Sonntag, 28. Juli 2013

Nikoll Ulndreaj: Hedh valle Tanusha

 
NIKOLL ULNDREAJ
 
HEDH VALLE TANUSHA

Qielli i bilurtë fërfëllinë gjethnajat e ahut
Me dy palë krahë fluturon kënga majakrahut
Lule u mbush bjeshka barë u mbush fusha
Në sixhaden e gjelbër hedh valle Tanusha
Valle hedh Halili valle hedhë edhe Mujë
Malësor mërgimtar kthehen nga vend i huaj
U zgjua Omeri vajin ka lënë dhe Ajkuna
Sharkisë i bjenë Drini lahutës bije Buna
I gjatë, i gëzuar, i bukur qenka karvani
Flamuri ngjyrë qielli u ngrit tek stani
Qeshuni o ju bjeshkë, qeshuni dhe ju gërmusha
Me mërgimtarë të kthyer po hedh valle Tanusha
Qeshni o ju vasha qeshni dhe ju o baçica
Se nga kënga dhe qeshja u poq boronica
U poq drethëza e mjedra nga ky zë i amel
Orteku po shkrinë në tasin me tamel
Çeli trëndafili i egër me gjemb, në shkëmb
Plagët u shëruan zemra tjetër nuk dhëmb
Zjarr përvëlues na është ndezur në gji
Bjeshkët hedhin valle e s’njohin kufi
Ngjyra e ylbere hynë tinëzisht në ujëvarë
Bjeshkëve Tanusha kërkon dashurinë e parë..

Freitag, 5. Juli 2013

Cikël me poezi nga Sofia Ziri - Nako


Sofia Ziri - Nako

MALL

Ecja bregut të lagësht në heshtje,
në zhegun e djersitur të vargut.
Dirigjoja lëvizjet muzikore.
Dhimbja një fletë e bardhë plot thyerje brenga’ errësirash.
Syrin, ballit të detit ia hidhja shpenguar,
përkrah nurit të fjalës,
ku thellë ish fshehur.

Peng-mall mëmëdheu...
Vite larguar...

Dua t’i mbledh rrëmbimthi si një skllave e kthyer,
pranë rërës së nxehtë të vendit ku linda...
Mall, valëve të detit në shishe mbyllur dua të të flak...

Ndal o mall e loto në sytë e atij, asaj,
atje tej, i sheh...?
Ulur, n’atë gur mendojnë për ty,
s’të kanë harruar...
Lërmë të mbroj ngjyrat...
Po, po, ngjyrat të mbetet rrezeve të mia,
vendit tim të ngrohtë që hijshëm janë ndriçuar
brenda lëkurës time të butë...
E ndiej veten shmallueshëm tani.
Tani hyra në lëkurën time...
Është i bukur ky mëngjes që ndrin,
e rrallë toka në vendin tim,
Shqipëri!

GRISJA E HËNËS MË DJEG SHPIRTIN

Sonte po më digjet shpirti,
hapësira e pakët po më dhemb'
venat më janë ngushtuar,
tensioni i kujtimeve, rend.
forca që bie, trishtimin shtrëngon,
këmbët më duhet t'i marr në krahë,
më vonë përtej reve të humb,
bashkuar me grisjen e hënës atje lart
edhe pse kënga, shpirtit po më grish
vazhdoj veç për ty, të mendoj.

Qerpikët ngadalë po rrëshqasin
dritës së zbehtë në kët' mbrëmje,
ndërkohë rreth vetes, shtrëngoj krahët,
por grisja e hënës më djeg shpirtin...!


EJA I DASHUR, EJA...

Me rrezet e diellit prekem
dhe heshtjen e skuq si padashur,
pragut të shpirtit ulem,
lart qiellit lutem për ty...

Eja i dashur, eja,
vitrazhet e qelqta të thyejmë
mengadale le t'i zbresim shkallët,
në qiell të ngjtemi përsëri.
Të përkëdhelim zemrat sëbashku
dhe pse ndryshe, mendojmë në dashuri...


NË NJË ÇAST

Në një çast kur fryma do më ndalet,
do jetoj për t'fundit herë me tënden frymë,
n'ato grah'ma të këputura të jetës
do mbështjell dashurinë, që kam për ty,
atëherë s'do vdes brenda vetes,
se imja frymë, tënden do të prekë...!


E DUA VJESHTËN

Ti nuk ma njeh shpirtin.
Brenda zemrës time,
yti diamand shpesh-herë përplaset me rezonancat e mia.
Lulet në këtë rast janë të panevojshme,
ato njëherë dhurohen dhe zemrën e rrëmbejnë.
Shkëlqimi i tyre përcjell dritën e duhur.
A e di...?
Çdo ditë shoh trajtën e tëndit mendim’ kur ndryshon,
por rrënjët janë futur thellë,
i vetëm nuk mund’ t’i shkulësh,
të duhet ndihma ime i dashur, mos,
një ditë ato do të rriten, pranvera do vijë përsëri...
Shënjtëria ime më thotë të kem besim.
Pranvera, vërtet nuk lulëzoi atë'herë, por aroma e saj u ndje,
parfumoi edhe dhomën tënde të kujtimeve.
A mendon se nuk e di...?
Do të pres mes stinëve të tjera,
edhe pse vjeshta është mbretëresha ime,
më dha frymën e parë.
Unë bëlbëzova gjetheve, i përkas aromës së saj.
Avujt qiellore i ndjej, të gjitha stinët kanë lagështirë loti.
Sa të ngrohtë janë kur preken lotët zmeraldtë të dashurisë.
Diellin e zgjodha si ndjenjën time
edhe pse s’lufton dot me mullinjtë e erës...
Lumturohem kur zogjtë, ia numëroj nëpër degë pyjesh...
Sot jam e trazuar...
Flladi pranveror dhe pelerina e vjeshtës hynë brenda meje.
Një ditë me gjith’stinat do përqafohemi,
atëherë, universi do jetë imi.
Unë do ta ndaj me ty...!


ATË MBRËMJE

Kish hedhur mantelin e hollë,
sa transparente e zeza ngjyrë.
Ai nisi të vizatonte siluhetën, ndërsa asaj, syri i lotonte ngadalë ...
Kuverta blu shoqëronte lotin e reflektimit në qelqet e dritareve
mbi shtratin që ulerinte nga dhimbja e flladit pranveror të paprekur,
ndërsa shikonte me syza mbi biletë, orarin e nisjes së avionit,
ditës që vinte më pas.
Hapi kanatin e dritares, ku ai shkëlqim dritash, verboi buzëqeshjen e syve
e megjithatë, bënte kujdes duke mbajtur siluhetën të mos lëvizte.
Ajo pozonte ...
Ndofta në mendjen e saj kishin nisur lojën, puthjet,
të cilat ngrinin pa u dhënë.
Ai vazhdonte të vizatonte, ndërsa shikimi i saj hidhej mbi shtratin e ftohtë,
që rënkonte zbrastësirës.
Rrëshqiti mantelin duke zbuluar supet e saj të bardhë
edhe ato ulërinin, nga mosmarrja e puthjeve të asaj dite,
ndërsa lëshonte hijen e zezë tranparente mbi dysheme.
Pëshpërimat mbushën zërin e shpirtit, që heshtëte
mbi bardhësinë e supeve të saj.
Në vetmi mbeti shtrati i zbasur,
ku dëgjohej vetëm gjysëm- buzëqeshja e lamtumirës..
Jashte dritareve,
shikonte si mëngjesi vraponte të trokiste syve të saj, lagështuar
në rrëmbimin e përroit të lotëve, prej dashurisë së pafat ...


SHPIRTIN PO E HUMB

Më duket se pak nga pak, shpirtin po e humb,
më duket sikur nga shtigjet e braktisura po rrëzohet,
natura e egërsuar po më çmend'
dhe ndjenjat humbin udhën pa kuptuar.
Ëndërrat kanë shtuar çmimin e gjumit, shëtisin të lira, më rrethojnë ngadalë,
shijen e hidhur, ëndërrës ia kam provuar, mendova se ishte veç një shqetësim,
prita me padurim të shoh një tjetër, por edhe tjetra, helm përplot zemërim.
Më mbetet të mbështillem krahëve të frikës,
t'i lutem këtë radhë të më lerë të qetë,
të ndjehem e çliruar si atëherë,
kur puthjen shijova për herë të parë...


ËNDËRRIM

Pëshpërisja nën buzë fjalët që dilnin nga kjo zemër' e dashuruar,
si në hoje bletësh zbukuruar rreth' i saj,
syri përlotur i shoqëronte dhe shkëlqimin e hëntë, hidhte mbi to ...
Ishullin e ndjenjave përshkova si të ishte aq ngrohtë në thellësi.
Nuk kishte valëzim ujrash dhe thellësia s'kish ngjyrën gri,
me trupin tim e mbroja për sa kohë unë desha të ruaja çdo qelizë ...

Të pamundurën kërkoja të shpërbëj,
dëshirat që dua në krahë-pulëbardhash t'i vendos dhe heshtjes t'i them merri,
por më ndodh edhe kështu,
ndërsa unë prisja me ankthin mbërthyer të rrëmbeja puthjen tende,
vjedhurazi m'u zhduke si një ngjalë ujërave të turbëllt'
ndërkohë, mendoja se nuk mund të ndodhte...

Zemra nisi të luante me rrahjet kardiake si në atë kohë,
kur sytë e mi u përplasën me të tutë
edhe pse këta sy kullojnë lotë të nxehtë
mua më mban deshira të të puth.
Sa shumë do doja në këtë çast... !

A thua s'do kem rast, të qëndroj si atëherë krahëve të tu,
ashtu si era puthjen merr, po ashtu supeve të bardhë, të më mbështjellë..?


GJYMTYRËT KËRKOJ

Gjymtyrët e mi nuk di ku i kam,
pak më parë brenda vetes i kisha
edhe pse e lodhur nga kjo ditë e bardhë
aq shumë për to, kam nevojë tash'.
Ndofta përgjumësh unë isha
dhe mbrëmjes nga shtrati m'u larguan
ndonëse më duhet t'i mbledh të gjitha,,
veç tani, jo, nuk po mundem .

I shoh tek shkallësh zbresin poshtë
një baladë pa mua duan të bëjnë,
oh, sa të lirëshme duart drejt qiellit ngrejnë
dhe hëna i ndricon bulëzat e gishtërinjëve,
karpet, metakarpet po u ngrohen,
ndërsa unë shplodhjem tek i shoh,
më duket të pres çdo bëjnë më pas...

Retë nisën të shkarkojnë mengadalë,
u shoh sytë rënduar nga lot' i zi,
nuk dua të njomen gjymtyrët e mi ,
me kujdes do ti mbledh me radhë t'i montoj,
së bashku të kthehemi shtratit të pushojmë,
se jeta rilind në momentin kur zgjojmë shpirtin
nga një gjumë akoma dhe më i thellë,
për atë qetësi, që të gjithë e dëshirojmë ...


PORTRET PAPUNËSIE

Duke ndjekur hiret e fluturave rreth dritës, lambadarit nën degët e pemës,
atmosferës muzikale zë-bilbilash deri në rënien e muzgut,
më ngjan si botë e psherëtimave të mekur deri sa dëgjohen tingujt e oboes
si tingujt të pafajshëm të një krijese që prek dhimbje të buta...

Megjithese brenda mëndjeve dëgjohen pikëlzat e shiut
trokitur drejt e në zemër,
shpesh qosheve të rrugëve kokëulur si pula të shushatura ,
shoh plot të angështuar që psherëtijnë dhe shtrëngojnë barkun nga uria
ndërsa fjalët u kanë mbetur buzëve,
zbardhuar si gjurmë qumështore të thartuara
kohë harruar shishja hapur dhe buzëqeshjet e tyre të thyera dalin në pah,
si në një ekran të gjërë televizori ...


FRYMËMARRJA YTE,
KTHEN SHËNJTËRINË NË NJË POPULL
...

Toka ime,
ti merr dritë nga qiell' i pafund.
Toka ime,
hëna të ndriçon gjatë natës së errët
dhe zogjtë fsheh' foleve të pemës.
Toka ime,
etjen shuan me lotët e mërguar,
se shiu s'të mjafton asnjëherë.
Ti toka e vëndit tim,
ti je prehja e të rënëve,
hapësirave të tua kanë fshehur shpirtin mos i thyhet
dhe sa ngrohtë i mbulon, mos i ndalet fryma.

Në tokën time
do t'më marrë malli për të pushuar.

Toka ime,
frymëmarrja yte kthen shënjtërinë në një popull,
që miliona vitesh, mos jetë harruar.
Aty, do desha të lëngoj vdekjen,
se dheu në tokën time, është më i ëmbëlt'...!

Mittwoch, 3. Juli 2013

Zef Ndrecaj: Shtigjeve te mbërthyera


YLLI I LIRISË
(Kolë Mirdita)

U ngjite si zog në fluturim
Me shikimin prej engjëlli shndrit
Atje ku historia e dhembjes
Padrejtësisht kishte ngreh kufijtë.
U nise drejt kaltërsisë së qiellit
Ëndrrës së pambaruar
Rrugës se përthyer e të etur
Me gjak lirie shtruar.
Ju qase ëndrrës së pritur me shekuj
Besën dhënë tokës ngri
Në dritëshekullin e ndezur
Shqipes t’ia kthejë kushtrimin.
Rrugëliria përpiu ëndrrat
Qielli i prangosur ishte ngri
E në fushëgjakun e lirisë
Mbin lule shqiptare.
Në Lapidar kthejmë kujtimet
Të përjetësisë së flijimit ndrit
Lirinë e shohim në buzën engjëllore
Të verbuar nga malli yt.



MA SHTRO

Ma shtro
Një tryezë plot jetë
Ma shtro
Po deshe me bukë
Po deshe me dhé
Nga buka që e quajmë jetë
Nga dheu që e quajmë Mëmëdhe
Kam mall dhe uri
Po tretem çdo ditë
Për atë që e quajmë jetë
Jetë në tokën ku linda
Brengë që më vret
Zot lutjen më përfill!



 ËNDËRROJ

Ëndërroj
Ta shoh diellin
Kur në agim shndrit
Kur edhe në horizont ai ngritë
Edhe mbrëmjen e lehtë
Kur në syprinë ndritë
Mbi tokën e ndarë
Mbi tokën e vrarë
Mbi gjakun e tharë
Mbi Trojet e Ilirisë
Mileniumit të parë
Të gjenit të Hyjnis



KOSOVË

Kosovë -
Një penë
Dy pushkë
Një për popull
Një për Zot.
Drenicë
Gjashtë Lisat në Likoshan
Izbica – plot lot
Prekazi - një emër
Kulla e Jasharajve
Kushtrim – Bacë Ademi
Këtu s´kalon dot.
Kosovë -
Meja, Reçaku
Ah! Lot ... gjak...
Të vranë
Por s´të mposhten
Mos ne ...
Zoti do të merr hak
Kosovë!

Ah!
Kosovë -
E vrarë dhe e prerë
Ti kurrë pa gjak
Por kurrë pa nder
Kosovë!

Kosovë -
Me një litar në fyt
Evropë ,
Ti se mban dot
Arbëria do dritë
Kosovë!



 IKONË NË ALTAR
(Mikut tim, D. Gazulit)

S’isha i huaj në Lezhë
Zemra mu bë varr
Kur vizitova Varrin e Gjergjit
Një pllakë, një gur...
Një Përkrenare
Ca shkrime në mur
Një shpatë
Një celebrues
Dola i vrenjtur
Qielli mu duk i skuqur
Nëndheu mu duk
I tëri i i skuqur dhe zhar.
Atë ditë takova mikun
Për herë të parë ...
Më dha jetë
Mu duk gjigant
Varri që kisha parë
Sepse
Mu në Lezhë
Miku i im D. Gazulli
Flet mbi nëntokën
E varrit të Gjergjit
Princit të të gjitha kohërave
Varrit të nderit
Varrit legjendar
Të ndërgjegjes se vrarë.
Kur u ndava
I thash vetes
Vetëm kohët ndërrojnë
Lezha nuk vdes
As historia nuk bën pajë
Kjo penë e artë
E vuajtur dhe e tharë
Hedh shkronja edhe varreve
Ikonë në Altar.



TI, DUHET TË MBETESH

Kalove mbi shekujt
Ndonëse i thyer
Ndonëse i vrarë
Truallin tënd
Me gjak ke larë.
Nuk je turk
As grek as latin...
Ke gjen Ilir
Je shqiptar
Mallkimin mos përfill
Historia nuk fal.
Ngre kokën lart
Me Perëndim nuk humb etni
Lindja të vesh në të zi-
Je gjak ILIR
Duhet të mbetesh gjithnjë.
Ti je vetvetja
Etninë të dha Zoti
Të dha gjuhë dhe fole
Mos u mashtro
Ti duhesh të mbetesh
Ai që je...



ATË DITË S’ DËGJOHESHIN KËMBANAT

Në qytetin K.
Atë ditë
Çdo gjë kishte vdekur
Dëgjoheshin vetëm qentë
Ata nuk ishin vetëm.

Atë ditë
Nuk u dëgjua
As kambana e kishës
As thirrja e në xhami
Qyteti ishte zbrazur në agoni.

Qentë silleshin vërdallë
Ushtarët deheshin nga gjaku
Ciganët vidhnin gjithçka
Politikanët bënin vaj.
Unë mallkoja dhe qaja
Mallkoja nga sjelljet e çmendjes njeri
Qaja nga mllefi i ndërgjegjes
Mallkoja , varr hapu ti!



HERONJTË

Në varret tona mos na vëni lule
Lule kamerash as elektoratesh
As mos na bëni lapidare të larta
Pos shkronjave të nderit që janë të arta

(Ja vdekje, ja liri!)

Në varre mos na vajtoni
Me lot profetësh as të oratorisë
Se edhe ne e deshem jeten
Por kishim ideal lirinë

(Ja vdekje, ja liri!)

Mos lejoni që varret tona
T’i mbulojë pluhuri i harresës
Atë të Saharës nuk na bën flamuri
Shqiptar etnia jote është prej guri...

(Ja vdekje, ja liri!)

Ne jemi vetë lule
Çelim çdo pranverë
Këtë tokë amanet
Për të, të vdiset me nder!
(Ja vdekje, ja liri! ).



STUHITË E BOTËS

Janë lodhur lumenjtë
Yjet ndriçojnë me vështirësi
Ditët dhe netët janë mplakur
E stërmbytur në pritje.
Edhe akujt në Antarktik
Janë lodhur gjithmonë ngri
NASSA njofton globin
Klima ndryshon në brendi.
Çdo gjë e lodhur
Deri në Detin Jon
Aty valët gjithnjë gjëmojnë
E krushqit kurrë nuk pushojnë.
Por ti mos u lodhe
Ti poezi e jetës sime
As kur kohët shënojnë
Stuhitë e botës intime.



TI, AKTOR I VALLES SË ÇMENDUR

Ti që ishe pre
E miteve të fundosura
E shekujve të përmbytur
Të ajkës së lakmisë.
Ti aktor
I valles së çmendur
Ti hije e zezë epshesh
Krahë thyer e zemër ngri.
Ti që më vishe
Me mite karpatesh ogurzi
Ti që më vret tinëzisht
Çdo net tinëzare çdo agim të ri.

Ti që më kaplove
Hyjni dhe etni
Gishtin tregues mbaj
E mbaj të kthyer kah ti!



MOS I HARRONI VARRET

As kur erërat kanë eufori
Qoftë ai jug apo veri
Në varre është kalitur
Dasma e shuar në gji.
Çdo varr flet në agoni
Kujtimet mbesin gjithnjë
Varret shënojnë në vete
Legjendë dhe trimëri.
Mjerë ai që bën dredhi
Në emër të kohës lavire
Ndryshojnë të vetmen shkronjë
Apo zhbëjnë histori.
Pushtuesi pushtues mbetet
Varret tregojnë gjithnjë
Mbi ne do të mbetet mallkimi
I etnisë ngri…



SHPESHHERË

Shpeshherë ata që shkruajnë
Harrojnë mirësinë
Por edhe pritja e lirisë se servuar
Është vetëm mashtrim.
Shpeshherë njeriu
Është destinuar të pres
Pritje pa cak
Sikur koha me ne
Do vdes.

Shpeshherë ata që luftojnë
Harrojnë lirinë;
Kujdes
Njerëzit
E përpijnë lirinë e vet!



RUTINË

Është rutinë e pashmangshme
Një gotë pas saj një tjetër
Çelësi i heshtjes përpihet
Ne epilogët e zbrazëta.
Është rutinë
Në rrugë dhe shëtitore
Njerëzit shkojnë e vinë
Pret vetëm ai
Që cakun ka mbërri.
Është rutinë të mendosh
Nga profili i zbrazur
Mund të paragjykosh
Një rutinë të mashtruar.



PROLOG

Sa shumë lot
Sa shumë pranvera të përgjakura
Sa shumë shekuj plot dhimbje
Sa shumë ëndrra të ndaluara
Sa shumë frikë e plandosur në heshtje
Sa shumë këngë të ndaluara
Sa shumë rrugë të shtruara me gjak të lirisë
Sa shumë ëndrra të pambaruara.
Sa shumë varre
Lapidare pavdekësie
Sa shumë themele lashtësie
Sa shumë sarkofagë thellë nën dhé
Sa shumë net të limiteve
Sa shumë gjysmë globe të errësuara
Sa shumë harta të përpiluara.
Sa shumë, sa shumë
Mjerimi s’ka fund
Mbi ty tokë e shenjtë e të pareve
Ti prolog i dhimbjes krenare
Ti tokë që lind
Sa shumë
Lule shqiptare…



BIOGRAFIA E AUTORIT
Zef Ndrecaj u lind më 12 tetor 1962 në fshatin Krushevë e Madhe të Komunës së Klinës. Shkollën fillore e kreu në Budisalc, kurse atë të mesmen në gjimnazin “Luigj Gurakuqi” të Klinës. Diplomoi në Shkollën e Lartë Pedagogjike „Bajram Curri” në Gjakovë - në degën e Kimisë.
Me shkrime u mor që nga bankat e shkollës fillore. Punoi pesë vite në arsim, derisa përjashtohet nga puna nga Drejtoria e dhunshme serbe më 1991. Që atëherë u detyrua të migrojë , prandaj edhe sot punon dhe jeton në Austri.

 Zef Ndrecaj botoi këto libra:
• “Prerë” ,poezi, Klubi letrar “Vorea Ujko” , Klinë 2000;
• “Ora e Kullës”, roman, „ Vorea Ujko”, Klinë 2002;
• “Shkolla e Luciferrit” , roman satirik , Klubi letrar „ Vorea Ujko”, Klinë 2002;
• “Tregime odash nga Lugu i Drinit” (folklor); Klubi letrar “ Vorea Ujko“, Klinë 2002.



3. 07. 2013