Samstag, 21. August 2021

Alketa Beqari: POEZIA NË REPUBLIKËN E PLATONIT



Poezia në Republikën e Platonit

Lindi nga uji 
që buronte prej nëntokës
së Malit të Shenjtë.

Gurgullon e lëshon tinguj 
e tingujt bëhen fjalë
dhe fjala merr dhenë
ushtoj malet
e fushat e tejçuan
me pjalmin e fjalës
bleta shkonte në zgjua
e me aromën e fjalës
hojet e saj i spërkiste.

Poezia lindi në republikën e Platonit
E folur e e shkruar
Njëgjuhëshe
Gjuhë
që e mësuan
e ata
që Platonit
ia mohonin
Republikën
dhe poezinë
e recitonin prej mllefit.

Në republikën e Platonit
poezia
jetonte në muzë
e muza
jetonte në shpirt
e shpirti jetonte
në trupin e Platonit.

Dienstag, 28. April 2020

Katër poezi nga Sadik Krasniqi

Sadik Krasniqi

NË KOHË KOLERE

Sa i pastër ky qiell
si para miliona vjet
si dita e parë e tij
as një grithë e bardhe në atë blu
asnjë avion me bisht prej tymi
i madh
askund skaj
i thellë
i bukur
i urtë si loti
syri i Zotit
që kurrë nuk dremitet
as mbyllet
veç bebëzat i ndërron
e na sheh me pikëllim
neve të gjorëve
se si vdesim për çdo ditë
në këtë kohë kolere
nga virusi
me emrin e bukur kurora

Nidda



ATA IKËN

Ata ikën
i çuan në dhomat e bardha të vetmisë
e dritat i kanë ndezur për hijet e tyre
që vallëzojnë
valsin e jetës
me një muzikë
që e dëgjon
vetëm muzgu

dhe unë
a hija ime

*Bad Salzhausen



LAMTUMIRË

Sa të deshta
lamtumirë i miri im
thot me sytë e mbyllur
me fytyrë kthyer
nga dielli që në det po bie

s´bëzaj

unë a ai diell
do bëhet natë
në sytë e saj



PO IKIN

Po ikin
për ditë
përtej perdes prej dheut
ata që më duan
ata që gëzohen e pikëllohen për mua

e vdekja ime
s'do t'i bie ndërmend askujt

arkivoli do kalojë si përmes shkretëtirës
pa heqjen e ndonjë kapele
pa vënë ndonjë dorë në zemër

vetëm fëmijët e lagjës
ndoshta për një çast
do ndëpresin lojën

e do thonë të habitur
shikoni shikoni
një i vdekur pa kortezh

loja prapë do të vazhdojë

Nëntë poezi nga Vaid Hyzoti

Vaid Hyzoti

GRIP NË KORÇË
- nga poezite e fshehta -

Krevati-tape mes dallgeve te egra,
Te zverdhura muret, perdet te verdha...
Gjithçka ne kete dhome hoteli
Merr ngjyren time -
Limon nga tejpjekja...
I dehur nga ethet dal te pi nje çaj,
Dhe kembet me cojne ne shetitore ...
Ish mbremje. Kishin çelur bliret.
Aromen - parfum
Ua falnin dashnoreve.
Mua me ngjante se ish parade mode,
Shperthenin gjokset e vajzave nga dekoltete...
Doja nje çaj bliri ne nje gjoks te ngrohte,
Sepse limon i shtrydhur
Isha vete...
Dhe nje peme i zgjati lulet e veta,
Ne nje gjoks vajze u ngoh nje caj bliri...
Kane kaluar vite. Por Korça me vjen,
Kudo qe te jem...
sa here me ze gripi...

- Eh jam me grip, por Korçën e kam larg!-



KUR NUK FLASIM

S'e di ku je?
Te gjithe satelitet e mi s'te gjejne!
Fryma ime nuk ka ze,
Avionet, autobuset, trenat kane greve...
Dhe mjeku nuk eshte ne spital te me jape ilac per paralizen,
Qe me shfaqesh ethshem ne koke dhe ne kembe!
Jam jashte vemendjes se botes, i vetem po tretem.
Te kerkoj ty,
Apo kerkoj veten?



I PAFUQISHEM

Ndihem i dorezuar. Çfare te bej me ty?
Ti dhunshem me pret gishtin,
Gishtin qe ruan unaza!
Une nuk uleras.
Duart zgjas tere deshire,
Krejt i lumturuar qe me vendos pranga!




FJALA

Pak frymemarrje e pak frymenxjerrje,
Nje rit i pafund i botes se gjalle,
Eshte i mjaftueshem te jesh ne jete,
Te jesh fjale...
Se fjala eshte prej ajri. Dhe dashuria
Eshte e ajert.Dhe pema prej ajri eshte e gjelber si dhe gjethja.
Ajer eshte shtepia, rruga ku ecim,
Fjale eshte lufta dhe urrejtja.
Eshte fjale qielli, me ajrin qe i japim,
Sipas belbezimit vjen i ngrohte apo i ftohte...
Ah te dinim pak me mire gramatike te lidhnim fjalet,
Tjeter ajer do te kishte ne bote!



KOHË MODERNE

....dhe puthemi pa u prekur,
lexojme filxhanin e syrit-
pa u pare...

A kane endrra njerezit e vdekur?

Ndahemi duke qeshur,
Fshihemi per te qare...




HIJE

Me thua: isha ne qytetin tend,
Por ti s’me pe. E si ta dije?
Vec kudo shkele, ne çdo vend
Te paskam ndjekur pas si hije.

Je ulur ne nje stol mes parkut,
Mes lulesh dhe me mua flisje.
Po nje buqete s’te pergatita,
Se lule nuk keput nje hije.

Ne restorantin ne Time Square
Ke ngrene dhe ke marre nje pije.
Te lije buzet perreth gotes
Qe te t’i puthte e imja hije!

Dhe ke shetitur ne Hudson
Me me te bukuren anije!
Nje vend patjeter mbajte bosh
Se shoqeroheshe nga nje hije!..

Po mua dhimbja me shterngon,
Mbase me nis ku dielli s’bie.
Por jam i lumtur se jashte le
Nje hije te hijshme dashurie...

2016



MPLAKJA

Të plakesh, nuk matet me thinjat dhe rrudhat,
As me rënien e dhēmbēve , apo numeri i viteve në jetē ...
Vetēm kur trishton për pengje që s’i shlyen,
Atëhere ka ardhur mplakja e vërtetë!



KEMI FRIKË...

Ata qe me shume na deshen
Iken nen dhe...
Vec ne kemi frike
Te shkojme atje.
Behemi servile
Te enderrave, ilaceve...
Besojme insektet me mollakuqe.
Veme lulet e shpreses
Ne rrjete merimange,
Kenaqemi me zogun
Ne filxhan te kafes turke.

Kemi frike te vdesim dhe kur mezifrymemarrim,
Jo nga e verteta se kthehemi ne balte...
Ata qe na deshen, kemi frikë se na presin
Dhe ne kete bote te tmerrshme
Mund te na kthejne prape!



AFROJNE FESTAT

I thirrem dreret prej telash dhe dritash,
Te vijne vetem naten,
Preme bredhat e parritur ende pyjeve,
Varem debore te pambukte, zilka ne dege,
Pa harruar neper maja endrrat si yje...
Llogaritem dhurata te lira per te varferit,
T’i pasurojme dhe me shume me meshire,
Kerkuam ne internet pamje te shndritshme,
Te genjejme ne urimet e pervitshme,
Se do jetojme me mire...
Harruam vrasesit e krishtit, se dime te falim,
Se dime ne vete krishtin te ringjallim,
Dime te ruajme me rrobe gezimi festat,

Se sojin njerezor
E lumturojne genjeshtrat!

Poezi nga Ylli Meçe


Ylli Meçe
POSHTË URËS ATY MBI LUMËBARDH
(Mitrovicës së plagosur)

  Shëëëëët... e plagosur po fle një urë,
  mbi kurrizin e kohëve të marra
  Me armë,helmeta e tela fort në të dy skajet
  këmbë e kokë lidhur trupin
  Përgjumësh " qyteti sonambul" gdhihet pa qejf
  me ëndërra të ndara...
  Lumbardhi dhe pse i trubullt devijon
  e kokëulur ecën për të fshehur turpin

  Asnjëherë s'pat ndodhur që mbi një urë
  tè ulej ashtu dhe vetë Evropa
  Për ndokënd do të ngelet mister
  dhe të vërtetën akoma ndofta nuk edinè
  Veç në këmbët e saj dikush shkroi në shqip :
  Unë jam vet revolta
  Shpirti s'përgjysmohet një pjesë për shqiptarët
  dhe diçka për Serbinë !

  Shëëëëët... po flejnë barrikadat të lodhura
  nga pesha që mbartin
  ( Belbëzin me vete historia :E rrallë kjo,
  për të mos thënë kurrë!)
  Zgjohen fèmijët prej dy anëve e nga pagjumësia
  gojët e tyre hapin
  Pranë urës mbi Ibër sodit Evropa 
  fushëbetejën e fëmijëve me gurë

  Shëëëët - ju lutem pak qetësi
  përballen matanë urës dy lapidarë
  Shkruar te njëri dëshmorë lirie
  po aq dhe tjetri plot invadorë
  Histori të tillë ma besoni
  Globi kurrë në shekuj s'e ka parë
  Heronj dhe pushtues luftojnë,
  dhe në monument me armë në dorë

  Ti qesh e zgërdhihesh Evropë,
  sikurse qeshe në Londër vite qëmoti
  Vallë a nuk e ke kuptuar se poshtë urës mbi Lumbardh
  po s'pati paqe - ka fuçi baroti ?!

Nga libri "Ngjyrat e Kosovës"



MEDITIM PËR ADEM JASHARIN

Sa vështirë e paskam
“Bacë”, për ty poemën
ti “shkrove ” me pushkë,
unë “pushkë” kam veç penën.

Vallë çfarë mendoje…
në at’ Mars plotë ngricë,
a mos vallë flamurin
ngritur në Drenicë?!

Se ç’ma ndeze zemrën,
nuk di pse mendova,
në at kullë-kështjellë,
mbledhur gjithë Kosova...!

Eh… kjo kulla jote
ndërtuar me gurë…!
Themelet plot-zemra,
zemrat gjithë- flamur!

Kjo kështjellë barot
nuk është si e Mujës,
tre herë u rrethua
si kala e Krujës!

Jashtë, përmbi mure,
me plumb gdhendet guri,
tash lufton kështjella,
në ballë prin flamuri!

Ndalet për pak çaste,
ndalet historia,
dridhet universi,
nën peshën e tija.

Dikur dhe ka ndodhur,
Veç…shekuj më parë,
kur lufton kështjella,
vetë në vijë të parë!

Brenda një fortese,
tre ditë epope,
çjerr faqet Evropa,
se… do kabare !

- Si u ndjeve ” bacë”,
kur e pe të vrarë,
në fortesën tënde
dëshmorin e parë?!

- Ky vend i shqiponjës,
s’ka dëshmorë të parë,
nuk ka as të fundit…,
ndaj dhe jemi gjallë!

Flakë e zjarr do ndez,
dushman,bir i bushtrës!
unë jam prej Prekazi
flas me grykë të pushkës!

Flakë do marrë Kosova,
një herë kemi le,
unë jam shqipe mali,
ti korb pa atdhe!

Do të shkul prej toke,
shkja… – të humbtë soia.
për liri- mbjell arat
me plumb e gëzhoja!

Je një farë e keqe...
s’bën për Dardaninë
dhe në tokën tënde
je mort për Serbinë!

Ndaj shporru prej meje,
në shpirt kam Lirinë,
atë s’mund ta vrasësh
është për Shqipërinë!



EVROPË, 
UNË E KAM FLAMURIN !

I shtrëngova duart grusht
Dhëmbët theva prej inatit
Se jam bir i kësaj toke
Kosovar që s'pret prej fatit

Nëse unë e kam flamurin
Pse në shtizë vure një tjetër?
Do t'më thuash se lirinë
Ti ma fale "zuskë e vjetër"?!!

Unë nder shekuj vrullshëm renda
Për Atdhe... e për flamur
Bota hiq... se nuk e dashka...
Ata hiq... e ne prapë vur!

Ky flamur më duket ndryshe
Nuk më duhet jo për besë!
Se pa drite ...çdo lule vyshket
Pa një zemër...çdo komb vdes!

Si se njohe kurrë shqiptarin...?
Moj Evropë ...që rri mbi letër!
Ne Lirinë edhe Flamurin...
Nuk e ndrrojmë me asgjë tjetër!

Nëse fale një flamur
Dhe e morën pa e parë
Sytë vallë ku i kishin?
Se me gjak ky s'eshte i larë!

Ah moj kohë e padrejtësive
Si me vjen kështu maskuar
Pse ma ndan më dysh flamurin
E pse më bën të rrebeluar ?

A e di ti moj Evropë
Se flamurin kam Atdhe?
Nëse ti ma heq shqiponjën
Kot që rrojmë, përmbi dhé!

Po të them: Mos më godit!
Mos godit mbi gjak të rënë
Padrejtësive shekullore
Pse u shton nji më të rendë?

Këtë "dhuratë" unë nuk ta dua
Është turp turp për besë
Unë e kam në shpirtin tim
Dhe në zemër do të mbesë!

Ndaj dhe zemra me rreh fort
Gjakun që kalon në rremba
Nuk ma ndal dot as me plumb
Nuk ma lidh as tel me gjemba!

Ne shqiptarët që prej motit.
Pak i pamë lulet e fushës
S'na la tymi i barotit
Nuk na lanë erërat e luftës...!



ËSHTË E JONA SHQIPËRIA

(Kushtuar Heroit të Popullit Vasil Laçi i cili i bëri atentat
Perandorit të Italisë fashiste Viktor Emanueli të lll-të)

Të drejtë pate dhe ti ,or Mbreti Italisë
Ta shihje nga afër, atë pjesë perandorie
Kurorën e braktisur, në ditën tonë të zisë
Ta patën lënë aty, mbi një fron tradhëtie.

Ti erdhe një ditë pranvere, që bëri ftohtë
Ç’pate ç’të tha mëndja , që vendose ashtu?
At’vit pemët s’çelen lule, po derdhën lotë
E ti bashkë me Vërlacin,shëtisje tutje e tëhu.

Kuptohet , koronën si gjithë mbretrit vure
Në at’kokën e voglë të ngjashme si çibuk
Me shpatën ngjeshur mbas kërbishtjes pa tule
Perandori që vuan,e mezi ngjitet në kolltuk .

Konti i juaj aq entuziast ju pat premtuar
Shqiptarët do t’ju pritnin gjith’ gaz e brohori
Dinaku pushtues ! Ofrove bashkimin etnik
Me ndërrim skllavërie... në tënden perandori .

Ehh ti mbreti xhuxh, jo i gjatë sa e jotja shpatë!
Ata që të dërguan ,si nuk t’i thanë zakonet tona?
Prej një naganti plumbat që dolën vollën flakë
Përzier fort me thirrjen” Shqipëria është e jona”!

Thonë se mbasi ”ia hodhe” përdore ironinë
Mësojeni-the - Të qëllojë djaloshi me kobure!
Po cilin shkurtabiq e kap plumbi në makinë
Paçka se kur zbrite , keq tu lagën ato poture!

Duçen tënd shastisur keq e kapi ngërçi at’ ditë
Jo se për mbretin e vet do të ish i shqetësuar
Pesë plumbat mbi të dhuratë për perandorinë
Prej një dore që tregonte luftën tonë...filluar!

E varët djaloshin atentator pa zhurmë e bujë
Bile kujdesshëm të dya, ia fshehët dhe vet Italisë
Ahh o mbreti xhuxh më i voglë se vet shpata jote
Kurorën e Skenderbeut e kemi të Shqipërisë!



S A Z A N I 

Pa zë dhe i heshtur, qëndron si një plak
i moçëm i vetmuar.
Rrethuar tërësisht prej ujit me mijëra,
e kush e di se sa vjet!
Miqësi ka me detin tekanjoz, herë të qetë,
e herë të harbuar
Dhe andej nga lind dielli, një popull
po aq i vjetër, sa dhe ai vet.

Kush nuk e njeh mirë Sazanin,vështirë
do ta kish, për ta kuptuar.
Nuk di pse heshtja e tij mendimet si dallgë
pa reshtur, m'i trazon.
I jap të drejtë, kushdo kur braktiset,
ndihet keq, bile i tradhëtuar
Si pleqtë e vrarë në shpirt, ai fsheh dhimbjen
dhe lotin kur pikon.

Kur e shikoj ashtu ligështohem, sinqerisht
dhe unë si ai lotoj
Më merr malli për gurët, kepet gjiret, e deri
te "Grykë e Xhehnemit"
I rrebeluar jam, e nga inati me grusht fort,
nuk di kë të qëlloj.
Pse u tjetërsuam, mos vallë dje ishim ne
ata që sot, nuk jemi!?..

Ehhh Sazan! Ti s'ke faj, fundja tabanin
nuk e lëvize prej vendi .
Jo vetëm ne, por dhe bashkëmoshatarin tënd,
kapriciozin det .
Në këmbë i prisnin agimet, e shqipen
përherë duke fluturuar.
Pararojë e tokës time, ushtar i betonuar
me pushkë e bajonetë!

Teksa kujtoj shokët e alarmeve, pse flaka e shpirtit
më ngeli e pafikur?!...
Bashkë me ty Sazan, pimë fare pak ujë të ëmbël
dhe më shumë të kripur!

Donnerstag, 23. April 2020

Katër poezi nga Elona Jolla

Elona Jolla

Djepi

Djepi sa vet jeta!
Në fund të udhës të gjeta!
Më parë në arkemort.
Beme varkë për larg!
Nisem për trungun e lasht, ku vet u tunde për së pari.
Ninullat e së erës, 
në sytë e yjeve! 
Atje harromë...
Në gjumin e madh mos te më gjej vdekja...



Eja 

Eja!
Edhe pse nuk je për të ardhur as sot, as sonte, as mot...

Eja!
qellon rrufeja,
dhe kur ne shenjè s'mund të godasë!

Eja!
Ndaje medyshjen në dysh, ngrihet reja.
Dhe pse me etjen flijohet përmbysje...

Eja!
Është era..
larg sysh, 
ku s'hyhet të hysh 




Vonë

Jane oret e vona...
Ende nuk po fle !
E mbeshtetur në murin e ftohtë, 
më zemrën që më rreh, mendoj për ty.....
Nuk e di pse ndiej xhelozi apo dashuri.
Por ti më harro nëse më gënjen...
ti harrom besë një natë me mua qendron.
Me buzet e mija do doja të puthja si e dehur.
Dhe nuk e di a të flas apo të hesht...
Kur me mua ti sot nuk je,
çfarë mbanë kjo zemra jote asnjeherë nuk ma the...
Harrom i dashur nëse me genjen.



Shpirti ikur

Të prita me mijëra ditë 
e ditët pastaj u bënë vite.

Heshta për një çast
dhe papritmas
filloj të falsë edhe heshtja!

Fjalët janë ngrirë, 
si një akullnajë që nuk shkrin në skajet e saj.
Në gjunjë kam rënë me zemrën plagë.
Me sytë e sfilitur,
me duart e ftohta mbuloj fytyrën e rraskapitur.
-Më thuaj ç'të bëj?
-Më thuaj a do të gjëj?
Dëgjom o shpirt i ikur a jeton.
Po të ulërijë më çmendurinë e kohës që jetoj...
Ku më fale një copë jete, e nuk mu përgjigje,
me grimca me le të jetoj.
O shpirt i ikur më thuaj si jeton, në qiell apo në tokë.
Në shkretetirë apo në tjetër botë.
Ku asnjë nuk e njeh,  
dhe një ditë çdo njeri nga ne do udhëtoj...

Mittwoch, 18. März 2020

Buqetë poetike nga Azem Osmani

Azem Osmani

MË DRITHËROJNË PRITJET

Pritja e autobusit me goma të gozhduara
Shtatë unaza kurrizi m’i shkallmoi

M’u zbardhën shtatëdhjetë qime floku
Pritjeve të skanimit të dijes në provime

Një ditë më peshonte
Tonelata ortek pritjesh
Zbrita shtatëqind ujkesha
Vargmaleve të ngrira
Ta kafshonin kohën e pritjes
Që ti, të më vije sa më parë
Si një hyri hirmadhe
E bekuar me ujin e Syrit të Kaltër
Andaj, dhe më drithërojnë pritjet

Nga libri në dorëshkrim, "Dera e pushtë"



Ç’NA DUHET HIJESHIA JOTE KORONAVIRUS?!

Kujt i vajti në mendje ta ndez dashuninë e tërbueme
Gjithë ky tërsëllëm ndaj nesh
Që nuk u mahnitëm
Me hijeshinë tënde - ngjyrëndezura kurorash
Ç’faj kemi që na fshiheshe para syve
E s’të shihnim teksa defiloje si mbretëreshë

Sa deshëm të të lavëdronim, mësysh të ramë
Që gjuhë e as racë s’dalloje
Por, globin kur vure në shuplakë të dorës
Turravrap me harbim na le pa frymë e pa jetë
Të fshehur nëpër skuta si në orë policore
Po bëjmë dashuni me maska
Atëherë, ç’na duhet hijeshia jote koronavirus?!

12 Mars 2020



PURPUR I NDEZUR ABAZHURI

Me teh ndjenjash preva çaste
Zhytur në sherbet drite
Purpur i ndezur abazhuri
Si copat e tespiçes në tepsi

Nga sirtari i rrethuar me gjemba kohe
Nxora në liri një fletë ngjyrë bore
Fletë me palcë celuloze
Regjur vapësirave nëpër vite

Habitem me veten
Si arrita të kashais hollësi
Në horizontet e pafundme
Të një syri në dehje
Në këto dallgë ndjenjash
Syth vargu i acartë apo i ngrohtë
Germa të ujshme me vesë a me lot

Pak rëndësi ka se në ç’gjendje rrodhi
Kur muza kullon mes rrënjësh
Shpirt që gjason në ah

3 Mars 2020



RINGJALLJE E DALLGËVE

Anije thesarësh e zaptuar
Nga kusari i babëzitur me një sy qorr
Një pluskë e syrgjynosun
Në detin e trathtuar nga dallgët
Anije me shpresa të varura në vela
Ashtu sikur peshqit e uritur
Që sillen vërdallë fundit të saj
Të padruajtur nga kurthe peshkatarësh

Ringjallje e dallgëve si turma të tërbuara
Në pikën e horizontit të tokës së ngjeshur
Përplasje, që la gjurmë kërdie
Plazheve të nxira me fosile guaskash
E vezullima shkëmbinjësh
Nga thesarët e shpëtuar

9 Shkurt 2020



ERDHA

Erdha pa ritualin e puthjes së dheut
Si një dashuri nën strehë, ku rrufeja shkreptin
Mallin nuk e lash të më përplas në gulfim
Mbi këtë tokë plot dhimbje plagësh

Kundroja gjurmë braktisjeje
Strukur fërfëllizash dimri
Në oborrin që më mbante mëri
As çehre e as ngjyrim
Veç pak shpresë gjeta për një buzëqeshje
Tek trëndafilat e mi
Të mbijetuar në akuarium

30 Janar 2020



HIJET

Kur dielli m’i mbarështoi buzëqeshjet
Hija e tkurrur mu fsheh pas
Nuk më ndahej në asnjë hap
Nga smirë e mpiksur në palcë

Sa ara kultivova me buzëqeshje
E hambarë dëshirash që gromësijnë
Hija mbeti vetëm hije
E hidhur ndanë buzëqeshjeve
E plogët kundrejt çallëstisjeve

Edhe tokës sonë i ra zhugëza
Nga pikturat e ndiçme
Që njohin veç ngjyrën e zezë

Hijet vetëm kaq mund të bëjnë...

3 Janar 2020



E DASHURA TOKË

E dashura tokë
Kur të këputi
Sëmundja e ulcerës në lukth
Nuk i re vetes mbas
T’i fashitje dhimbjet
Në freskun e dallgëve të ujit
Shenjtëruar në rite puthjesh
Me brigjet e Durrësit të pashëm

E dashura tokë
Pse sëmundjen na e mbajte fshehtë
E ne flinim të qetë
Të patrazuar nga grahmat e tua
Pse të rrinim mbi plagën tënde
E mos t’i kërkonim ilaçet për shërim

Por, vonë...
I fishke dashuritë nën rrënoja
Në vend se t’i përdorje melhem

2 Dhjetor 2019



DASHURI STINËSH

Kashaisa fund stinët me krehrin e kalit dori
Flokëshprishurat lëmova
Nga dashuria e shthurur në dorëzim-pranim

Më vjen të qaj, që një dashuri
Qoftë edhe pa shthurje
Kurrë s’e përjetoi pranvera me vjeshtën
E as vera me dimrin

Sikur veç njëherë
Të zhvendoseshin stinët
Ta shihja të ftohmën e akullt
Në përvëlimin e verës
Puthjet e çmendura
Mes gjethesh të blerta e të florinjta
Dashuri, që përvëlohen duke pritur
Të shpërthejnë diga të nëmura qelish

17 Nëntor 2019



GJURMË

Me sqepin e gojës lakmitare
Çukiti në degë të njomë
E në fyt këputi bulën e kohës së artë

Erdhi vjedhurazi në vjeshtën e skamur
Një vjeshte, që vera nuk ia poqi fjalët
Babëzitur, i kafshoi si mollë
Papandehur, dhëmbët e ndërgjegjes iu mpinë
Ra një vetëtimë e mpirjen ia shkriu
Derisa filmim radiografie dhelpërisht i nxori
Pas zgjimeve nga kumbi i mërmërimës
As edhe një grimcë lyshtre nuk mbeti
Pa u pa gjurmë në celuloidin e zi

13 Tetor 2019



Ç’PO NDODHË ME RENDIN E NATËS

Përpëlitem për një sy gjumë
Mbi këtë shtrat
Që nuk ndihet rehat
Nga veshtullat e natës

Si të fle, kur mendimet u mbinë
Mezhdave arash djerre
T’i bënin sogje shpresës tekanjoze
Bredhur rrëpirave të territ
Ta këpus shiritin e përurimit të agut

Po ëndrrës si t’ia bëjë
Që gjumin e do si peshku ujin
Lundruese drejt lakmive të pakapshme

Hë, ç’po ndodhë me rendin e natës
Thyerje heshtjesh zgjedhore
Nga rrëmujat e një shpirti të sfilitur
Ta shoh zgjimin e atdheut
Me sy të liruar nga sklepat

05 Tetor 2019

Montag, 16. März 2020

Katër poezi nga Fehmi Berisha

Fehmi Berisha

ENVERI DHE ADEMI SHTRYDHEN GURIN

I besonit diellit si ngrohtësisë
të zemrës
cepit të buzëve i besonit puthjes
njeriut të lirë
ishi pellazgë, ishi Ilir
Gjatë shekujve të stuhishëm
maleve kalëronit përpjetëza
e teposhtëza
sert ecnit acareve e zjarreve
gurin e puthnit e puthnit tokën
e mbi kokë kur vënit plisin
këngës ia thoshit sa jehonte bjeshka
e të gjithë merrnin kushtrimin
Zemrave u jepnit shumë dashuri
edhe mbi shkrepa përkundej djepi
si varkat në detin Jon
kur plagët ua lëpinte valë e tij
malet kokëlarta ju merrnin në gji
Si teshat e trupit u rrinte vdekja 
me dhëmbë mbanit përgjegjësi
kurrë s`ua pa kurrizin heshta
e ndjenit ligësi
balli juaj kurr i ulur, 
as syri për dhe
kokën i jepnit shpatës, 
kurrë atdheun prangave
as qytet, as katund as shtëpi 
kund s`mbeti 
pa të rënë për atdhe, 
për qytetërim njerëzimi u bëtë fli
Eh Troja ime e lavdishme
me ty s`ia dolën ballë për ballë
të mundën pabesisht
të morën me tradhëti
asnjë s`të pikturoi e këndoi si Homeri
me aq besnikëri
Pastaj ndër shekuj u bë lesh arapi
mbi kaltërin tënde  
mbi malet e mbi detin tonë
u turrën re të zeza
romaku, turku, shkau, greku
dreqi dhe i biri 
shembën vlera
paraja, rrena, pisllëku e mashtrimi, 
ardhmërinë ditëve tona ua vodhën
aq shumë prapështi tjerrën
sa përvetësuan lavdinë
Ndër shekuj kjo tokë 
bashkë me dhimbjen time
ruajtën fjalën e këngën e këputur, 
ruajtën pika gjaku, 
ADN e atdheut,
erdhi si enë çeramike,
si enë ushqimi erdhi
si qelibar, si bylyzyk 
e si unazë dashurie
si shpatë e hanxhar trimërie erdhi 
si ninullë si lirikë  
erdhi si baladë epike
erdhi si vulë fisnikërie 
Era shpalosi fletët e historisë
njëra pas tjetrës erdhën 
dëshmitë, provat, faktet
të gjitha në një shteg
shumë janë, shumë si gjethe lisi
stoli, fjalë, besë 
e këngë plisi
ngjiten përpjetë  në breg
Sa shumë jua dua kokëfortësinë 
ju dua
se kryeneçe jeni, se fakte jeni
dëshmi e prova historike
eh, sa gjatë, shumë gjatë 
në heshtje ratë
nuk u ndjem as nuk u pamë
se shumë kohë,shumë shekuj 
pa vesh dhe pa sy 
patë mbetë Dardania
mjegullnajë e madhe ishte
E nisën rilindasit
deri n'pikë Enveri e bacë Ademi shtrydhën 
gurë e dru
që të flasin gjurmët e Durrësit
të fletë Apollonia,
Butrinti, të fletë Dardania,
ja shihni Korçulla nxori armët pellazge
i rrokën Zahiri, Hakifi, Edmondi
Jasharët me shokë i qanë retë
në Shkodër ia krisi këngës Rozafa
hijerëndë atje në Kotorr 
e dëgjon Teuta
Eh, tokë pellazge, tokë ilire, tokë shqiptare
pikëllim pati edhe deti Jon
e sot,
sot cep për cep shpaloset toka
e flet guri
merrni fjalën shqiptarë,
ruani besën të bashkuar 
përpjetë ngjituni me t`vërtetën
këndoni deri në fund 
këngën e këputur.



LIRIA NUK MBETI PA EMRIN TËND
(Qerim Kelmendit)

Gjaksorët kishin shkelur
pragjet tona
na gjymtuan e përndoqën
nëpër shekuj
ti ndeze dritën në konak 
gurthemel fisi
bjeshkët të morën në gji
t`i falën shtigjet,
t`i falën supet
vare kohën në vetull
syrin në thumb pushke
liria nuk mbeti 
pa emrin tënd 
doje t`i ngulje gurët 
në veri
dhe t`i pagëzoje
Zahir
Ardian
Hakif
Ilir
Luan….
Flamuj
ti kurrë nuk e kafshove 
heshtjen
këngën e këndove 
deri në fund
të hëngër terri shok
smira,xhelozia,ligësia
përdhosën kodin shqiptar
këngën nuk mund ta vrasin,
as krismën
as emrin tënd
që quhet liri
mbase Era një ditë
do ta ndezë ëndërrën
do të hapë horizonte 
dhe ta mbjellë farën e re



KY TRUALL DURON VETËM NGJYREN E GJAKUT

Zemërimi i  shekujve të kafshuar
skëterrë,fisi im mbuluar 
skamja,pusitë, vrasjet, helmimet e përndjekjet
oxhaku im pa tym
e mblodha gjithë rrugën
nëpër mijëvjeçarë,
pëllëmb për pëllëmbë
lumenj gjaku 
tehut të shpatës gjithnjë vetëm 
eca mes eshtërave e flakës
shumë herë më luajtën gurët
e më ndërroi emri
menzi mbajta frymën
fjalën e pak kujtime malesh
dhe një shkrepsë
për ta ndezur zjarrin
shumëherë pash edhe buzëqeshjen tënde
por ty nuk të gjeta 
djegur dhimbjeje, kujtimi e malli
dhe nuk pata kohë të ndalem
duhej të ecja t`i gjeja gurtë e rrokullisur
të shpalosja flamurin
e mbi të kujtesën e maleve
guximin e Zahirit, Hakifit, Edmondit, Luanit, Ardianit, Yllit…
të shpalosja qëndresën 
e guximin e Shabanit, Ademit e Hamzës
të shpalosja këngën e nanës Zahide,
këngën e nuseve, vështrimin e fëmijëve
hej, ti që ma krove vetullën
mos ma nxirr syrin
mos ma lëndo palcën e truallit
me lara lara
se ky truall duron vetëm ngjyrën e gjakut



ZANA VAJTON DARDANINË

Të gjitha kullat u shembën, ranë
brejtësit  gërryenin palcën
plagët në tërë atdheun rigonin 
Fjala lidhë në pranga frike
pa kuptim, dekadash
me nge mrizonte durimi
Kambanat e zemrës rrahën
dashuria u kall mbi tri shkronja  
UÇK morën atdheun në gji e ia krisën
Sytë shkreptimë qielli
shigjetuan zjarr mbi hasmin
prishën gardhin prej telash me gjëmba
Trëndafili u lag nga vesa e vetë
dhe qeli, u hap qielli
dolëm tej stuhisë
Zana ndali vajin
arnoj trupin e
kënga mori dhenë
Sot,nga doli kjo pykë që merr guximin
e shqyen atdheun në t`katër anët
bën hi e pluhur
Ç’është ky bajraktarizëm
kryfjalë ndërskamcash e prita nate
që ma vrasin zogun në qiell?
O njerëz, o pari
merrne udhen drejt