 |
| Abide Gashi |
KUR E SHIKOJ HËNËN
Sa mërzitem,
kur e shikoj hënen
Se hënen,
shumë ajo e ka dashtë,
Ajo shpesh,
më ngjanë me nënen
Se dritë shpirti i saj,
shumë ka pasë...
Mërzitem,
kur e ndjejë dhe diellin
Se i ngjanë asaj,
me ngrohtësinë,
Sytë e saj ngjanin,
fortë me qiellin
Dhe më dhuronin ,
shpirtit kthjelltësinë...
Yjet kur i numroj,
mërzitem për ty
Janë si dëshirat,
që m' kanë shoqëruar,
Kur i renditësha,
tek ty pa kufij
Dhe ti bëje çmos,
për t'mi plotsuar...
E tashmë,
që s'të kam ma o nënë
Nuk më shfaqet,
as një dëshirë,
Netëve,
kur të shikoj o hënë,
Them, kështu,
ishte nëna ime e mirë...
Mitrovicë, 18 dhjetor 2018
 |
| Fadil Halimi |
Vargje pesimiste
Ëndërr ke takuar dashurinë e parë
Zhgjëndërr ke kaluar lumin valë-valë
Hija e zgjatur e saj të përcjell
Me hapa të rëndë plumbi
Bregut të harrimit e të pikëllimit
Në kornizat e jetës hesht e rri mbyllur
sikur shikimi i turbullt
Në vesën e luleve të mëngjesit
Në bebzat e syve të njomë
Zgjon stuhi hiri
Për një fjalë vdes në shpirtin e saj
Ëndërr përqafon lulen e kujtimit
Zhgjëndërr pikturon detin e mllefosur
 |
| Sahit F. Osmani |
DUHET TË JESH
Duhet të jesh vetë jeta
Që matet në peshoren e kohës
Me agime e muzgje të errëta
Rrugëve të spërdredhura të botës
Duhet të jesh vetë durimi
Që nyjë të mban lidhur shpresën
Ngulitur në çdo qelizë truri
Kur e keqja ta shpërlanë kujtesën
Duhet të jesh vetë zhvendosja
Në kohë dhe në hapësirë
Dhe të kesh krahë të rrufeshëm
Të çash terrin me rrezatim
Duhet të jesh vetë guximi
Dhe kur jeta të dridhet
Ahere kur në sy të ngrin loti
I vetmi i ëmbli dhe i hidhuri
Dhe krejt i vetëm nëse mbetesh
E shpirtin ta shkund bishë e egër
Gjymtyrë më gjymtyrë të ngjitesh
T'i kapësh kufijtë e universit...
 |
| Fakete Rexha |
DASHUNIA ËSHTË SËMUNDJE
Asht Grua e harlisur. Here e butë,
herë egërsuar nga bukuria.
Natës vie tinëz, n'andrra t'futet
me premtimet e hijshme, shpresat
që t'rendin me nge trupit, nga ndjenjat
e ambla si flutura. Më të fshehtat fjalë
të dashunisë n'vesh t'i pëshpërit
deri para se me u zgjue gjumit.
Dashunia!
Kjo sëmundje Motrash.Vajzash.
Dashnoresh. Grash. Nanash.
Sëmundje e pashërueshme.
Bën të lumtun qindra mijëra njerëz.
Kurrë mos u shëroft!
As ilaç mos iu gjet!
 |
| Sahit F. Osmani |
JAM NDRYSHIMI...!
Jam ndryshimi që hyj në mendjet tuaja
Mjafton të zgjoheni e të jetoni me mua
Pa druajtje krah për krah me njeriun e mirë
Me dashuri në zemër drejt ardhmërisë
Jam ndryshimi rreth vetes kam mirësinë
Rrugë të reja do t'i hap njerëzores
Me dashuri e mirësi të përftojë dije
Të ngjitet lartësive pa pasaportën e kufijve
Jam ndryshimi paqësor pa krismën e tytës
Jeta ime ku është e vërteta
Në zemër do t'i ushqej kēngët e trimave
Në përmendoret shesheve
Jam me ndryshimin që ecën përpara e s'ndalet
Flakë do të ndizem që të arrij qëllimin
Në flakërimën e fundit të shkëndijës së gjakut
Bëhem urë dashurie të kalojnë të tjerët