas germe,
Në vend të tyre të ndez zjarre gëzimi.
Tani që pranova marrëveshjen tënde,
Më thuaj të lutem, a iku trishtimi !?
 
 
 
 
 
TË KISHA THËNË PËR LOTIN...
 
Të kisha thënë se loti që rrjedh në faqe,
Është shpirt i vrarë që humbet për pak çaste...

Të kisha thënë, loti është  një funeral,
Kur kalon ai, veç trishtimi s'bindet të ndalë...

Të kisha thënë, edhe kur sheh diku një lot,
Ndalu, përule kokën, hesht, nëse s'loton dot.

Të kisha thënë...Kot të kam thënë gjithsesi,
Se s'bëre asgjë për të ndalur lotët e mi...
 
 
 
 
PO TË MOS KISHE EKZISTUAR
 
Po të mos kishe ekzistuar më parë,
Unë do të të krijoja vet patjetër.
E di? Shpesh kam bërë plane si i marrë,
Duke të skicuar portretin në letër.

Dhe do të merrja borxh një pjesë nga hëna,
Një pasqyrë burimi ku krihet ylli,
Dhe një pikëz vese ku freskohet ëndrra,
Një cicërimë zogu që del nga pylli.

Dy kokrra ullinj që ndrijnë nën fletë,
A një thëngjill që digjet me gjuhë flake.
Çfarë s'do të merrja të të krijoja vet,
Sepse nuk mund ta lija botën gjysmake.

Do të ulesha të shihja ndanë udhës,
Ç'nur morën borxhet, kur u shkrinë të tëra.
Pastaj do të puthja në cepin e buzës,
Dhe do të ikja të krijoj të tjera gjëra.

Po ti del para meje, tej pas çdo kthese,
Bota u krijua, më thua djallëzisht.
Nëse guxon, të bësh sytë e një tjetre,
Do humbas në çast, të më bësh sërisht.
 
 
 
RRI EDHE PAK ME MUA
 
                                      Natyrisht për ty...!
 Në qiell ndrinë ende e bukur, hëna,
Po ti, rri dhe pak me mua, rri dhe pak.
Nis më çuçuritë ca fjalë të ëmbla,
Do të ikësh? Ikë kur të iki kjo natë!

Unë zgjat dorën e yjet derdh përmbi ty,
Por ditën mbrapsht nuk mundem ta kthej.
Ti më thua, shikomë veç mua në sy,
Ikë prej meje, kur nata të iki andej.

Ikë kur sytë e mi, të mos kenë më terr,
Dhe gjithë yjet, atje të jenë fikur.
Në shtratin e syve, ti në gji më merr,
Ndërsa lë pas, një natë duke ikur.

Ma puth natën, më lutesh si e marrë,
Dhe si kurmin tënd, më hedh natë mbi krye.
Zhvishma natën i dashur, të digjesh ti zjarr,
Hyrë në natën time, të më ndezësh yje.

Pi tek nata ime, të mbytemi bashkë,
Rri brenda natës dhe vdis vetë i dytë,
Mos kërko të ikësh nëse ditë është jashtë,
Ikë kur nata ime, të më ikë nga sytë.
 
 
 
 
KUR TË DESHA UNË...
 
Ti ishe si një pikë loti e pastër,
kur unë të desha ty,
Pastaj më rrëshqite mbi faqen e ashpër,
për në të tjerë sy...

Kur të desha unë, e pa prekshme ishe,
si një lot i ndritur...
Mbase more plagë, apo thjesht gërvishtje,
nga unë duke ikur...

Ti ishe e mirë, po s'di si ke mbetur...
Unë? Pak egoist...!
Veç, s'ka faj, as loti kur rrëshqet i heshtur,
as sytë natyrisht...
 
 
 
NDOSHTA
 
Ndoshta shpesh harroj të them se të dua,
Si të thosha dikur, kur ishe përball.
Tani tek unë, je bërë njësh me mua,
E s’ka kuptim që vetes t’i them fjalë.

Ndoshta nuk vrapoj, shkallëve me ngutje,
Të ndihem i lumtur në krahët e tu.
Je kaq madhështore, s’je vetëm puthje,
Dhe ecja ime duhet të jetë po ashtu.

Ndoshta harroj të të pushtoj tek dera,
A me gishta të kreh flokët e bukur.
Sa gjendem jashtë, pëshpëritë era,
Ktheu një çast, s’rri dot pa më puthur.

Ndoshta para teje, humbas në ëndrra,
Dhe nuk të shikoj, kur pulitë sytë.
Zgjohem me ankth, se më dridhet zemra,
A thjesht të shikoj se jam vet i dytë.

Po, ndoshta tani flas më shumë pa zë,
S’kam besim tek fjalët, më pëlqen heshtja.
Nëse do e kuptosh që s’marr frymë më,
Mendo më të keqen, por jo se s’të desha.
 
 
 
 
KUJTIM I LARGËT
 
Ishte ashtu, si në një baladë të vjetër,
E donim dy atë, unë dhe një tjetër...

Po ajo qeshte e thoshte gjithë dritë në sy:
''Çfarë t'u jap!? Unë jam një e ju jeni dy...!''

Dhe nuk ndodhi si në baladë, s'kish sesi.
Unë s'e rrëmbeva, s'e rrëmbeu as ai...

Ajo iku larg dhe tha: Shpirtin tim po ju lë,
Është i madh, mos u grindni për të!
Ishte ashtu, si në një baladë të vjetër,
Atë e donim ne, ajo mori një tjetër...
 
 
 
 
TI DOJE TE BISEDOJE ME YJET...
 
Ti më kërkove të rrije vetëm, pak kohë,
''Do të bisedoj me yjet më the, sy më sy''
E unë natyrisht s'ta prisha, po të thashë shko,
Veç ktheu shpejt, se s'mund të rri dot gjatë pa ty!

Dhe ike ti për tek ata, në një tjetër vend,
(Unë them në një bar, a lulishte diku...)
Ndërsa rri e pres, meraku për ty po më tremb,
Si s'të thashë, biseduesit ku i prisje, ku?

Ti the, s'vonohem po më prit, patjetër më prit,
(Yjet të pëlqyen, që vonuan ardhjen tënde?!)
Është vonë, po mbyllen baret, birraritë,
E stolat në park po lahen në dritë hëne.

Ti the, takimi është si takimet e tjerë,
(Unë të besova, por si s'mendova atë çast!?)
Se yjet nga qielli s'zbresin asnjëherë...
Duan që të flasin me dikë? E marrin lart...
 
 
 
TË LUTEM MOS SHKRUAJ VARGJE DASHURIE PËR MUA!

Se mund të mendosh që kur bien netët,
Më këndon si fllad, apo thjesht si hënë.
Pastaj, hutaq si të gjithë poetët,
Buzën time e lë krejt të pa ngrënë.

Se mund të mendosh që ti nëpër rreshta,
Krijon edhe jetë, nën strehë reje.
Dhe harron pa dashje, gjëra të thjeshta,
Që bota krijohet veç brenda meje.

Se mund të mendosh që çdo pëshpërimë,
Ti nis e ma kthen në vargje me ngutje.
Dhe harron, i dehur, se asnjë rimë,
As gjithë vargjet s’vlejnë sa një puthje.

Se mund të mendosh që fjalë mrekullish,
Shkruhen në libra, a letër së paku.
Dhe harron se dua gërvishtje në mish,
Sikur pas çdo germe, të shpërthejë gjaku.

Se mund të mendosh që me yjet fletë,
Dhe s’kupton asgjë çfarë do një grua.
Që ta mësoj unë, ashtu si di vet,
Mos shkruaj të lutem vargje për mua!




BALADË E HIDHUR
 
Duket gjithë bota e ka harruar,
Plakun Jorgo, të moçëm atje në jug.
Nga shtëpia me pjergull mbuluar,
Veç ai del e hyn, i vetëm si një murg...

Ka mbirë bari në rrugën e shkretë,
Atje ku plaku shkel e ndjehet ngushtë.
Nëse punët i bëri mirë në jetë,
Ka frikë se mos ikën prej saj me turp...

Nuk është fjala për dy pika lot,
Nuk është fjala kush do të qajë me zë.
Por të gjithë janë larg, e s'vijnë dot,
Sa për të hapur një varr, një varr për të.

Dhe çapitet drejt varreve nën ulli,
Plaku Jorgo, i lodhur e në heshtje,
Kur duhen njerëzit, ku t'i gjejë ai,
Dhe nis të gërmojë një varr për vete.

U lodh plaku, se ish e ashpër toka,
Por gropën e hapi, nuk e la në mes.
U ulë atje ku do të prehej koka,
Dhe nisi të qajë, të qajë me dënesë.

Por dikush i trokiti kur ra në shtrat
Dhe nga sytë pa gjumë u tremb loti.
Plaku hapi portën e shtangu në çast,
E dini kush ishte?! Ishte vet Zoti!

-Plak, kush e hapi gropën? - pyeti Ai,
-E hapa unë, - tha plaku me ndrojtje.
-E di kush jep urdhër për një varr të ri!?
-Po, tha plaku, - kjo është puna jote!

-Kush e vë radhën kush ikën i pari?!
-Ti,- tha plaku,- por ndryshon ky fati im!
-Nesër duhet të jetë mbyllur varri!
Dha urdhër Zoti dhe iku si vegim.

Kaq foli Zoti edhe iku tutje,
Pa pritur ç'do të thoshte plaku në portë.
Plaku Jorgo s'kishte moshë për ngutje,
Mërmëriti me vete e s'foli dot.

*     *
    *
 Plaku Jorgo ishte vërtet nopran ca,
Por me Zotin s'donte të ish’ kryeneç.
Eh, Zoti, tha ka punë më të mëdha,
E s'ndjek dot gjithë njerëzit veç e veç.

E Zotit ia prishi për herë të parë.
(Zoti s'u lut. Zoti s'lutet asnjëherë!)
Le të rrijë, tha plaku, ashtu ai varr,
E kam për vete dhe jo për të tjerë...

Dhe e la gropën atje mbi një pllajë,
Si shtëpizë e re me derën hapur.
Dimri derdhet gjithë rrebesh sipër saj,
E vera djeg diellin e përflakur.

*     *
   *
 Plaku Jorgo pret dikë i vetmuar,
Si në tjetër botë i duket vetja.
Vërtet të gjithë e kanë harruar,
Po atë e ka harruar edhe vdekja...

Dhe rri pranë gropës që hapi dikur,
(Tani është një pirg dheu si kube),
Lutet plaku Jorgo, mbështetur mbi një gur,
Për djalin e tij, mbuluar atje...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen