Sonntag, 24. November 2019

Dy poezi nga Zyrafete Manaj

Zyrafete Manaj

STINËT E MIA*

Njëzetepesë pranverat s'i njoh për të miat
Se digjet lulebora nga hija e mallit
As krah dallëndysheje nuk rrah këndej kah pragu
Syt verbue malli.

Njëzetepesë vera me vapën përcëlluese
Rrugëve të botës kalimtare regjur
Me gëzime për ardhjet
Puthjet me atdheun
Ujitur me lotët e ndarjës,
mos'harrimit.

Njëzetepesë vjeshta mbledhur në thes
Ngjyrat e dhimbjes ndezur nëpër mote
Për brengat e sofrave në mungesë
Vrapin e rrugëve, për ti zënë ndarjet.

Njëzetepesë dimra nëpër zemër
Ashti nën mrizin e akullit
shoqe me mallin
Përshpërit tregimin e paharruar
Qysh shkuam, si i lamë, a do t'i mbërrimë për së gjalli.
__
*Njëzetepesë vite kurbet!




KUR U NISËM
(Në ditën e refugjatëve)

U nisem me rrugët në krah
Shkallare jete menduam
U ngjallëm e u vram
Bukë malle gatuam.

U nisem me e nis jetën
I vram plagët e vrara
Shkrumuam mote e vite
U ngjallem sa herë nga e para.

Herë të huaj aty ku qajtëm së pari
Për ata që të huaj u bëmë
Herë këtu që malli na vrau
E prapë të huaj na thonë.

Samstag, 23. November 2019

Fakete Rexha: SONTE...

Fakete Rexha

SONTE 
       NË KËTO ÇASTE
                KISHA PAS DËSHIRË

Dashunia asht kafshë. Ka dhambë t'mprehtë.
Kurrë s'shërohen kafshimet e saj. Kur iku ai,
shpeshë m'ikte edhe gjumi. Të dy kishin harru
andrrat me i marrë me veti. Mos me mi lanë
barrë mu. Ai, andrrën se më do, e gjumi
andrrën që m'gjenë këtu ku m'pati lan dje
mbrama. Bij t'fle e mungesa tij m'shtynë buzë
shtrati, veq sa s'më rrëxon përtoke. Sa kisha
pas dëshirë në këto çaste me u shkri n'duart
tua, që m'bajshin vend mbrenda krahnorit me
frymën e nxehtë te qafa. Me dashuni, nga
dashunia, ashtu butë, prajshëm, me m'marrë
n'gji tue m'i përkdhelë flokët që m'kanë resh
borë, qafën me njollat e vrugëta që kanë filluar
t'pleqnisë, e kurrizin e shpinës. Çdo vrime
t'shpirtit dregëza me m'i vu me fjalët ma
t'ambla t'dashunisë. Po mërzitem. Sa iu gëzova
dashunisë, m'u desht t'mësohem me mungesën
e saj, që s'ik asnjëherë. Gjithë ditën e lume
ladron poshtë e përpjetë, si kafshë e ndërsyeme,
si e përdalë. Meqë, natën kërkush s'e do, për
birën e çelësit përbirohet, gjumin te unë me
e ba. Kafsha. E ke gjetë t'vogël, t'braktisun,
si jetim skaj rruge. E ke marrë, e ke rritë,
e ke ushqyer me qumështin më të mirë.
Si t'rritet, t'përmbledhë kokës me tasin
e randë t'qumështit, që e ka ba kambë e dorë.

E, sonte kisha pas fort dëshirë me harru.
Kurrë s'asht vonë me dasht.
Por, gjithnjë vonë me thye njeriun.
Se, sonte kështu siç jemi, nesër
s'dihet a do t'jemi ma.

Montag, 23. September 2019

Muhamet Luma: KODOSHËT

Muhamet Luma

KODOSHET

Turpit ia zhbën varrin
që ta mbaninin në gji,
duke e përkëdhelur
si një lëneshë të përdalë.

Me rroba blu veshur
shanë të madhin Zot,
dhe në shpirt mbollën
farën e djallit të kuq.

Duke iu zgërdhirë hënës
ata nisën të bëjnë jetë qenqe,
dhe për të dëshmuar potencën
shkërdhenin përnatë njëri-tjetrin!

Sonntag, 7. Juli 2019

Fadil Halimi: E DIEL

Fadil Halimi

E diel

E diel asht sot 
e diel ka me qenë edhe nesër
derikur të përfundojë andrra

Larg ke ikun 
për me u kthye edhe njiherë
për me mujtë me e zanë hijen tande 

Mësheftas 
Merre edhe njiherë atë udhë të gjatë
Andej kah na ka ndarë jeta

Por mos pusho në asnji stacion
fluturo siç ke ikun
Pa të pa’ askush

E diel e trishtueshme asht sot
Deri të dielën tjetër kemi me pritë
Mos me vdek me mall të pashuar 

07. 07. 2019

Freitag, 14. Juni 2019

Alketa Maksuti Beqari: KËNGA E DIELLIT


KËNGA E DIELLIT
(Kushtuar babait)

Kur netët I kalon në pamundjen për të fjetur,
Se kjo moshë ku ti po shkon, e tillë është,
Më këndo, këngën e diellit.

Si dikur, kur fëmijë isha
Dhe më tregoje për diellin.
Dielli këndon, dëgjoje këngën e tij,
Nesër në lindje të ditës.

Kështu më vije në gjumë,
Ëndërroja, Këngën e diellit.
Ditët lindnin me diellin.
Në çdo stinë të rritjes time.

Dielli këndonte këngën e tij
Gëzoheshin Lulet, pemët, bari
Dhe në tingujt e këngës diellore
Gjelbëronin e merrnin ngjyra ylberi.
Edhe lumenjtë gurgullonin në shtratin e tyre
Në rrjedhë këngën e diellit përcillnin
Sa dhe zallet mbi shtrat rrezëllonin..

Më mësove Këngën e Diellit, 
sa herë më vije në gjumë,
Vargjet e Këngës së Diellit më recitoje.

Kënga e parë, kur takon majat e maleve,
Kënga e dytë mbi fusha ndriçon vesën,
Kënga e tretë përkëdhel petalet e luleve,
Kënga e katërt ndriçon oqeane, dete, e ujëvara
Kënga e pestë diku përvëlon,
Kënga e gjashtë pak fllad,
Kënga e shtatë ecën në perëndim,
Kënga e tetë sjell muzg,
Kënga e nëntë të ngjashmit e tij,
Kënga e dhjetë dashuria për hënën,
Kënga e njëmbëdhjetë në udhëtim,
Kënga e dymbëdhjetë një sekondë.

Kështu më rrite, të adhuroja Këngën e Diellit.

Ndaj, kur netët i kalon në pamundjen për të fjetur
Këndoje këngën e diellit,
Se jam këtu,
Me ty... Baba.

Buqetë me poezi nga Musa Dushica

Musa Dushica

ECJE...

Ora ime ecë, ecë...vitet numëron 
Edhe shekujt mat...
Ecë ngadalë, po nuk pushon,
Ecë me tren të gjatë...!

Kohëra ndan e nuk ndalon,
E urta orë, s’di të ngecur,
E në ecje shënon, shënon...
Mision ka per të ecur.

Të bardhën, të zezën në tre akrepa mbështjellë, 
Ecë e ecë e nuk rri kot...
Herë të mira, herë të këqia sjellë,
As e bardha, as e zeza s’e ndalë dot.

Në rrugëtim të pa fund...
Me të renë e me të vjetrën,
Thyen pranga edhe grila, boten tund!
Nga nje kohë kalon në tjetren...

Është shpatë e një kalorësi, 
Gjithnjë fitimtar...
Kurrë pa rreshtur ditë e natë,
Duke thënë se koha është ar!

Vetem zemëra ime e ngratë, 
Kur do ketë ndaluar,
Ka për t’a lënë thatë...
Po,dhe pa mua, ka per te shenuar...!

Po, po shënon, shënon...
Edhe pa mua, dimër e verë,
Kurrë nuk ndalon
Se shenuari...asnjëherë!

8 qershor 2018



TË FALEM...

Të falem e të lutem, prapë!
Më bëj tani dhe një arkivol,
Nga më të thjeshtit, që di t’i bësh, 
Nuk të kërkoj të florinjtë, si ata të mbretërve parahistorik!
Po, mos harro, të të pikoi një lot i vetëm, mbi të 
Që të njomë buzën time shkrumb, tani më te mpirë...
Një bilbil pranvere i vë nga krahu im i djathtë,
E një lule të tharë, nga krahu i majtë...
Të më flasin për pranverën e parë!
Petkun e bardhë si borē, i bleva unë 
Më nis drejt kopshteve të Edenit,
A drejt ferrit te Dantes, ku do ti vet, 
Se unë do mbyllë sytë...
Po, mos më thuaj: - Lamtumirë!

07. 06. 2019



VRASJE E LOTIT...

Loti im, i butë, i qetë...
I heshtur, i ëmbël loti im,
Loti im i rëndë, loti im i lehtë,
Loti im këgë, e kënga pikëllim!

Loti im i kulluar i ndjerë...
Loti im i ndritur, loti im i vrarë, 
Mallkim,motesh dimër e verë, 
Loti im jetim, ujëvarë e pa tharë!

31 maj 2019



LUTJE

Lënduar në shpirt, kësaj dite me shi...
Kësaj stine me mjegull, që qanë e qanë... e qanë!
Lënduar nga malli e halli, nga çfarë jo, as vet s’e di... 
Nga brenga nga jeta, që vretë e pretë e kurrë nuk pranë...
Me kupën mbushur e zbrazur, e mbushur...përsëri e përsëri!

Perëndi, me afsh shpirti të thërras!
Të falem, të lutem, e të falem prapë,
Kur je ti, unë mendjen pse vras ?!
Të drejtën, të vërtetën të mbrosh, 
se dhe unë për të, jetën time do jap!

28 maj 2019




PËR TY

Mbi faqen tënde, do vë faqen time, 
Një natë me yjet dua ta
kaloj,
Dhe me ty, që më sillesh në kujtime...
Me ty, që s’mundem tërë jetën të harroj!

Po, po, veq me ty, që gjithnjë të pata mall, 
O ëndrra e jetes sime, e bukur, e shenjtë, 
Sa herë nga dhimbja unë isha e jam në hall,
E dashur, toka ime...nëna ime e shtrenjtë!

Unë, biri yt i humbur, botës larg, tutje...
Lindur e rritur, me dashurinë tënde.
Netët kaloj zgjuar, jo, s’mundem të fle, 
Si fëmiu i braktisur, larg syve të një nëne!

E pra, nënë e dashur, të përbej në Perëndi!
Shtrije dorën tënde, n’lindje e perëndim...
Edhe skaj më skaj, në jug e në veri, 
Mos i lë fëmijët, të mbytur në pikëllim...për tëndën dashuri !

28 maj 2019




PAKËZ DIELL

Gjithëçka dua në këtë botë,
Aq sa yje ka në qiell...
Me ty dua të ndaj sot, 
T’marrë pak hënë, të jap ca diell !

Sa i madhë duket oqeani... 
Sa shumë deti paska valë, 
Sa lart ngjitet aroplani, 
E në letra sa ka fjalë ?!

Sa shumë shpirti vuan i shkreti...
E sa zemra është e mjerë !
Sa pulëbardha rri skaj deti,
Aq sa lule ka n’pranverë...

27 maj 2018




NATË...

Sa e gjate më duket kjo natë e errët, 
Edhe hënën ka mbështjellur në çershaf të zi...
As diellin s’e lëka të të vij në ëndërr, 
As qiellin e kalter t’a shohesh me sy!

E shurdhër memece, me njeri nuk flet, 
E heshtur në dukje, në shpirt pijanece...
Aty- ketu te zgjuar mban ndonje poet!
Edhe dhelpërat e lodhura, tinzare, shpirtkeqe...!

Poetet,shkruajnë ndonjë hymn, 
Thurrin ndonjë varg...
Kur oxhaqet rrallë mund te nxjerrin tym, 
E te lehura qensh, dëgjohën nga larg...!

Këto punë ka nata, nën petkun e zi... 
Me gjurmët e fshira e opingat mbrapsht!
Ç’i punon pas shpinde, kurrë dita s’e di...
E zeza mbi të bardhën në këtë botë të lashtë!



LOJË FJALËSH

Nganjeherë humb rrugën 
dhe fjala, 
Here penës i mungon ngjyra, 
Ashtu siç qetesohet dhe vala, 
E detit i qeshet fytyra...!




VALË KUJTIMESH

Siluetës sate, të pa parë, 
Rëndë gaboi, zemra ime
Lotët mbetën të pathare...
Shpirti i lodhur, ruan kujtime!

Re të errëta vijnë verdallë, 
Breshëri, rrëbesh...rrëbesh, 
Deti fryhet...ngrihen valë,
Të tërbuara, ngrihen shpesh!

Ti moj zemër e zhuritur, 
S’paske pasë një fije fat, 
Një ditë t’bardhë, për të pritur, 
Në këtë jetë, mister e t’gjatë.:.!

Ty, t’këndoj unë me kitarë, 
Një këngë malli, përmbi re, 
Mos ik, kthehu...e si më parë,
Këngën tonë, t’a këndojmë ne!

19 maj 2019

Dienstag, 26. März 2019

Poezi nga Fadil Abazi

Fadil Abazi

KTHEHU NË PRANVERË

Një ninullë dashurie kam këndu për ty
Në livadhet ku era përkund lulet
E gjetheve të malit ju thashë një melodi
Ato luhateshin me valsin e erës pa kthim
Sikur dallëndyshet që shkojnë fluturim
Kur pranvera të vij prap në lëndinat e mia
E rishtas era lulet ti përkund 
Lejlekët e dallëndyshet të vijnë fluturim
Pritja ime mbaron me perëndimin e ditës
E hëna me shfaqet me pikëllim
Dua të pyes ku je ti sonte
Shtegto e kthehu në viset tona
Aty ku jeta rifillon çdo pranverë
Portat e zemrës sime hapur kan një derë



DORUNTINË

Dashurine e ndërtove nê pritje
Në fushëbetejat e jetës
Ëndrrën përkunde në djep kohe
Besove ne fjalën e premtuar
Si shtojzavalle arratisur fatit
Mbërthyer në kujtesë pluhuri
Erdhe me ëndrrën e pambaruar
Për të konstatu besën e Konstantinit
Doruntinë e përtej shtatë kodrave
E përtej shtatë lëndinave
Doruntinë e shtatë vllezërve 
e shtatë rrëfimeve
Kush të solli
Kush të priti
A s'na thua Doruntinë



KËRKOJ

Në syrin tënd blu
Vendose pikëllimin
Që loti mos ta fshi
Në kornizat e pasqyrës
Në imazhe të thyera
Vendose buzëqeshjen
E në fund të detit
Lumturinë mbyllur në guacë

Ra një shi
Ta fshiu pikëllimin nga syri
Buzëqeshja tu kthye
Në imazhet 
E pasqyrës së thyer
Unë horizonteve të detit
Guacën do ta kërkoj
Lumturinë për ta kthyer




TA VEMI NË ZJARR

Në sytë e tu
Shof zjarrin e dashurisë
Me valë deti 
Dua ta shuaj zjarmin time
Më thuaj pa droje
Atë që ndjen edhe nëse ma djeg 
Ëndrrën time të bardhë
Dhe horizonteve kur të vete
Prap zjarrin do ta shof
Bota nga zjarri u krijua
Pse mos ta vemi edhe ne 
në zjarr Dashurine tonë
O ta krijojmë pêrsëri 
O ta bëjme fli




FJALËT E PATHËNA

Kur ti shkreh flokët në dritare
E hëna të shikon me zili
Mua më shkepen ëndrrat
Se të kujtoj e të kam mëri

Ti thashë të gjitha haptas
Sikur fëmijes kur i flet nana
Ti mbyllur ike e heshtur
Me fjalêt e pathëna

Ndoshta mirë që heshte
Se fjala jote më ban magji
Një lot dhe dy fjalë tua
Prap zemra ime të kish marr ne gji

Jo fati po mendjatapë na ndau
Unë ofshaj e ti ngarend në kohë
Kërkojme kot atë që kemi humbur
Për këte skam mëdyshje asnjë trohë

Mos u ngazëlle se do shkelësh majë fati
Më injorove dhe ndjenjat mi shkele
Ti fjalërënd e unë fjalët me shije mjalti
Në testin e dashurisë kësaj radhe ngele